‘Azem Syla, Xhavit Haliti e Ali Ahmeti fajtorë për vrasjen e Zahir...

‘Azem Syla, Xhavit Haliti e Ali Ahmeti fajtorë për vrasjen e Zahir Pajazitit’ (Intervista e plotë)

ALI AHMETI, QË PO MA MBRON BACI IBRAHIM KELMENDI, SIKUR TË ISHTE ME KOKË TË SHËNDOSHË  NUK DO TA DËRGONTE NAITIN, E SAPO DAL NGA BURGU TEK NE. ALI AHMETI ËSHTË NJERIU I PARË PËRGJEGJËS PËR VRASJEN E ZAHIRIT, EDMONDIT DHE HAKIFIT . PO ASHTU EDHE PËR SHKATËRRIMIN E TËRË PIRAMIDËS SË NDËRTUAR GJATË 6 VITEVE. PRA SHKATËRROI TËRË SISTEMIN KOMANDUES TË GUERILES. VRAU 6 PERSONA DHE BURGOSI 21 TË TJERË

 

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Hasan Zeneli, ndërsa ka hedhur dritë, mbi vrasjen  e Zahir Pajazitit, ka folur dhe mbi rolet që kanë luajtur në lidhje me UÇK –në,  Azem Syla, Xhavit Haliti, Nait Hasani dhe Ali Ahmeti.

“Mendoj dhe është kështu siç po ju them unë sepse :Azem Syla, ishte bosi i Xhavit Halitit e Ali Ahmetit dhe i të gjithë tjerëve që bënin pjesë në këtë të ashtuquajtur “Sektori i veçantë”. Pas mbledhjes që mbajtëm në fshatin Ballaban vendosëm që këtyre njerëzve t’ua stopojmë rrugën drejt celulave tona të Gueriles. Me arsyen se nuk njiheshim me ta dhe as që do të duhej të njihemi. Kur flas këtë, e argumentojë me faktin se ne, në vitin 1995, në Tiranë i dhamë autoritet Ismet Avdullahut, që të merrte përgjegjësitë për sulmet tona Guerile”, thotë Zeneli.

Bota Sot: Kohët e fundit, në qendër të vëmendjes janë rikthyer vrasjet para, gjatë dhe pas luftës. A mendoni se ky debat është hapur qëllimshëm?

Zeneli: Sigurisht se po. T’ju them të drejtën, këtu është mbështjellë aq shumë lëmshi dhe në fund është katranosur, sa nuk ka kush që i gjen më fillin. Duhet të hetohen të gjitha vrasjet e kryera, sepse këtu janë shumë vrasje të ndodhura në luftë, brenda luftës dhe pas luftës. Kurse sa i përket asaj, se a është bërë me qëllim ky debat, unë nuk mendoj se ky debat është hapur me diçka qëllimshëm, sepse ky debat ka qenë i hapur qysh moti. Pra ka qenë i hapur edhe gjatë luftës dhe pas luftës.

Bota Sot: Në lidhje me disa prej këtyre krimeve ende të supozuara janë lakuar edhe emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Xhavit Haliti. A keni ju informacione në lidhje me këta zyrtarë?

Zeneli: Këtu nuk bëhet fjala vetëm tek këta tre emra. Thash më parë se është mbështjellë lëmshi dhe në fund është katranosur. Këtu në nuk duhet të flasim siç flitet se janë vrarë vetëm zyrtarë të një partie politikë. Këtu janë vrarë njerëz mjaft shumë. Eprorë të UÇK-së e dhe familjarë të ndryshëm , mesa unë kam njohuri.

Bota Sot: Z. Zeneli, ditëve të fundit keni hedhur disa akuza lidhur me vrasjen e Komandantit Zahir Pajaziti. A mund të na thoni se ku i keni bazuar ato që keni thënë?

Hasan Zeneli: Po, jam në ngjarje rreth Zahirit dhe aktiviteteve guerile që nga sekondat e para e deri tek vrasja e tij dhe rënia jonë nëpër burgjet serbe. Ne kishim një problem gjatë viteve (1996-1997). Problemi duhej të zgjidhej e zgjidhja e këtij problemi për ne duhej të ishte urgjent i zgjidhur. Zahiri i urrente njerëzit të cilët, pas çdo aksioni që ndërmerrnim ne, kurse ata merrnin përgjegjësit. Zahiri disa herë këtë problem e diskutonte me ne bashkëluftëtarët e tij. Njëherë mbajtëm një takim, në shtëpinë time në fshatin Ballaban, që aso kohe edhe ishte “Shtabi i parë operativ i Gueriles” dhe vendosëm që t’i kontaktojmë këta njerëz që për veprimet tona, merrnin përgjegjësi.

