Ballina Opinione “Armiqtë” e Shqipërisë dhe shqiptarofobia si mjet politik

“Armiqtë” e Shqipërisë dhe shqiptarofobia si mjet politik

Nga Mentor Kikia

Dalldia nacionaliste ka qenë gjithmonë një mjet për të tërhequr popullin në hullitë e politikës.

Kujtoni, besoj, turmat e “dehura” kuqezi, që mbuloheshin me flamuj e ndiqnin nga pas Kreshnik Spahiun, që vëzhgonte armiqte greke me dylbi nga brigjet e Ksamilit?

E kujtoni edhe Sali Berishën, kur denonconte mu në Bruksel shqiptarofobinë e Europës, bash si Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në Nëntor 1960, që i çorri maskën imperializmit të ri sovjetik Hrushovian, që kishte lëvizur nga binarët e Stalinizmit.

Për kapital politik, Berisha akuzonte Europën se nuk na do, se ka një sjellje përçmuese ndaj nesh, ndaj shqiptarëve, ndaj dhe nuk na hapte dyert e integrimit, që në fakt do të ishte garancia për pushtetin e tij.

Tashmë e ka marrë Rama flamurin e nacionalistit.

Por ai nuk i ka shpallur luftë Europës.

Përkundrazi, ai po bën atë që do Europa dhe atë që duan shqiptarët. Ai po bën “paqen historike” me Serbinë, dhe po i “tregon vendin” Greqisë.

Në emër të udhëheqësit rajonal, ai ka marrë përsipër të “bëjë pajtim” me serbët, pa praninë e viktimave të serbëve.

Ndërsa me greket, vec deklaratave zyrtare të qeverisë, qe duhet të jemi të qartë, ishin të domosdoshme, të drejta dhe korrekte, po u hakërrehet edhe personalisht më postime facebook-u dhe deklarata publike.

Ata që marrin mundimin të mendojnë, e kanë kritikuar për këtë sjellje, por turma e ka duartrokitur në masë. A do të duartrokitet në Bruksel, ashtu si për Serbinë? Nuk ka rëndësi, votat këtu mblidhen.

Pas zgjedhjeve, kësmet….

Të duash vendin tënd, është detyrë e çdo shtetasi e aq më shumë e çdo politikani. Por nacionalizmi i shfrenuar, asnjëherë nuk ka qenë tregues i dashurisë për atdheun, por mjet abuzimi politik.

Politikanët dhe udhëheqësit tanë kanë një mijë mënyra të tjera për të treguar se e duan këtë vend, edhe pse fqishnjët tanë kanë merituar me kohë një qëndrim më dinjitoz nga ana jonë. Por duke lënë pas historinë, ka ca kohë, të paktën nja 70 vjet, që nuk janë ata përgjegjës për asnjë nga paudhësitë tona.

Përgjegjës për të gjitha të këqijat tona jemi ne, klasa jonë politike dhe ne që e kemi zgjedhur dhe mbajtur në këmbë. Në vend që të shikojmë bilancet tregtare me Greqinë, ne diskutojmë se kush e shpëtoi Akropolin 350 vjet më parë.

Pushtimet moderne nuk bëhen më me tanke në kufi, por me kamionë mallrash në doganë.

Loading...