Ballina Bota Beteja për Mosulin, trupat irakiane hyjnë në qytet

Beteja për Mosulin, trupat irakiane hyjnë në qytet

SHPËRNDAJE

Forcat irakiane hynë për herë të parë në periferinë lindore të Mosulit, si pjesë e ofensivës për dëbimin e militantëve nga qyteti verior i Irakut. E megjithatë korrespondentet e huaj në zonë thonë se trupat po përballen me një rezistencë të fortë.

Xhihadistët u kanë drejtuar antitanket e zjarrin e armë të vogla. Kryeministri irakian Haidar Al Abdadi u bëri thirrje militantëve të fshehur në Mosul, të dorëzohen ose të vdesin.

Duke folur nga baza ajrore e Qayyarah në jug të qytetit, Abadi deklaroi se forcat qeveritare po avanconin nga të gjitha cepat dhe se do t’ja prisnin kokën gjarpërit, siç u shpreh.

Rreth 50 mijë ushtarë irakiane, luftëtarë kurdë peshmerga, trupa fisnore sunite e milicë shiitë janë të përfshirë në ofensivën për çlirimin e bastionit të fundit madhor të Shtetit Islamik në vend.

Përpara se operacioni të fillonte në 17 tetor, besohej se në Mosul kishin mbetur nga 3 mijë deri në 5 mijë xhihadistë, bashkë me 1.5 milionë civilë.

Militantët janë përpjekur të përzihen me qytetarët që t’u shpëtojnë sulmeve ajrore të forcave të koalicionit të drejtuar nga Amerika, e në shumë raste i kanë përdorur ato si mburoja. Më shumë se 17.900 banorë janë larguar deri më tani nga Mosuli, sipas OKB që paralajmëron se të paktën 700 mijë të tjerë do të ndjekin shembullin e tyre.