Ballina Kronika 4 të arrestuarit, plan për sulme në ndeshjen Shqipëri–Izrael, 80 persona nën...

4 të arrestuarit, plan për sulme në ndeshjen Shqipëri–Izrael, 80 persona nën vëzhgim

Katër personat e arrestuar në qytetin e Shkodrës si pjesë e një celule të ISIS në Shqipëri kishin planifikuar sulme terroriste në qytetin verior.

Objektiv i tyre mësohet të kenë qenë aktivitete ku do të grumbulloheshin me mijëra qytetarë.

Synim i tyre dyshohet se ka qenë ndeshja e futbollit Shqipëri-Izrael, e cila do të luhej në Shkodër në datën 12 të këtij muaji.

Burime të rezervuara nga grupi i hetimit thanë për Tv Klan se Xhezair Fishti, Medat Hasani,Ergys Faslia dhe Bekim Protopapa në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se do të kryenin një sulm terrorist ditën e ndeshjes.

Por për shkak të frikës që mund të kishin dhe një sulm të dielën e kaluar ku në Shkodër u lumturuan 38 martirët e kishës katolike autoritetet kanë vendosur që t’i arrestojnë të premten.

Asnjë nga versionet nuk është konfirmuar zyrtarisht. Por FIFA dhe UEFA vendosën që ndeshja e parashikuar për t’u luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës të shtunën do të transferohet në Elbasan Arena. Federata Izraelite konfirmon se zhvendosja është bërë për arsye sigurie.

Gazeta më e madhe në Izrael, “Haretz” shkruan se siguria e ekipit izraelit në Shkodër ishte e cënueshme.

Policia dhe shërbimet e inteligjencës po mbajnë nën vëzhgim edhe 20 personat e ndaluar së bashku me 4 anëtarë të celulës si dhe 80 të dyshuar të tjerë, në Shkodër, Tiranë, Dibër, Elbasan e Pogradec.

Në të njëjtën ditë në Kosovë u arrestuan 7 persona. Materialet për celulën që vepronte në Shqipëri dhe atë në Kosovë kanë mbërritur nga agjencitë partnere të inteligjencës. Dy grupet dyshohet se ishin nën drejtimin xhihadistit me të njohur shqiptar që lufton përkrah ISIS Lavdërim Muhaxheri.

Tv Klan