Ballina Kronika Autopsia: Astrit Dehari nuk kishte pirë barna, ai u ngulfat

Autopsia: Astrit Dehari nuk kishte pirë barna, ai u ngulfat

Autopsia tregon se i ndjeri Astrit Dehari, 26 vjeç, nuk ka vdekur në burgun e Prizrenit nga mbidoza e barnave siç mendohej në fillim, por ai është ngufatur, pra nga asfiksia  

 

Rezultatet e para që ka nxjerrë grupi i mjekësisë ligjore në Prishtinë, ku kishte edhe ekspertë të huaj, tregojnë se Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka vdekur në burgun e Prizrenit nga mbidoza e barnave siç mendohej ne fillim, por ai është ngufatur. Sipas ekspertëve mungesa e oksigjenit, asfiksia, janë disa nga rezultatet e para të autopsisë së trupit të tij.

Të dhënat e para për autopsinë i ka dhënë kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha i cili ka qenë i pranishëm gjatë procesit të autopsisë. Ai i ka thënë “Ekspresit” se rezultatet e fundit të analizave të autopsisë do të hedhin dritë mbi gjithë këtë ngjarje.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën në qendrën e paraburgimit në Prizren, derisa po qëndronte si i paraburgosur nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmin e armatosur ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Këto janë mendimet preliminare. Mendojmë që personi ka pas mungesë të oksigjenit. Ekspertiza e fundit, ekspertiza u krye me ekspert të propozuar nga familja”, ka thënë Hoxha, sipas të cilit, te i ndjeri ka pasur një gërvishtje në fyt dhe në byzylyk të dorës.

Deri tani sipas Hoxhës, nuk ka të dyshuar për rastin.

Prezent në procesin e autopsisë ishin kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, dy ekspertët e caktuar nga familja Dehari, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia.

Gjithashtu prezent ishin tre mjekë nga Instituti, një përfaqësues i EULEX-it, avokati i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përfaqësuesi ligjor i familjes së Astrit Deharit , avokati Tomë Gashi ka thënë se nuk janë gjetur barna që kanë aftësi psikotropike në trupin e të ndjerit. “Dy orë e gjysmë ka zgjatur autopsia, ne si përfaqësues të familjes angazhuam edhe ekspertë nga Shqipëria e Anglia. Të gjitha mostrat e nevojshme janë marrë për ta vërtetuar shkakun e vdekjes së Astritit, disa prej të cilave do të dërgohen edhe në Angli”, tha Gashi.(Albinfo)