Ballina Lajme BANORËT E BËRNJANCËS ME KUSHTE MESJETARE

BANORËT E BËRNJANCËS ME KUSHTE MESJETARE

“Ky fshat duket të jetë me dy fytyra. Pjesën e parë që e patë ishte e tëra e asfaltuar. Është fillimi i fshatit dhe vjen deri në këtë pikë këtu. Prej kësaj pike vazhdohet në pjesën ku kryesisht jetojnë shqiptarët dhe siç mund të shihet e tëra është e përbaltur dhe as nuk ka iniciativë për ta asfaltuar sikur pjesën tjetër”

Duke parë këtë gjendje banorët ndjehen të lënë pas dore nga pushtetarët shqiptar që thonë se i kanë lënë të jetojnë në kushte mesjetare pa ujë, rrugë e transport.

“Prej aty e këndej as nuk e kanë shtruar, e as nuk i kanë larguar edhe ata gurë që i sollën vërshimet. Ne kemi dalë vetë me fqinjët dhe me këta djemtë dhe e kemi pastruar. E kemi rrafshuar me duar sa për të dalë makinat, me shkuar dikund ta dërgojmë diku ndonjë të sëmurë sepse kemi të sëmurë këtu. Aq pra sa kemi mundur vetë të punojmë. Edhe ju ekeni parë se si keni arritur të hyni këndej. Jemi 6,7 shtëpi, dy familje me afro 100 banorë dhe të gjithë në kushte të vështira”, deklaroi një banor i fshatit Bërnjanc.

“Kur vjen koha e votave, secili vjen dhe naj hapë derën. Rrugën e keni parë vetë. Ne kemi njerëz të sëmurë, të paralizuar, askush nuk vjen të na shohë. Shko te Brahimi thotë shko në Gazi Babë, shko në Gazi Babë thonë shkoni te Brahimi”, tha një banor tjetër.

“Fëmijët tanë kur shkojnë në shkollë shkojnë me baltë. Arsimtarët kur i shohin ashtu fëmijët i maltretojnë, përse po vini kështu me baltë. Askush nuk interesohet. Komuna e Haraçinës nuk ka ndihmon asgjë, as e Gazi Babës”, deklaroi një banor tjetër i Bërnjancit.

“Kur na thirrin për votime vinë me makina na thirrin hajdeni lartë. Me premtime e hapin rrugën, kur është koha e zgjedhjeve por kur kalon koha e zgjedhjeve as që na njohin se kush je ose kush ke qenë”, tha një banor.

Banorët e Bërnjacës deri para vërshimeve kishin jetuar kryesisht nga kafshët që i ruanin dhe të mbjellat, por pas vërshimeve shkatërruese kanë ngelë pa thuajse asgjë. Ende nuk i kanë marrë as kompensimet e dëmeve që i kanë pësuar. Bërnajcën dhe gjeneratat e reja të sajë i  lamë me shpresë se një ditë nuk do të vrasin mendjen për baltën në këpucë por për mësimet dhe suksesin që duhet ta arrijnë në shkollë.

Ferikan Iljazi /SHENJA/

Loading...