Ballina Sport Kush është Izraeli, rivali i Shqipërisë në “Rusi 2018”

Kush është Izraeli, rivali i Shqipërisë në “Rusi 2018”

Kush është Izreali, kundërshtari i Shqipërisë në sfidën e kësaj të Shtune që do të zhvillohet në Elbasan Arena. Izreali nuk është as Spanja dhe as Italia por është gjithsesi një rival i rrezikshëm dhe që duhet patur në konsideratë. Është padiskutim ekipi i drejtuar nga trajneri Elisha Levy, kundërshtari direkt i Shqipërisë për vendin e 3-t në grupin G kualifikues të Botërorit, Rusi 2018. Ata nuk kanë emra të frikshëm në skuadër por e bazojnë forcën e tyre te grupi.

Po ju njohim tani me rivalin e rradhës të kombëtares kuqezi në eliminatoret e Botërorit. Nga porta në sulm, Izraeli ka elementë të rëndësishëm, në cdo repart por jo lojtarë që bëjnë diferencën. Mbrojtja është pika e dobët e përfaqësuses që drejtohet nga Elisha Levy ndërsa sulmi është një nga pikat e forta të kësaj kombëtareje. Në 7 sfidat e fundit përfshirë këtu ndeshjet kualifikuese dhe ato miqësore Izraeli ka pësuar gjithmonë gol madje në shumicën e rasteve më shumë se 1 gol për ndeshje. Edhe një kundërshtar modest si Lihtenshtejni arriti ti shënonte Izraelit dhe nisur nga këto stastika Shqipëria duhet ta sulmojë, skuadrën e Levy sepse nëse e sulmon Izraelit mund ti shënosh pa probleme. Në mbrojtje dy lojtarët më me më shumë peshë që luajnë te kjo përfaqësuese janë Eitan Tibi i Macabbit të Tel Avivit dhe Rami Gershon i Gent-it.

Në eliminatoret e Europianit Francë 2016, Izraeli u pozicionua në vend të 4-t në grupin B, duke u lënë pas nga përfaqësuese të tilla si Belgjika, Uellsi dhe Bosnje Hercegovina. Në 2 vitet e fundit kjo skuadër nuk ka qenë në periudhën e saj më të mirë dhe vështirësi ka hasur edhe në kualifikueset e Botërorit. Edhe pse ka 6 pikë po aq sa Shqipëria në grupin G, Izreali nuk ka bindur në 3 ndeshjet e para. Me Italinë u mposht 3-1 në shtëpi me Maqedoninë fitoi 2-1 në transfertë kjo edhe për faktin se Maqedonia humbi një penallti në fund ndërsa ndaj Lihtenshtejnit triumfoi po 2-1.

Në repartin e mesit të fushës, një nga lojtarët më të njohur të Izraelit është Bibras Natkho, që numëron 42 paraqitje me kombëtaren ndërkohë që luan për skuadrën e Cska së Moskës në Rusi. Cohen i Ingolstadit dhe Buzzaglo i Hapoel Beer Shevas autori i një goli fantastik në sfidën e Europa League ndaj Interit janë dy futbollistë të tjerë me peshë. Sulmi është një nga repartet më të frikshme të kësaj kombëtareje sepse Izraeli përgjithësisht e gjen me lehtësi golin.

Eran Zahavi kapiteni i skuadrës që në të kaluarën bënte rolin e mesfushorit të avancuar është ai që duhet patur më shumë në konsideratë nga prapavija e kombëtares kuqezi. Por përvec Zahait një vëmendje e vecantë u duhet kushtuar edhe Ben Sahar e Tomer Hemed.  Ky i fundit edhe pse luan për Brighton në Championship-in anglez është një sulmues shumë i mirë teksa në 26 ndeshje me përfaqësuen ka realizuar 14 gola, ndërsa Sahar i cili aktivizohet me Hapoel Beer Shevën në 38 ndeshje numëron 6 gola.