Ballina Lajme Rajoni Mediat greke: Në Shqipëri ka plasur lufta civile për hashashin

Mediat greke: Në Shqipëri ka plasur lufta civile për hashashin

“Një luftë civile për hashashin në Shqipëri”.

Kështu e cilëson e përditshmja greke “Katimerini”, situatën aktuale me kanabisin në vendin tonë.

“Kathimerini” ka publikuar një shkrim të të dërguarit të saj në Shqipëri, ku trajton polemikat midis opozitës dhe qeverisë lidhur me kultivimin e kanabisit në vend.

Shkrimi fillon me ankesën e një bletë-rritësi, sipas të cilit bletët ushqehen me pjalmin e fidanëve të kanabisit dhe pastaj, humbasin orientimin, nuk e gjejnë rrugën për në koshere dhe vdesin.

Mirëpo, nga ana tjetër, sipas tij, “në Shqipëri janë të shumtë ata që falënderojnë Zotin që i dhuroi vendit të tyre kanabisin dhe ata munden të sigurojnë një të ardhur të mire”, shkruan me ironi gazeta greke.

Sipas saj, për këtë çështje, në Tiranë po zhvillohet një luftë e egër civile ndërmjet partive, me akuza të ndërsjellta.

Gazeta i referohet edhe deklaratës së nënkryetarit të PD, Edi Paloka, sipas të cilit 30% e fitimeve nga droga kalon në llogari të kryeministrit Rama, dhe do të përdoret për blerje votash.

Rreth këtyre akuzave, i dërguari i gazetës greke ka pyetur ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kathimerini citon ministrin t’i ketë thënë se “të gjitha këto janë rezultat i një politike pa principe që po ushtrohet në Shqipëri”.

“Është diçka që i kapërcen caqet e logjikës, në raport me punën që po bëjmë në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë”, thekson Tahiri.

“Po vazhdojmë të bëjmë një luftë të ashpër në çdo kënd të Shqipërisë kundër kultivimit të kanabisit. Pavarësisht nga sukseset, opozita vazhdon të na sulmojë, duke përdorur si argumente sukseset tona”, ka theksuar ministri Tahiri.