Ballina Kultura Letërsi dhe Politikë: Po ndahen apo bashkohen gjuhët sipas BE-së?!

Letërsi dhe Politikë: Po ndahen apo bashkohen gjuhët sipas BE-së?!

Flet dr. shk. Mariana Ymeri, botuese, përfaqësuese e Shoqatës së Botuesve, duke iniciuar një nga debatet më të rëndësishme të organizuara në ditët e panairit të Librit 2016, lidhur drejtpërdrejt me përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë të tjera dhe anasjelltas; po ashtu një përgjigje se çfarë është lëvizja e “gjuhëve pak të përhapura” ku po ndërhyjnë edhe struktura politike siç është BE me propozime autorësh përmes “qeverive” 

“Në forum u kritikuan këto lista, pa iu hyrë aspak emrave konkretë. Në fund të fundit, janë lista të hartuara nga zyrtarë, kështu që përzgjedhja mund të dalë jashtë kritereve letrare! Ky aktivitet u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Traduki”

Intervistoi: Violeta Murati

Ju keni iniciuar një debat, mbi gjuhët pak të njohura apo pak të përhapura, duke u nisur nga një koncept sociolinguistik referuar vendeve të vogla, por jo në principe gjeografike. A mund të na thoni pse ky ndryshim “termi” nga letërsi fjala vjen e gjuhëve të vogla, që është përdorur tradicionalisht, çfarë po ndodh?

Shoqata e Botuesve Shqiptarë ishte shumë e interesuar për të organizuar një forum ku do të diskutohej për letërsinë e vendeve nga gjuhë “pak të përhapura”. “Autorët shkruajnë letërsitë përkatëse kombëtare, por letërsia botërore është vepër e përkthyesve” thotë José Saramago.

Kjo thënie, sipas meje, mund të çohet më tej… edhe përkthyesit shkruajnë letërsi kombëtare, sepse ndikojnë në krijimin e letërsisë kombëtare: kur Kazantzakis vjen në shqip, ai nis të “banojë” në kulturën shqiptare dhe bëhet bashkëqytetari ynë.

Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, jo, nuk ka ndodhur asgjë, përveç faktit që termi gjuhë të vogla/gjuhë të mëdha dhe rrjedhimisht letërsi të vogla/letërsi të mëdha është një term i gabuar, politikisht jo korrekt, rezultat i një racizmi linguistik dhe ekstralinguistik. Çdo gjuhë njerëzore e njohur ka një sistem gramatikor të pasur dhe kompleks, si edhe një leksik që është në gjendje të shprehë çdo lloj koncepti për të cilin kanë nevojë folësit e kësaj gjuhe.

Në kuptim të ngushtë gjuha (sistemi fonetik e gramatikor) nuk ka asnjë lidhje me kulturën. I vetmi aspekt me të cilin lidhet kultura materiale dhe shpirtërore e një populli me gjuhën, është leksiku. Edhe në këtë rast, sidoqoftë, nuk mund të flitet për leksik më pak të zhvilluar apo shumë të zhvilluar: leksiku i çdo gjuhe përshtatet me kërkesat e folësve, kur kërkesat ndryshojnë, çdo gjuhë ka burimet e veta për t’i përballuar.

Paragjykimet në lidhje me superioritetin/inferioritetin e gjuhëve janë aq të pavenda sa që mjafton të citosh disa shembuj, si gjuha aramaike, gjuhë e dy perandorive, greqishtja, me një ndikim të fortë për shumë shekuj, latinishtja, sot gjuhë e vdekur, dikur gjuhë e Mesdheut dhe e pjesës më të madhe të Europës Perëndimore, sanskritishtja etj., që sot kanë një tjetër qasje!

Kjo tregon se prestigji gjuhësor nuk vjen nga cilësitë e brendshme të supozuara të një gjuhe, por nga faktorë socio-politikë dhe rëndësia dhe funksioni që i atribuohet gjuhës. Në gjuhësi, gjuhë “pak të përhapura” janë gjuhë të cilat njihen pak nga fqinjët, kanë një përhapje të kufizuar dhe shpesh është e vështirë, që, për këtë arsye, të përkthesh letërsinë e këtyre vendeve, që si rrjedhim janë më pak të njohura, më pak të studiuara, dhe më pak të përkthyera. I tillë është rasti i letërsisë shqipe, bullgare, polake, greke, turke, hungareze, holandeze, islandeze, i letërsisë nga gjuhë sllave etj.

Si është hyrja e botimeve nga gjuhë pak të njohura në Shqipëri? Dhe anasjelltas, sa autorë shqiptarë njihen në gjuhët e rajonit, këmbehen?

