Ballina Opinione Ballkani dhe shqiptarët pas zgjedhjeve në SHBA

Ballkani dhe shqiptarët pas zgjedhjeve në SHBA

EDITH HARXHI*

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilluan para disa ditësh zgjedhjet e tyre më historike, që pas zgjedhjes së Presidentit Lincoln. E veçanta e këtyre zgjedhjeve nuk ishte vetëm fushata e egër dhe aq e dominuar nga personalitetet, si dhe sulmet personale, të cilat u hiperbolizuan edhe më shumë nga media amerikane dhe ndërkombëtare, e cila kalon ndoshta periudhën më të vështirë të saj në shumë dekada, por edhe për arsye të dy figura kontroverse kandidatë për Presidentë të SHBAsë.

Fitorja e Donald Trump si President i 45- të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shihet tanimë, pasi janë bërë analizat e para të sjelljes së elektoratit amerikan, si një votë proteste ndaj establishmentit dhe rendit aktual amerikan, por edhe si një votë ndryshimi. Zgjedhja e dyshes Trump-Pence është jo vetëm zgjedhje nga vota e heshtur që theu çdo parashikim dhe sondazh nga axhensitë më të sprovuara të botës, por edhe një protestë e fortë që u bëhet liberalëve (të majtës), e cila gjithsesi qëndron më në qendër në aspektin ideologjik dhe në filozofinë e vet politike në SHBA në krahasim me të majtën europiane.

U duk se e majta dhe shkolla liberale kish fituar revolucionin kulturor pas rënies së perdes së hekurt në 1989, por mungesa e diskursit politik, largimi nga autenticiteti/origjinaliteti dhe dialogu i thjeshtë me popullin, zhvendosja e programeve dhe planeve politike, ekonomike drejt elitave dhe jo drejt popullit taksapagues, largimi i elitave politike nga qendra, e cila në këtë rast është përsëri populli, humbja e tradicionales dhe veshja e saj me petkun e modernes duke mohuar disa vlera të vërteta të zhvillimit njerëzor dhe shoqëror dhe duke linçuar çdokënd që mund të dilte kundër këtyre zhvillimeve avantgard të shoqërisë.

***

Fitorja e Trump më shumë se një fitore republikane, konservatore, pra e djathtë, është një fitore që erdhi si pasojë e dëshirës së popullit të thjeshtë për ndryshim, ndërsa elementi Mike Pence i jep kësaj fitoreje plotësisht elementin konservator–republikan dhe vendosja e zëvendëspresidentit Pence në krye të tranzicionit ndërmjet dy administratave përbën edhe nyjën lidhëse midis administratës Trump dhe Partisë Republikane, Kongresit, Senatit, Institucioneve të tjera ligjvënëse dhe ligjzbatuese dhe në fund politikës së jashtme amerikane me një platformë të djathtë.

Anglosaksonët kanë qenë gjithmonë, në njëfarë mënyre është dominuar nga fuqia e anglosaksonëve pararojë e ndryshimeve botërore, sepse edhe rendi botëror, të cilët si në shekullin e 19-të, kur Britania ishte kthyer qendër e zhvillimit botëror, në shekullin e 20- të, qendra u zhvendos drejt SHBA-së. Ajo çfarë e bën më interesante situatën aktuale postzgjedhore në SHBA është, jo vetëm analiza e thellë dhe në detaje e fitores së Donald Trump dhe republikanëve që do të dominojnë gjithë institucionet qendrore ligjvënëse dhe vendimmarrëse në SHBA, por edhe një parashikim i ndikimit të zgjedhjeve amerikane në botë. E parë nga këndvështrimi i një të huaji “quote outsider”, dhe duke e nisur analizën me situatën aktuale botërore, gjatë viteve të fundit vihet re një lodhje nga rendi aktual botëror.

27 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, i cili solli edhe rendin e ri botëror dhe u zhvendosëm nga një situatë globale bipolare në një shumëpolare, bota duket sikur është lodhur nga kjo situatë ku mungesa e një balance të fortë të fuqive dhe mungesa e një roli qendror në zhvillime botërore të supremacisë amerikane ka sjellë pështjellime dhe rreziqe në të gjithë botën. Liberalizmi duket se ka shterur së prodhuari më tepër kulturë demokratike dhe ka nisur largimin nga boshti i demokracive tradicionale ku shtetformimi, shtetndërtimi, sovraniteti, liritë dhe të drejtat e njeriut, ekonomitë funksionale dhe shoqëria vetë ka nisur një lloj hibridizimi dhe në disa shtete të vogla, të pafuqishme dhe që kalojnë ende tranzicione postkomuniste apo postdiktatoriale, që përkthehet në demokraci të deformuara.

