Ballina Lajme (VIDEO) AHMETI SULMON PARTITË OPOZITARE

(VIDEO) AHMETI SULMON PARTITË OPOZITARE

Forumi rinor i BDI-së ka mbajtur sot një tubim në Çair, ku morën pjesë krerët e lartë partiak si dhe anëtarët e rinj të këtij subjekti politik. Pjesëmarrësve në këtë tubim i është drejtuar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Duke përmendur projektet e realizuara deri më tani si Sheshi “Skëndërbeu”, përmendorja e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe në fund universiteti Nënë Tereza, Ahmeti shpalosi edhe disa pika të platformës politike të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Edhe në këto zgjedhje BDI premton integrimin në NATO dhe BE, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti po ashtu ju ka drejtuar opozitës shqiptare duke thënë se nuk kanë forcë që të sfidojnë këtë parti.

“Të gjithë të vonuarit le të kujtohen dhe le të jenë më të arsyeshëm në paraqitjen dhe këtë e bëj duke iu dhënë një këshillë, si një njeri që kam sigurisht një përvojë shumë më të madhe nga oponentët të cilët unë dhe BDI i kemi për karshi. Sigurisht që ata as imunitet e as takat nuk kanë që të dalin në skenë”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, shef i shtabit zgjedhor, Bekim Neziri, tha se  BDI në kontiniutet ka respektuar politikat nga forumet rinore.

“Një fotografi vlen sa 100 fjali. Andaj, fotografinë që e shoh nga kjo foltore, tregon numrin masovik i cili i thotë PO politikave vizionare të Ali Ahmetit, PO platformës dhe programit zgjedhor të BDI-së të fushatës zgjedhore me datën 11 dhjetor”, tha shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.

Ndërkaq, jashtë sallës “Shaban Tërstena” ku mbahej ky tubim, vëreheshin dhjetëra autobusë të cilët kishin sjellur të rinjtë nga qytetet tjera për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Teuta Buçi /SHENJA/