Ballina Lajme Historia tregon se çfarë do të ndodh pas Brexit-it, Putinit dhe Trumpit:...

Historia tregon se çfarë do të ndodh pas Brexit-it, Putinit dhe Trumpit: Lufta është e pashmangshme!

Duket se po futemi në epokat e çmendura, të cilat njerëzit i imponojnë. Për shkak të përvojës sime në arkeologji, jam i prirë të them se perceptimi njerëzor i historisë kufizohet në atë që e thonë prindërit dhe gjyshërit. Nëse shkoni më tej, duhet të lexoni propagandën historike, shkruan Tobias Stone për Huffington Post. Shkrimin e tij Telegrafi ua sjell më poshtë.

Kur e shohim pamjen e plotë, njerëzit dinë të hyjnë në faza të shkatërrimit në masë. Luftërat janë normë për njerëzit. Unë jam i interesuar në “Vdekjen e Zezë” që e shkatërroi Evropën. Beteja në Somë, Hiroshima apo Holokausti nuk mund të krahasohen me të. Për ne është normale që kemi mbijetuar, por për njerëzit që e jetonin atë kohë ishte e paimagjinueshme që të shërohen.

Për njerëzit që mbijetuan “Vdekjen e Zezë”, luftërat botërore, urinë sovjetike, Holokaustin etj. ishte pabesueshme se njerëzimi do të marrë veten ndonjëherë. Në atë kohë gjërat shpejt dilnin jashtë kontrollit dhe përjetohej shkatërrimi në masë. Për historianët e mëvonshëm gjithçka kishte kuptim, ndaj tregonin se si gjërat u zhvilluan. Por, para Luftës së Parë Botërore, me siguri askush nuk mendonte se vrasja e një anëtari të fisnikërisë evropiane do të çonte në vdekjen e 17 milionë njerëzve.

Ky është cikël, por njerëzit kanë perspektivë të ngushtë të mos shohin se gjithçka po përsëritet. Njerëzit të cilët para Luftës së Parë Botërore paralajmëronin se marrëveshjet e atëhershme do të çojnë në një luftë të madhe, u shpallën histerikë e të çmendur, si sot ata që shqetësohen për Putnin, Brexit-in dhe Trumpin. Kështu, pas “luftës që i dha fund të gjitha luftërave”, nisi një tjetër. Historianët prapë e dinin pse. Populli ndjente se nuk ka kontroll ndaj shtetit, ndaj nisën gjahun për një kokë turku. E, lideri karizmatik i magjepsi masat dhe e ndau kurbanin. Atëherë u rrit zemërimi dhe urrejtja. Masat lëvizën si një, e tërësia u bë e pandalshme.

Ky ishte Hitleri, por edhe Mussolini, Stalini, Putini, Mugabe e shumë të tjerë. Duket e paimagjinueshme se mund të krijojmë situatën ku dhjetëra miliona njerëz vdesin, dhe këtë e bëjmë sërish, sërish, sërish… Cikli po përsëritët, por shumica nuk po e kuptojnë, sepse: shohin vetëm tek e tashmja; e shohin rrethin e afërt e jo lidhjet globale; nuk lexojnë, nuk mendojnë e nuk i dëgjojnë pikëpamjet e kundërta në botë!

Trumpi po e bën këtë në Amerikë. Ai është narcis karizmatik që me ndihmën e audiencës po forcohet e po e krijon kultin e personalitetit. Nëse e shohim pamjen e plotë, Rusia është diktaturë e udhëhequr po ashtu nga lideri karizmatik i cili veç e krijoi kultin tij të personalitetit. Këtu është edhe Turqia. Hungaria, Polonia dhe Sllovakia po shkojnë në këtë drejtim, ndërsa pjesa tjetër e Evropës po e pret Trumpët dhe Putinët e vegjël.

