Ballina Lajme Rajoni Milaim Zeka: Dihet kush e ka vra Enver Malokun e Xhemail Mustafën...

Milaim Zeka: Dihet kush e ka vra Enver Malokun e Xhemail Mustafën (Video)

SHPËRNDAJE

Gazetari Milaim Zeka ka folur për qëndrimet e opozitës për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas tij, qëndrimet të cilat mund të shihen si patriotike nga ana e opozitës për demarkacionin, janë plotësisht të rrejshme dhe kjo nuk është çështje që shfaq patriotizmin.

Në emisionin “Komiteti Qendror” – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, ai ka thënë se Albin Kurti ka logjikë talebane dhe se deklaratat, si ajo e nisjes së një lufte me Malin e Zi, prekin drejtpërdrejtë paktin e NATO-s, për shkak se Mali i Zi është pjesë e tij.

Zeka ka thënë se mbrojtja e territorit dhe deklaratat tjera patriotike janë deklarata populiste që janë shitur në vitin 1981, e sot ky lloj patriotizmin nuk është më aktual.

Ai ka thënë se mosratifikimi i demarkacionit, përkundër faktit që Qeveria ka dy të tretën e Kuvendit të Kosovës, vjen si pasojë e paaftësisë se deputetëve, disa prej të cilëve, sipas Zekës, janë analfabetë dhe kriminelë.

Ai thotë se prapa atentateve ndaj aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përfshirë ndaj presidentit Ibrahim Rugova, qëndrojnë njerëz të afërt me këtë subjekt.

“Kur është bë atentati ndaj Rugovës me Solanën ishte në plan të flitej për pavarësinë e Kosovës dhe kur ndodhi kjo u shty pavarësia. Këtë e kanë bë me direktiva të Beogradit, se i tillë duhet të cilësohet vrasësi i Xhemail Mustafës”, ka thënë ai. “Dihen me emra kush e ka vra Xhemail mustafën e Enver Malokun. Prokuroria i ka emrat. Vrasësi i Mustafës është ish-polic që jeton në Gjermani”.

Zeka thotë se me listat e fryra të veteranëve të UÇK-së, ndihet i fyer se e mban librezën e veteranit. Ai thotë se assesi mbi 17 ushtarë nuk i ka pasë UÇK.

“Veteran u bë dikush që ka bo pite. Me i pasë na 50 mijë ushtarë sot në Beograd kishim fole”, ka thënë Zeka.

Zeka ka thënë se në aspektin politik, Kadri Veseli asnjëherë nuk mund ta udhëheq partinë ashtu siç ka bërë Hashim Thaçi, sepse, sipas tij, ky i fundit ka qenë kopje absolute e ish-presidentit Ibrahim Rugova Ai ka shtuar se Thaçi nuk do ta ndihmojë, por as nuk do ta pengojë Veselin, dhe se ai do ta vazhdojë punën e tij në Presidencë.