Ruajtja e balancës së fuqive është e rëndësishme për një rend botëror të paqshëm, pasi çdo deformim i kësaj balance do të sillte probleme në stabilitetin botëror që ndikon drejtpërdrejt apo jo të drejtpërdrejtë në çdo shtet, sado i madh dhe i vogël të jetë ai. Pikërisht platforma e politikës së jashtme që pritet të aktivizohet nga Presidenti i sapozgjedhur pavarësisht sa e anatemuar dhe kontroverse mund të jetë shfaqur në fillim, kur është përzier me retorikën parazgjedhore dhe zgjedhore në SHBA, e amplifikuar kjo edhe nga media mainstream dhe lobe të caktuara politikoekonomike, mund të sjellë një rend botëror ku fuqitë e mëdha të balancohen dhe ku epiqendra e politikës botërore përsëri të ketë një zhvendosje drejt SHBA dhe aleatëve të saj europianë.

Ajo çfarë pritet të shohim në muajt apo vitet e ardhshme është një ndryshim në zbatimin e parimeve të politikës së jashtme amerikane, pavarësisht se parimet e saj janë shtylla të forta të vendosura që prej krijimit të SHBA-ve, shtylla që nuk ndryshojnë, sepse kanë të bëjnë me interesin kombëtar amerikan, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me një situatë të paqes në botë, ku askush nuk mund të dalë nga kornizat e rendit botëror dhe për këdo do të ketë vija të kuqe, të cilat do të ravijëzohen jo nga forca, por nga arsyeja dhe negociata.

***

Qetësimi i marrëdhënieve me Rusinë duke rinisur dialogun dhe duke rivendosur vijat e kuqe nëpërmjet negociatave, do të jetë një nga pikat më kyçe të politikës së jashtme të Administratës Trump. SHBA nuk ka nevojë të tregojë dhëmbët, por synon vetëm rijetësimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare, duke ndryshuar pak pozicionin e saj në lidhje me ekuilibrat e fuqive të mëdha.

Kjo do ta bënte të mundshme zmbrapsjen ruse në kufijtë e Europës dhe çdo lloj ndërhyrjeje tjetër që mund të shkaktojë tërmet dhe të disbalancojë rendin botëror. Situata alarmante në Siri ku tashmë 450.000 (katërqind e pesëdhjetë mijë civilë të pafajshëm) kanë vdekur si pasojë e konfliktit, ku afërsisht 6 milionë banorë janë zhvendosur nga Siria, ku vetëm në Aleppo janë nën rrethim sot 200.000 banorë, do të duhet të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së re Amerikane ku nuk mendohet ndërhyrja ushtarake, por një rinegocim i marrëveshjes së armëpushimit dhe ndoshta një marrëveshje e re paqeje me Rusinë, brenda së cilës bën pjesë në mënyrë indirekte dhe Asadi vetë.

Përbërja multietnike, multifetare, gjeografia e lidhur me burimet natyrore dhe rrugëkalimet historike të tregtisë Azi-Europë dhe energjisë, duke përfshirë naftën dhe gazin, e bëjnë Sirinë, situatën e saj më problematike në botë sot dhe lëkundin rendin botëror me balancat e tij. Situata në Mosul dhe lufta ndaj ISIS do të jetë prioritet parësor për Administratën e re të Donald Trump dhe Mike Pence, duke pasur parasysh luftimet e fundit në Mosul dhe Raqqa (kryeqyteti i ISIS). Mosuli mbetet një nga epiqendrat gjeopolitike, por edhe pika ku ndërthuren interesat Shia-Sunni, si dhe ekonomike, duke pasur parasysh burimet e naftës së bashku me ato në Erbil (Irakun e Veriut).

