Ballina Kronika Magazina me drogë në Mirditë, mes të arrestuarve gra dhe minorenë

Magazina me drogë në Mirditë, mes të arrestuarve gra dhe minorenë

Ndonëse policia nuk i ka publikuar emrat e të arrestuarve në magazinën e kanabisit në Rrëshen e cila u zbulua mesditën e sotme falë një operacioni të përbashkët të policisë së Lezhës, asaj të Mirditës dhe FNSH-ve, mësohet se mes tyre ka gra dhe minorenë.

Lajmi konfirmohet për Express nga Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, i cili thotë se personat e vënë në pranga u gjetën nga policia në ambientet e magazinës. Ata do të merren në pyetje dhe pritet që të zbulohet edhe roli që ata kishin në këtë veprimtari të paligjshme. Paraprakisht dyshohet që personat e arrestuar të jenë punëtorë.

Aksioni u ndërmor prej mëngjesit të sotëm, kur policia mori informacione në rrugë operative për magazinën e kanabisit, ndërsa me ndërhyrjen e policisë së Lezhës dhe efektivëve të komisariatit të Rrëshenit, u konstatua magazina dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike në proces tharje. Droga ende nuk është peshuar por paraprakisht dyshohet të kalojë peshën 1 ton. Rasti u denoncua edhe nga Partia Demokratike si një ngjarje që po mbahej e fshehtë nga policia, por aksioni ka përfunduar në orën 15:00, pra më herët sesa PD-ja të dilte me deklaratë përmes ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Rasti i është referuar prokurorëve për hetime të mëtejshme.

Të arrestuarit ndodhen në ambientet e drejtorisë së Policisë së Lezhës, ku prokurorë dhe oficerë të prokurorisë po i marrin në pyetje.

Loading...