Bota Sot: Çfarë dini ju për vrasjen e Zahir Pajazitit dhe çfarë roli kishte z. Azem Syla në këtë mes?

Hasan Zeneli: Mendoj dhe është kështu siç po ju them unë sepse :Azem Syla, ishte bosi i Xhavit Halitit e Ali Ahmetit dhe i të gjithë tjerëve që bënin pjesë në këtë të ashtuquajtur “Sektori i veçantë”. Pas mbledhjes që mbajtëm në fshatin Ballaban vendosëm që këtyre njerëzve t’ua stopojmë rrugën drejt celulave tona të Gueriles. Me arsyen se nuk njiheshim me ta dhe as që do të duhej të njihemi. Kur flas këtë, e argumentojë me faktin se ne, në vitin 1995, në Tiranë i dhamë autoritet Ismet Avdullahut, që të merrte përgjegjësitë për sulmet tona Guerile. Dhe nuk e shihnim si të nevojshme që i ashtuquajturi “Sektori i veçantë”  të marrë përsipër veprimtarinë tonë. Për arsyen se fare ne nuk e kishim nevojën për këta njerëz të ashtuquajturit sektor i veçantë. Është njësoj sikur dikush mbaron themelet e një godine dhe diku kah kulmi tjetërkush thotë se ne e mbaruam këtë godinë aq të madhe. Ne nuk kishim fare nevojë as për Nait Hasanin. Ne ishim tri grupet guerile që vepronim brenda kufijve të Kosovës dhe një grup të sapo formuar në Medvegjë. Ardhja e Nait Hasanit tek ne, me nofkën Abaz,shumë shtrenjtë i kushtojë guerilës së Zahir Pajazitit, të asaj të Rexhep Selimit dhe gueriles së Dukagjinit. Pra, vetë Ali Ahmeti, nëpërmes linjës tonë Ismet Avdullahut të më dergoj “Bombën e kurdisur “Nait Hasanin. Kur them këtë, e argumentojmë se: Ne ishim të koordinuar në mes vete dhe atë shumë mirë, sepse Zahiri njihej me Rexhep Selimin, para se të vijë Nait Hasani (viktima), tek ne, në cilësinë e kooordinatorit. Me Rexhepin ishim takuar më shumë se 6 muaj para ardhjes se Naitit te ne dhe nga Rexhepi patëm marr një çantë të mbushur me armatim dhe një këmishë anti-plumb. Flas për vitin 1995 në vjeshtë, kurse Naiti gënjente dhe thotë, se unë jam inkuadruar në vjeshtën e vitit 1995. Kjo nuk qëndron, ardhja e Naitit ishte fare e pa  nevojë. Këtë e di edhe Rexhepi që aso kohe ishte përgjegjësi kryesor i gueriles së Drenicës. Nëse Rexhep Selimi, ish kolegu i ynë deklaron se ardhja e Nait Hasanit është e dobishme, atëherë unë kurrën e kurrës nuk do të dal para mediave.

Bota Sot: Z. Zeneli përse pikërisht tani keni vendosur të flisni për këtë rast?

Hasan Zeneli: Për atë se është diçka e turpshme dhe nuk është dashur të ndodh kjo. Pra këtu dhe këto janë klanet. Kjo është një turp i botës. Dhe ndaj turpit duhet të kundërpërgjigjemi  pa mëshirë. Burg deri në 10 vite. Them këtë se e kanë vrarë moralin e veteranit të vërtetë. E kanë vrarë moralin e invalidit të vërtetë. Kanë vrarë moralin e Zahir Pajazitit dhe Adem Jasharit. Kanë vrarë moralin tim dhe për këtë dua të flasë. Ka persona që kanë nënshkruar dëshmi të rreme të dhe ata duhet të dënohen sipas një ligji të veçantë. Kjo është edhe më shumë se vrasje për veteranët e vërtetë. Dhe nëse unë jam gabim, atëhërë këtë le ta vlerësojnë ekspertët

Bota Sot: Kush e tradhtoi Zahir Pajazitin sipas jush?