Pikërisht botimi i shumë më tepër titujve nga këto letërsi, vitet e fundit, ishte edhe shkaku i këtij debati në një panel të përbërë nga Virgjil Muçi, Astrit Beqiri, Gëzim Tafa, Petrit Ymeri, Nikollë Berishaj, Edvin Cami, Sofia Delijorgji, Mariana Ymeri, Ilir Baçi. Sa botohet letërsia nga “gjuhët pak të përhapura” ose me qarkullim të vogël në shqip? A janë autorët më të mirë që e përfaqësojnë këtë letërsi? Nga vjen përkthimi, nga origjinali apo gjuhë të dyta a të treta? Dhe a ndodh, siç u shpreh njëri nga kumtuesit që të bëhen prova edhe me “google translate”? A duhet t’u besojë listave të hartuara nga zyrtarët botuesi i huaj, për të botuar edhe ai letërsinë më të mirë shqipe, edhe kjo gjuhë me përhapje te vogël- këto çështje ishin zemra e debatit në këtë forum. Po qe se janë të gjitha të pasqyruara në katalogët online të Bibliotekës Kombëtare, nga 2011 e këndej janë botuar rreth 50 tituj nga letërsia greke, rreth 15 nga letërsia kroate, rreth 10 tituj nga letërsia rumune, rreth 10 tituj nga  letërsia sllovene, 10 tituj nga letërsia polake, shumë tituj nga letërsia turke, nga letërsia holandeze, e vendeve nordike etj. Janë botuar autorë të mëdhenj, si p.sh., nga letërsia polake Ryszard Kapuscinski, Wislawa Szymbrska; Boris Pahor, Milan Dekleva nga sllovenishtja; Liviu Lungu nga rumanishtja; Nikos Kazantzakis, Vassilikos Vassilikos nga greqishtja etj., siç janë përkthyer edhe autorë të vegjël, pa ndonjë zë të veçantë në letërsinë e vendeve të tyre, gjë që e vuri në dukje sidomos Virgjil Muçi, për letërsinë e vendeve të ish-Jugosllavisë. Botimi i më shumë titujve nga letërsia e këtyre vendeve, është siç dihet, edhe pjesë e politikave kulturore të vendeve përkatëse, që e promovojnë me mbështetje financiare letërsinë e tyre. Por është e domosdoshme që në këto raste përzgjedhja të jetë e duhura, me më shumë autorë bashkëkohorë, sepse siç u shpreh përkthyesi Astrit Beqiri, “Deri tani vetëm klasikët” janë përkthyer nga polonishtja, gjë që personalisht më duket gjithsesi shumë më e mirë sesa botimi i disa shkrimtarëve grekë (nganjëherë të sponsorizuar nga vetë individi-shkrimtar), të cilët në vendin e tyre nuk kanë asnjë lloj vizibiliteti!

Se sa autorë shqiptarë përkthehen në gjuhë të tjera, nuk kam asnjë lloj statistike, përveç faktesh të qëmtuara aty-këtu, si përkthimi i veprës së Kadaresë në shumë gjuhë të botës, i romaneve të Fatos Kongolit, Dritëro Agollit etj. E sigurt është, siç u shpreh Virgjil Muçi, që të paktën në gjuhën serbokroate është përkthyer shumë pak ose aspak letërsi nga autorë të Shqipërisë, ndërsa autorët nga Kosova njihen dhe përkthehen. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë paritet…

A kërkon përkthimi, trajtuar tani si biznes kulturor, mbështetjen drejtpërdrejt të botuesit, pasi libri lidhet me të dhe jo në përvoja institucionale, siç u përmend në konferencë për Institutin Polak të librit?

Doemos që e kërkon mbështetjen, madje botuesi, më shumë se sa përkthyesi është përgjegjës për përzgjedhjen e autorit dhe veprës, ashtu edhe për përcjelljen e tij në shqip. Nëse një përkthim nga serbokroatishtja të vjen jo nga gjuha burimore, por nga një gjuhë e tretë, përgjegjësia bie mbi botuesin, i cili do të marrë kësisoj përsipër rrezikun e përkthimit të pasaktë, që është një alternativë thuajse e sigurt!! Duke u hedhur një sy botimeve nga Anderseni, një autor danez, besoj nga më të njohurit edhe në Shqipëri, vura re se kishim plot 41 botime te Andersenit, nga të cilët për rreth 35 jam e sigurt që nuk janë përkthyer nga danishtja.

Vetë Anderseni flet në një biografi të tij për “Rosakun e shëmtuar”, një nga përrallat më të njohura sot në botë, se gabimisht nga një përkthyes gjerman ishte lexuar si “rosaku jeshil” dhe në disa botime franceze më pas ishte bërë “Rosa e vogël jeshile”. Sa gabime të tilla ka në shqip, kur përkthehet nga një gjuhë e tretë?

Nëse është e vërtetë ajo që kumtoi Nikollë Berishaj, përkthyes nga gjuhët sllave, se ai ka gjetur përkthime për të cilat dyshon (për ta thënë butë) se janë bërë me google translate, atëherë për botuesin, por nuk mund ta lë jashtë edhe përkthyesin, do të thotë që botimi është vetëm biznes, ndërsa me kulturën është larg një mijë vjet dritë.