Situata në Mosul do të zgjidhet duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet e Turqisë me aksin në Lindjen e Mesme dhe çështjen kurde. Stabiliteti dhe sovraniteti i Turqisë do të vazhdojnë të mbeten çështje të rëndësishme në politikën e jashtme amerikane, së bashku me ndoshta një rinegocim të mundshëm të marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore me Iranin. Ukraina dhe Krimea do të kenë vëmendje të posaçme, por do të kërkohet zgjidhje brenda kuadrit të negociatave për një zgjidhje globale, duke ndaluar Rusinë në mënyrë të butë të avancojë në Detin e Veriut dhe në kufirin Baltik të Europës, si dhe duke i prerë rrugën çdo lloj skenari të mundshëm të penetrimit të saj në Ballkan, nëpërmjet satelitëve të saj historikë, por në këto vite edhe ekonomik (duke qenë se Rusia ka rritur influencën e saj ekonomike, nëpërmjet investimeve direkte dhe jodirekte dhe nëpërmjet oligarkisë së re në të gjitha shtetet e Ballkanit).

Marrëdhëniet me Kinën dhe Indinë do të shohin ndoshta marrëveshje të reja dhe duket që administrata e re amerikane do të punojë për negociata të reja për marrëveshjet e tregtisë së lirë me Kinën dhe do të këmbëngulë në një afrim më të madh me Indinë, që sot krijon edhe balancën e fuqive në Azinë e poshtme. Gjithsesi situata e krijuar në Korenë e Veriut me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore, mund të trajtohen nga brenda Koresë së Veriut, duke u munduar të ofrohen alternativa për të përshpejtuar rënien e regjimit diktatorial të Kim Jong–ut.

***

Administrata e re do të vazhdojë bashkëpunimin e fortë me aleatin e saj kryesor BE dhe tashmë me shumë mundësi do të shohim edhe një rijetëzim të aleancës SHBA-Britani e Madhe. BREXIT ishte fillimi i ndryshimit të madh botëror dhe kjo për SHBA-në e Administratës Trump përbën aleatin kryesor në këtë riformatim të politikës së jashtme amerikane. BE, e cila duket se po kalon një BREXIT të heshtur brenda vetes, do të gjejë në Administratën e re Amerikane aleatin e saj më të fortë, që do ta ndihmojë në rimëkëmbjen e saj politike dhe ekonomike.

Marrëdhëniet midis dy aleatëve historikë SHBA-BE do të ridimensionohen edhe më tepër pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vendet më kyçe dhe nismëtare të BE-së, ku jo domosdoshmërisht efekti Trump do të transmetohet edhe në këto vende, por mund t’i bëjë administratat dhe elitat politike të këtyre vendeve më të ndjeshme ndaj kërkesave të kohës dhe elektorateve, ku populizmi dhe diskursi politik i thjeshtë e i ndërtuar mbi nevojat dhe kërkesat e kohës, do të duhet të jetë primar për disa nga vendet anëtare më të rëndësishme në BE. NATO mbetet fuqia dhe arma më e fortë në të cilën SHBA e Z. Trump do të punojë fort duke u munduar ta forcojnë më tepër nëpërmjet masave konkrete, duke filluar nga rishikimi i burimeve financiare dhe forcimi i mbështetjes së vendeve anëtare, jo vetëm nëpërmjet mekanizmit financiar që në fund të fundit çon te një aleancë më të fortë dhe më të përgatitur ushtarakisht.

Ndoshta këtu mund të shohim edhe një forcim të rolit të NATO-s nëpërmjet mekanizmit të ndryshimit të brendshëm në të cilin NATO nuk do të shërbejë si polici i botës, por si forca ruajtëse e stabilitetit botëror. Mund të shohim një spostim nga organizatat ndërkombëtare, ose më pak vëmendje ndaj OKB-së, ku nuk shkon larg mendjes edhe një ridimensionim i rolit dhe funksionimit të OKB-së, sidomos në këtë fazë të re të rendit botëror ku OKB-ja nuk do të shikohet vetëm si organizatë bamirëse dhe ndihmash humanitare. Ky riorganizim dhe vizion i ri i OKB-së mund të shihet edhe si një fillim i ri për Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OKB-së, i cili kishte mbështetjen e plotë të SHBA-ve. Nëse ish-Ambasadori Amerikan në OKB, diplomati John Bolton do të jetë figurë kyçe në administratën e re të Presidentit Trump, rishikimi dhe riorganizimi i OKB-së do të jetë një domosdoshmëri që do të vijë nga brenda sistemit.