Hasan Zeneli: Zahiri u tradhtua nga vetë besimi i tij. Zahiri ju besoi shokëve. I besoj Naitit. Disa herë e kam kundërshtuar ardhjen e Naitit tek radhët tona për shkak se, Naiti ishte njeri i survejuar nga shërbimi i dikujt. Këtë e ka ditur së fundmi edhe vetë Zahiri. Nuk e di se si ta komentojë ndryshe. Ali Ahmeti, që po ma mbron Baci Ibrahim Kelmendi, sikur të ishte me kokë të shëndoshë  nuk do ta dërgonte Naitin, e sapo dal nga burgu tek ne. Ali Ahmeti është njeriu i parë përgjegjës për vrasjen e Zahirit, Edmondit dhe Hakifit . Po ashtu edhe për shkatërrimin e tërë piramidës së ndërtuar gjatë 6 viteve. Pra shkatërroi tërë sistemin komandues të gueriles. Vrau 6 persona dhe burgosi 21 të tjerë. Nga këta gjashtë , tre vdiqën nen torturat e UDB-së kurse ne të tjerët, mbetëm te gjallë dhe dolëm në Kosovën e djegur.  Dikush doli invalid përgjithmonë, e dikush doli me duar e këmbë të thyera, dikush me plumba nëpër trup nga masakra në burgun e Dubravës. Pra ky ishte rezultati që korri në fund Ali Ahmeti dhe “Sektori i veçantë” i tij.

 

Bota Sot: Përse po heshtë Nait Hasani lidhur me këtë rast, cili është versioni juaj? 

Hasan Zeneli: Gjithmonë heshtja është miratim i veprës. Unë mendoj kështu. Naiti është viktimë e Ali Ahmetit dhe Azem Sylës edhe pikë. Është jo korrekt dhe shumë dinak Naiti.

Bota Sot:  Keni thënë se të njëjtit njerëz, që tradhtuan Afrim Zhitin e Fahri Fazliun, tradhtuan dhe vranë pas 10 viteve, Zahirin, Hakifin dhe Edmondin…Kush janë këta njerëz?

Hasan Zeneli: A s’po e dini? Këta janë Takozvani “ Sektori i veçantë”. Unë s’pata rastin asnjëherë te i takoj Fahri Fazliun e Afrim Zhitinë. As Zahiri s’u njoh me këta dy Heronjtë të Kombit.

Bota Sot: A prisni nga Gjykata Speciale që të merret edhe me këto pretendime tuajat? 

Hasan Zeneli: Jo nga Gjykata speciale nuk presim asgjë të mirë e të hajrit . Nuk e njoh së pari këtë gjykatë. Së dytit, njerëzit e Takozvanit, sektorit të veçantë me këmbëngulësi e votuan këtë Gjykatë. Kjo Gjykatë merret me shumë me thashetheme sesa diçka serioze. Kjo është Gjykatë e formuar nëpërmes linjave MOSKE- Beligrad- Athinë. Kjo gjykatë, dënon njerëzit e pafajshëm. Nuk është dashur që të ndodhë kjo. Është dashur që ne vetë t’i zgjedhim problemet tona e jo dikush tjetër.

Bota Sot: Kush po e zbeh të kaluarën e lavdishme të UÇK-së?

Hasan Zeneli: Takozvani Sektori i veçantë dhe njerëzit e tyre. Unë sigurisht se jo. Të gjitha këto marrina që i kanë bërë , zbehin imazhin e ushtrisë tonë të lavdishme.

Bota Sot: Cilat janë marrinat e Takozvani Sektorit?

Hasan Zeneli: Marrinat i di i gjithë populli. A ka gjë ma marre se me kap me qindra hektarë tokë bujqësore në emër të luftës së UÇK-së? Me kap gjithçka çka është e lëvizshme dhe e palëvizshme. Shtabi i UÇK-së, ka dënuar një person që ka marrë dy speca në bahçe të huaj pas një aksioni. Këta (Tako zvani) shtabi, kanë marr gjithçka të huajën. Kur themi gjithçka, nënkupton të gjitha. Duke filluar prej tokave, fabrikave, restoranteve dhe lokaleve ku në ata pjesë tokë e restoranti e fabrike është edhe një pjesë e madhe e familjes sime. E të mos flasim për asgjësimin e njerëzve.

Bota Sot: Pse po njolloset lufta e UÇK-së, duke folur në përgjithësi? Pse nuk flitet vetëm për individë që supozohet që kanë bërë krime gjatë luftës, po për UÇK –në, si tërësi??

Hasan Zeneli: Së pari UÇK-ja nuk ka kryer krime. Këtë le ta dijë,  mbarë populli anembanë Kosovës e deri atje ku flitet shqip. UÇK-ja ka bërë luftë të pastër si loti. Njerëzit që kanë bërë krime (Individët), nuk janë pjesë e UÇK-së. Nuk mendoj se në Kosovë janë bërë krime lufte. Nuk po e them këtë, pse vetë isha formuesi dy i kësaj ushtrie të lavdishme por, po them se në Kosovë nuk janë bërë krime lufte. Mund të jenë bërë krime nga kriminelët e veshur me uniforma të UÇK-së, siç e dimë që vetë paramilitarët serb, kanë veshur uniforma të UÇK-së dhe bartur flamurin tonë kombëtarë kuq e zi.