 

Është një përvojë globale që lidhet me përkthimet nga “gjuhë të vogla” siç është rasti i Kadaresë që së shumti përkthehet nga frëngjishtja se sa nga shqipja. Si mendoni se mund të ndryshohet kjo situatë, që botuesit e huaj të jenë p.sh. të interesuar drejtpërdrejt nga gjuha shqipe, kjo në fakt është shkak pse letërsitë e vendeve të vogla janë pak të njohura, dhe pothuaj të izoluara?

Letërsisë e këtyre vendeve, me gjuhë “pak të përhapura” ose me qarkullim të vogël, siç është vetë shqipja, e kanë këtë fat! Por tashmë shumë studentë shqiptarë kanë mbaruar shkollën e lartë në vende të tilla, dhe potencialisht ata mund të jenë nesër përkthyes të mirë. Gjithashtu, edhe me lëvizjen dhe qarkullimin më të madh të të huajve, të cilët mësojnë shqip në Shqipëri, gjërat mund të ndryshojnë. Veç kësaj politikat kulturore të programit të Europës Krijuese të BE janë të tilla që e mbështesin letërsinë e gjuhëve pak të përhapura, unë shpresoj që në të ardhmen, edhe të Shqipërisë.

A kanë shpatulla botuesit për të ndjekur e mbështetur autorin, veprën në gjuhë të tjera? Ne ju pyesim ju, por në fakt e dimë politikën e vendeve të tjera, ku ministritë apo institucione të librit e mbështetin autorin e vendit të tyre financiarisht, investojnë për të qenë në gjuhë tjetër, cilado qoftë?

Jo, me aq sa di unë. Nuk di ndonjë shembull kur autori shqiptar të jetë botuar jashtë vendit, pa mbështetjen e një institucioni publik ose të një fondacioni privat. Botuesit me vështirësi bëjnë promocion për veprat e autorëve shqiptarë në Shqipëri…

Letërsitë nga gjuhët pak të përhapura janë të mbështetura financiarisht: përkthimet nxiten dhe mbështeten në nivel institucional, në vendet e origjinës. Kjo nxjerr edhe pyetjen në çfarë mase oferta ballafaqohet me një kërkesë të vërtetë për publikun dhe nëse u duhet besuar ky botim botuesve që nganjëherë as nuk i shpërndajnë këto vepra, por vetëm botojnë aq kopje sa kërkohen nga sponsorizuesi apo botuesi i origjinalit! Këta botues abuzivë, që përfitojnë shumën e sponsorizuar, pa u kujdesur as për shpërndarje dhe as për promocion të autorit në fjalë, ishin një nga temat e diskutimit në forum. Nëse boton një letërsi të tillë, synimi ideal është të njohësh fqinjin përmes letërsisë së tij më të mirë…

Ishte një tezë në debatin mbi gjuhët pak të përhapura, se një shkrimtar i madh, ose në përgjithësi çdo shkrimtar bëhet më i njohur nëse shkruan në një nga gjuhët e mëdha, prej së cilës është më lehtë të njihet botërisht. Ju rezistuat në fjalën tuaj duke dhënë rastin e Kunderës…por ne, kemi autorë që shkruajnë në gjuhë tjetër, dhe rezultati është njohja më e madhe, është fakt kjo për ju?

Rasti i Kunderës, i cituar nga unë, kishte të bënte me faktin që është e vështirë për një shkrimtar që e njeh gjuhën e një vendi të madh, në moshë të madhe, të shkruajë drejtpërdrejt në atë gjuhë. Vetë Kundera, kur rilexoi “Shakanë”, të përkthyer në frëngjisht, vuri duart në kokë! Kurse kur e lexoi në anglisht… e bllokoi dhe u mor vetë gjatë. Por ndërkaq kishin kaluar shumë vjet! Nuk e di p.sh., nëse Kadareja shkruan drejtpërdrejt në frëngjisht!

Por sot, ka disa autorë shqiptarë, që shkruajnë f.v. drejtpërdrejt në italisht dhe me sukses. Unë nuk e përjashtoj dukurinë, thjesht them që është e rrallë. Kushdo shkruan më bukur në gjuhën e nënës!

Së fundi, duam të tërheqim mendimin tuaj, qoftë edhe si shoqata e botuesve shqiptarë, mbi një listë të përpiluar nga Ministria e Kulturës, me autorë për t’u financuar nga BE, me qëllim nxitjen e njohjes për vende me gjuhë pak të njohura. Ka mendime radikale, kundra se janë komisione burokrate me selektime subjektive mbi letërsinë, ju si e shikoni këtë, a është politikisht dhe kulturalisht korrekt?

Në forum u kritikuan këto lista, pa iu hyrë aspak emrave konkretë. Në fund të fundit, janë lista të hartuara nga zyrtarë, kështu që përzgjedhja mund të dalë jashtë kritereve letrare!

Ky aktivitet u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Traduki.