Ballkani Perëndimor, edhe pse përballë sfidave të mëdha dhe tranzicionit të tejzgjatur nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të reja në një situatë, 17 vjet pas konfliktit të fundit që përballi NATO-n me Rusinë, dhe pse jo, në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të vazhdojë të mbetet në vëmendjen e SHBA-ve. Ajo çfarë do të ketë parasysh administrata e re amerikane është se, 17 vjet pas përfundimit të konfliktit të fundit në Ballkan dhe 27 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Ballkani po prodhon stabilitet dhe qëndrueshmëri dhe lindja e shtetit të ri të Kosovës dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kanë sjellë një relaksim dhe stabilitet në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndëretnike në Ballkan, duke siguruar kështu një lloj balance të faktorëve. Balancë kjo në një rajon ku faktori shqiptar mbetet determinues, jo vetëm për arsye gjeopolitike dhe historike, por edhe për arsye të aleancës historike, politike dhe shpirtërore që shqiptarët kanë më së shumti nga çdo popull tjetër në rajon me SHBA-të.

Pra, SHBA-të nuk janë vetëm partner strategjik për shqiptarët, por aleat historik, politik dhe shpirtëror për ta. Pikërisht duke parë një lloj zbehjeje të politikës amerikane në Ballkan gjatë viteve të fundit, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aktualisht anëtarësimi i Malit të Zi në NATO përbën lajmin më të mirë për stabilitetin në Ballkan dhe rikthimin e vëmendjes amerikane. Nëse SHBAtë nuk do të ndërhyjnë menjëherë të shpëtojnë, rivlerësojnë, ribëjnë apo përmirësojnë në kushtet e reja të marrëdhënieve ndëretnike në rajon, dy Marrëveshjet kyçe që ruajnë stabilitetin e brishtë në rajonin tonë, Marrëveshjen e Daytonit dhe Ohrit, atëherë siguria e rajonit mund të jetë në pikëpyetje.

Bosnja, Kosova dhe Maqedonia vazhdojnë të mbeten pika kyçe që kanë nevojë për vëmendje të madhe dhe zgjidhje të shpejta, duke rritur angazhimin e Kosovës në NATO dhe duke larguar çdo dilemë të Rusisë nga Republika Srpska apo nga destabilizimi i Maqedonisë. Kjo vëmendje e SHBA-ve duhet të vazhdojë fort edhe në parametra të tjerë, sepse krijimi i një ambienti të sigurt në Ballkan, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka ndikuar në moskrijimin e demokracive të forta.

Pikërisht ne jemi ndër më kryesorët që vitet e fundit kemi prodhuar demokraci hibride dhe të deformuara, me korrupsion galopant, i cili është kthyer në kulturë dhe modë, me qeveri autokratike dhe të drejtuara nga oligarkitë, si dhe kapja e pushteteve duke përfshirë mediat dhe gjyqësorin, të gjitha këto duke ushqyer edhe futjen e aktorëve të tjerë politikë joshtetërorë (si ekstremizmi dhe përkrahja ndaj grupeve ekstremiste apo dhe lobeve politiko-ekonomike-filantropike). Këto mund të pështjellojnë shumë shpejt situatën e sigurisë në rajon, duke destabilizuar rendin e brishtë dhe të ndërtuar me aq mund nga vetë SHBA dhe BE.

***

Së fundi, zgjedhjet në SHBA dhe fitorja e Presidentit të sapozgjedhur Trump nuk ndryshon aspak mbështetjen e SHBA ndaj shqiptarëve dhe as mbështetjen dhe aleancën e fortë shqiptaro- amerikane. Përkundrazi, ato e zhvillojnë dhe forcojnë edhe më tej këtë aleancë, e cila, më së paku, preket nga deklarata diletante kryeministrash kalimtarë. Ajo çfarë ndodh më tej është në dorën e popujve si ky yni, të cilët duhet të dinë të shtyjnë më tej kërkesën për ndryshim, të votojnë ndryshimin, duke luftuar në radhë të parë ndaj stanjacionit politik, tranzicionit të tejzgjatur, kriminalizimit të shoqërisë dhe duke kërkuar rrotacion politik, si dhe futjen në lojë të elitave të reja politike (në formë, program dhe principe), duke u bazuar në vlerat e vërteta të Lirisë dhe Demokracisë dhe ofertave politike e ekonomike që luftojnë shpërbërjen e shtetit nga korrupsioni, krimi, kaosi dhe kapja e pushteteve.

*Drejtore Ekzekutive e Albanian Policy Centre