Bota Sot:  A ekzistonin klane brenda UÇK-së? 

Hasan Zeneli: Po ekzistojnë. Po më vjen keq pse kanë ekzistuar, por ende ekzistojnë.

Bota Sot: A ndikuan këto klane që të përçahet UÇK-ja? 

Hasan Zeneli: Po, shumë e kanë dëmtuar tej mase, por UÇK-ja nuk është e asnjë klani. UÇK-ja është e popullit. Nuk është as e Haradinajve, as e Jasharajve as e Zahirit .Te gjithë këta që përmenda janë nën një emblemë që ne së bashku e krijuam.

Bota Sot: Kush mendoni se i themeloi këto klane? 

Hasan Zeneli: Klanet u formuan kështu: Ai unë ma i fortë tjetri,  unë më i fortë. Pra janë kap për këto tri shkronja që nuk janë të tyre edhe pse këta po mendojnë ashtu.

Bota Sot:  Kush dhe ku u formua Ushtria Çlirimtare?

Hasan Zeneli: Ushtria Çlirimtare u formua në Prishtinë , në vitin 1996 pas ardhjes së Nait Hasanit te ne. U formua në lagjen Arbëria, tek varrezat e kësaj lagjeje. Në atë takim ishin Zahiri dhe Nait Hasani. Në sigurimin e vend- takimit, isha unë, Hasan Zeneli me komplet “Njësinë Rrufeja e Prishtinës”. Kam pas një debat edhe me Dr.Jakup Krasniqin para nje muaj rreth kesaj pyetjes tuaj.

Bota Sot: A mendoni se janë bërë manipulime me vërtetimet e veteranëve. Dhe sa ishte numri i tyre në vitin 1999 dhe sa është tani?

Hasan Zeneli: Thamë më parë se është bërë lëmsh. Në vitin 2002, pas daljes sime nga burgu serb, unë isha i ftuar për një vizitë në Zoll, në zonën e 5- të mbrojtjes. Aty me sytë e mi kam parë dhe ma kanë treguar listën e ushtarëve të zonës dhe atë të tjera zonave. Në Zoll-, ishin 5017 ushtarë dhe invalidë lufte. Pra ky dokument ekziston edhe tutje. Në tërë Kosovën ishin 16230 gjithsej e tani na është katërfishuar numri i veteranëve dhe invalidëve të luftës. Kur e pyeta njërin ndër komandantët e Zoll-it për këtë shumëfishim më tha: Amerikanët kanë thënë se duhet të shtohet numri i ushtarëve se për ndryshe nuk numërohet si ushtri kjo. I thashë: Ushtri është ajo që ka një numër prej 1000 ushtarësh more shok,  po lëri ti këto pallavra. Më tha: a pallavra po të duken këto. I thashë se kam ditur që je kësi dallaverxhiu se kurrë me ty kafe s’kisha pi. I thash e pse A.A.RR Invalid i luftës? Më tha nuk e di. I rekomandova që ta heq nga lista këtë njeri që as një sekond nuk ishte në luftën çlirimtare. Më tha: Nuk mujta me heq sepse e ka nënshkruar Takozvani Komandanti. Pra, nuk është dashur që në mesin e ushtarëve dhe të invalidëve të luftës të depërtojnë edhe ish sigurimsa të shtetit të Serbisë. Kur them këtë, argumentoj se është e vërtetë kjo. Nëse për gjithçka që shkruajë gjendet një pikë presje e pavërtet le të merret gjykata me mua Hasan Zenelin.

Bota Sot: Si i komentoni problemet me veteranët, pasi thuhet se janë dhënë para për blerjen e statusit të veteranit?

Hasan Zeneli: Kjo është shumë keq, sepse nxit përçarje dhe mllefos veteranët e vërtet. Duhet që të ripërsëriten listat e veteranëve dhe të formohet komision i pavarur i përbërë prej 2 komandantësh të  pa korruptuar,2 Prokuroësh të pa korruptuar ,2 Gjykatës të pa ndikuar politikisht dhe të pastër. 1 psikiatër dhe 2 inspektorë policie që janë të pa ndikuar politikisht, 2 anëtarë nga qendra për rehabilitimin e veteranëve, të pa ndikuar politikisht dhe një anëtar nga qendra për punë sociale. Kjo do të ishte zgjidhja e drejtë. Nuk e di por kam dëgjuar se shumë nga të ashtuquajturit veteran. Ata kanë blerë statusin dhe atë deri në 4-6 euro. Shpresojmë, se opsioni që dhashë më herët ,do t’i rehatonte të gjithë. Do ti burgoste (Takozvani komandantët ) dhe blerësit e statuseve.

SHPËRNDAJE