Ballina Bota Beteja për Mosulin, trupat irakiane futen në lagjen “Intisar” (VIDEO)

Beteja për Mosulin, trupat irakiane futen në lagjen “Intisar” (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Forcat irakiane kanë hyrë për të parën herë, në më shumë se dy vite, në Mosulin e kontrolluar nga ISIS-i, e janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët e Shtetit Islamik.

Burime nga Ministria irakiane e Mbrojtjes i thanë CNN-it se, njësitë e divizionit të 9 kanë mësyrë lagjen lindore “Intisar”. Depërtimi atje shihet si zhvillimi më i rëndësishëm i ofensivës së nisur dy javë më parë për çlirimin e qytetit të dytë më të madh të vendit nga sundimi brutal i ISIS-it.

Një pjesë e banorëve, megjithatë, thonë se përsa kohë militantët vazhdojnë ta kontrollojnë kryeqendrën e provincës, mund të mos ketë siguri. Popullsia civile është bllokuar në zonat e luftimeve, ndërsa trupat ushtarake po luftojnë nëpër rrugë me ithtarët e grupit ekstremist.

Ky i fundit nxori më herët një kasetë audio, e regjistruar sipas tij nga kreu i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, ku mbështetësit e ISIS-it nxiteshin të mos braktisnin pozicionet e tyre gjatë avancimit të forcave qeveritare. Regjistrimi nuk është verifikuar ende, por analistët besojnë se mund të jetë autentik.