Ballina Lajme Donald Trump, miliarderi që theu traditat

Donald Trump, miliarderi që theu traditat

Shumë kohë përpara se të bëhej kandidat presidencial, Donald Trump ishte miliarderi më i famshëm dhe interesant në Amerikë. Dikur i konsideruar një bast i vështirë, ai është tani vetëm pak orë larg ëndrrës për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Me temperamentin shpërthyes, hiperbolat dhe zotërimin në mjeshtëri të medias, Trump përmbysi traditat demokratike amerikane në përpjekjen 17 mujore për të përmbushur ambicien e tij.

Pasi u bë pjesë e garës presidenciale republikane në 16 qershor të 2015-s, manjati i pasurive të paluajtshme arriti të ishte njëkohësisht karizmatik dhe luftarak, elitar e populist, i pahijshëm dhe i devotshëm duke injektuar një dozë të madhe përçarje e zemërimi mes votuesve amerikanë. Për Trump-in ishte hera e parë që kandidonte për një post publik dhe ai e quajti këtë një lëvizje, e jo një fushatë.

70-vjeçarit i mjaftuan pak më shume se 10 muaj për të mposhtur 16 kandidatët e tjerë dhe të fitonte nominimin republikan, por duke e bërë këtë ai krijoi një çarje të thellë në parti.

Më pas nisi betejën kundër 69-vjeçares Hillary Clinton, në një garë të shënjuar nga polemikat, ndër të tjera për probleme me stafin, për akuzat e ngacmimeve seksuale ndaj grave dhe për pretendimet e paprecedenta të tij se media po manipulonte me zgjedhjet në dëm të republikanit.

Ai shokoi opinionin kur tha se mund të mos e pranonte rezultatin e zgjedhjeve nëse do të humbiste duke sfiduar kështu traditën amerikane të tranzicionit paqësor të qeverisë. Tha se nëse do të zgjidhej do të hetonte Clinton-in për përdorimin e serverit privat, duke u zotuar ta çonte në burg atë.

Fushata e miliarderit mori një kthesë skandaloze në fillim të muajit tetor kur u publikua një video e 2005-s në të cilën Trump, i pavetëdijshëm që po regjistrohej, i tha një prezantuesi televiziv se kishte dëshirë t’i puthte gratë pa miratimin e tyre dhe se duke qenë i famshëm mund të bënte ç’të donte me to.

Biznesmeni kërkoi ndjesë për komentet dhe mohoi me vendosmëri pretendimet e të paktën 10 grave që e akuzuan  për veprime të pahijshme ndaj tyre. Gjatë fushatës elektorale e veçanërisht në fjalimin e tij gjatë konventës republikane në muajin korrik ai e përshkroi Smerikën si një vend të errët që ishte gjunjëzuar nga Kina, Meksika, Rusia dhe ISIS.

“Ëndrra amerikane ka vdekur nga interesat dashakeqase të biznesit dhe politikaneve të korruptuar’, do të ishte komenti i tij. Ai ofroi plane për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të Amerikës për të mbajtur larg emigrantët e paligjshëm, e për të detyruar Meksikën të paguajë për të.

Rritja e figurës së Trump, dikur një demokrat i regjistruar, kërcënoi të përçante seriozisht Partinë Republikane. Establishmenti nuk i kurseu kritikat dhe u organizua kundër tij.

Figura të rëndësishme të republikanëve, përfshire 2 ish-presidentët Bush dhe lider të Kongresit refuzuan të mbeshtesnin atë, ose i ofruan përkrahje të vakët.

Trumpi përdori Twiter-in si armë, duke lëshuar fyerje dhe tallje për ata që e ofendonin. Deri në fund të tetorit, manjati i pasurive të paluajtshme kishte sharë plot 282 persona ose grupime që prej shpalljes së kandidaturës së tij, siç raportoi “New York Times”.

Donald Trump është fëmija e 4-rt i manjatit nju jorkez të pasurive të paluajtshme, Fred Trump. Pavarësisht pasurisë familjare ai e nisi punën nga hallkat më të ulëta në kompaninë e të atit e u dërgua në një akademi ushtarake në moshën 13-vjeçare ku u bë problem për sjellje të keqe.

Ndoqi studimet në Universitetin e Pensilvanisë dhe u bë favorit për të pasuar të atin, pasi vëllai më i madh Fred, zgjodhi të bëhej pilot. I ati, Fred Trump humbi jetën në moshën 43-vjeçare për shkak të problemeve me alkoolin e pikërisht për këtë arsye Donald do të zgjidhte t’i shmangej alkoolit e cigareve përgjatë gjithë jetës.

Trump e zgjeroi biznesin familjar nga blloqet rezidenciale në Bruklin e Kuins në projekte luksoze në Manhatan, duke transformuar hotelin e rrënuar të Commodore në Grand Hyatt e duke ngritur më të famshmen e pronave Trump, kullën 68 kateshe “Trump Tower” në bulevardin e 5-të.

Prona të tjera që mbajnë emrin e famshëm janë: “Trump Place”, “Trump World Tower”, “Trump International Hotel”, etj. Vulën e tij e ka lënë edhe në Mumbai, Stamboll e Filipine.  70-vjeçari ndërtoi gjithashtu hotele e kazino, një degë e biznesit që e çoi drejt falimentimit në 4 raste.

Por republikani nuk u mjaftua me kaq, krijoi edhe një perandori në fushën e argëtimit. Nga 1996 deri në 2015-n ishte pronar i konkurseve Miss Universi, e Miss Amerika. Në 2003 debutoi në programin reality show “The Apprentice”, ku garuesit konkurruan për një vend pune në organizatën e Trump.

Ka qenë i martuar tre herë, edhe pse më e famshmja ishte gruaja e tij e parë, Ivana Zelnickova, atlete dhe modele çeke. Çifti lindi tre fëmijë Donald Jr, Ivanka dhe Eric para se te divorcesh në 1990. Beteja e gjatë gjyqësore pushtoi faqet e para të tabloideve në atë kohë dhe mes pretendimeve më të bujshme ishin ato per abuzime ndaj Ivanës.

Në 1993 u martua me Marta Naples dhe u bënë prindër të një vajze me emrin Tifani. Lidhja e tyre do të merrte fund në 1999-n.

Gruaja e tij e tretë dhe fundit është Melania, një modele sllovene me të cilën lidhi kurorë në vitin 2005. Së bashku kanë një djalë, Barron William Trump.

Fëmijët nga martesa e parë ndihmojnë në drejtimin e organizatës Trump, edhe pse ai vazhdon të jetë kreu ekzekutiv.