Ballina Sport Kosova nuk e mban presionin turk, vjen humbja e tretë në grup

Kosova nuk e mban presionin turk, vjen humbja e tretë në grup

Kosova ka marrë një tjetër humbje në Eliminatoret e Botërorit Rusi 2016, duke u mundur këtë herë nga Turqia. Kombëtarja e drejtuar nga Fatih Terim vetëm brenda 4 minutash ka shuar ëndrrën e Kosovës për të marrë të paktën një pikë nga kjo transfertë e vështirë, duke shënuar dy gola.

Kosova zhvilloi një pjesë të parë të mirë, duke u mbrojtur si duhur, ndërsa në minutën e vetme të shtesës në këtë pjesë pati një mundësi të artë për të shënuar. Rashica u lirua bukur të djathtë të sulmit dhe pasoi një top në zonë për Valon Berishën, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Ndërkohë, vetëm 4 minuta i kanë mjaftuar Turqisë në pjesën e dytë për të ndëshkuar Ujkanin. Ishte Burak Yilmaz i cili iu lirua Rrahmanit brenda në zonë dhe goditja e tij përfundoi në rrjetë. Vetëm 4 minuta më pas, turqit shënojnë sërish, këtë herë me Volkan Sen.

Pas 2 golave të realizuar nga vendasit, Kosova u zhvendos më përpara duke kërkuar golin që do të rihapte takimin. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, lojtarët kosovarë nuk arritën të shënonin edhe në këtë ndeshje, duke marrë humbjen e tretë radhazi dhe pa shënuar gol.

Pas kësaj humbje, Kosova mbetet në vendin e fundit në grupin I me vetëm një pikë. Takimi i radhës për ekipin e drejtuar nga Bunjaki do të jetë më 24 mars ndaj Islandës.