Duhet të pyesim veten se cila është këmbëza që do ta nis ortekun? Në mënyrë të izoluar po e vëzhgojmë Putinin, Trumpin dhe Brexit-in. Por, gjithçka është e lidhur, ndaj nuk mund t’i shohim ndaras, transmeton Telegrafi. Brexit-i mund të inkurajojë grupet tjera për të nisur një lëvizje të ngjashme, të bindur se do të fitojnë. Kjo mund të nxisë një reaksion zinxhiri. Për shembull, mund të ndodhë, që: italianët apo francezët të mbajnë referendum të ngjashëm. Kështu, Evropa tash është shtëpi e BE-së së thyer.

BE-ja, pavarësisht nga të gjitha gabimet, megjithatë i ndali ambiciet ushtarake të Putinit. Sanksionet e kanë goditur ekonominë ruse, për të ngadalësuar sulmet ndaj Ukrainës. Por, tash që Trumpi fitoi në Shtetet e Bashkuara dhe bëhet izolacionist, kjo e dobëson NATO-n. Putini ka nevojë për një cak të jashtëm, rreth të cilit do ta mbledh popullin. Ai mund të financojë kryengritjen e rusëve në Letoni dhe në Lituani e të dërgojë atje “paqeruajtësit”, siç bëri në Ukrainë. Pastaj, ia shton Letoninë lindore Rusisë. Kjo kërkon sanksione ose përgjigje ushtarake. NATO është e ngadalshme, Evropa indiferente. Pa asnjë rezistencë, rusët nga Letonia shkojnë në Estoni dhe në Lituaninë lindore. Shtetet Baltike i shpallin luftë Rusisë. Gjysma e Evropës është me ta, të tjerët me rusët. Si do të reagojë Turqia? Si do të përgjigjet ISIS-i ndaj luftës në Evropë? Kush do të jetë i pari për të përdorur armën bërthamore?

Ky është vetëm një nga skenarët, e numri i tyre është i pafund, për shkak të kompleksitetit të situatës. Të gjitha të dhënat historike tregojnë se një nga këta skenarë është i pashmangshëm. Nuk do ta parashikojmë e as nuk do të jemi në gjendje ta ndalim. Historianët e së ardhmes do ta pyesin veten se si ishim kaq naivë. Është e lehtë që ekspertët të thirren pesimistë dhe të injorohen. Por, kjo është si ta injorosh një mjek që ju thotë ta ndalni pirjen e duhanit, e pastaj ta kuptoni se keni kancer!

Po e ndjej se çdo gjë është e pashmangshme. S’e di saktësisht se çfarë do të bëhet, por po hyjmë në një fazë të keqe. Do të jetë e pakëndshme për ata që do ta përjetojnë, e ndoshta do të jetë edhe e paimagjinueshme. Por, njerëzit do ta kalojnë edhe këtë, e ndoshta do të jenë edhe më të fortë shkaku i kësaj. Por, për ata që do të jenë në anën e gabuar, kjo do të jetë Beteja e tyre në Somë.

E, çfarë mund të bëjmë?

Jo shumë. Intelektualët liberalë janë ende pakicë. Njerëzit që mendojnë se jeta më e mirë është në shoqëritë e hapura, pa luftëra, pa racizëm dhe pa sjellje të keqe ndaj njerëzve tjerë, zakonisht i humbasin këto luftëra. Nuk luftojnë pistë. Janë më pak të dhunshme e përfundojnë në kampe, në burgje dhe në varre. Duhet të jemi të kujdesshëm e të mos përçahemi dhe të kundërshtojmë mesazhet populiste me mesazhet tona. Duhet t’i kuptojmë dhe t’i përdorim rrjetet sociale. Duhet t’i gjejmë mënyrat që grupet e mbyllura t’i lidhim me grupet tjera të mbyllura.

Apo, unë ndoshta po shkruaj që historia të më kujtojë si dikën që i ka parashikuar gjërat? /Telegrafi/