Ballina Kronika Hajduti pendohet pas publikimit të pamjeve, i kthen lekët shitëses

Hajduti pendohet pas publikimit të pamjeve, i kthen lekët shitëses

Dy ditë pas publikimit nga “Tvklan.al” të pamjeve nga kamerat e sigurisë, të një vjedhjeje të ndodhur në një dyqan në zonën e ish-Bllokut, prindërit e autorit kanë kthyer paratë dhe disa prej sendeve, që ndodheshin në portofolin e shitëses.

Pasi kanë parë pamjet e publikuara të shpërndara në rrjetet sociale, prindërit e autorit, një 28-vjeçar me banim në Durrës kanë vajtur në dyqan te shitësja e dëmtuar dhe fillimisht kanë kërkuar falje për ngjarjen dhe më pas kanë premtuar kthimin e sendeve të vjedhura.

Pak orë më vonë, vëllai i autorit së bashku me prindërit kanë kthyer paratë, por jo dokumentet dhe portofolin, të cilat 28-vjeçari i kishte hedhur poshtë një ure. Për mungesën e tyre ata kanë dëmshpërblyer financiarisht shitësen me para të tjera.

Të vetmen kërkesë që kanë shfaqur është që çështja të mos ndiqet më penalisht nga shitësja.

Nga të dhënat e siguruara rezulton se 28-vjeçari, në vitin 2012 është dënuar me 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, pasi në një dyqan në qytetin bregdetar kishte arritur të vidhte një kompjuter.