Ballina Diaspora Pa mobilizim, diaspora mbetet pa deputetë

Pa mobilizim, diaspora mbetet pa deputetë

Kur ka mbetur edhe pak kohë deri në zgjedhje, por edhe për regjistrimin e votuesve të diasporës, afat që përfundon më 11 nëntor, të dhënat e fundit të KSHZ-së për paraqitjen e diasporës shqiptare janë shqetësuese. Sipas burimeve të gazetës KOHA në KSHZ, deri të enjten në mesditë nuk ka arritur as 100 numri i shqiptarëve të paraqitur për të votuar në diasporë

Diaspora shqiptare edhe përkundër ndryshimeve të fundit të Kodit zgjedhor  që mundësuan kalimin nga tre në njësi zgjedhore, nëse nuk mobilizohet, rrezikon sërish të mbetet pa deputet në Parlamentin e Maqedonisë. Kur ka mbetur edhe pak kohë deri në zgjedhje, por edhe për regjistrimin e votuesve të diasporës, afat që përfundon më 11 nëntor, të dhënat e fundit të KSHZ-së për paraqitjen e diasporës shqiptare janë shqetësuese. Sipas burimeve të gazetës KOHA në KSHZ, deri të enjten në mesditë nuk ka arritur as 100 numri  i shqiptarëve të paraqitur për të votuar në diasporë. Ndërkaq, sipas njoftimit të KSHZ-së, deri të enjten në ora 14 numri i përgjithshëm i aplikanëtëve nga diaspora gjithsej ishte 2099, prej tyre 1413 aplikacione të rregullta, 61 të refuzuara dhe 625 në përpunim e sipër. Aplikimi ka filluar më 18 tetor dhe do të mbarojë më 11 nëntor, si afati fundit ligjor për të aplikuar për regjistrim votuesve të diasporës. Nëse deri në këtë datë ky ritëm vazhdon të jetë i njëjtë, burime brenda KSHZ-së paralajmërojnë se shqiptarët edhe mund të humbasin shansin që të nxjerrin deputet në diasporë. Kjo për faktin se sipas ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, për t’u zgjedhur një deputet në diasporë, duhen 6478 vota. Nëse nuk arrihet ky numër nga asnjëra prej partive politike, atëherë ligji parasheh që të mos ketë asnjë deputetë nga diaspora. E njëjta vlen edhe për partitë maqedonase, megjithëse te ata  pritëshmëritë janë që deri më 11 nëntor të kalohet ky numër dhe me gjasë VMRO dhe LSDM  të paktën mund të nxjerrin dy deputetë.  Risi në këto zgjedhje është se diaspora do të jetë me listë të veçantë në kutitë e votimit, me gjithsej 171 mijë votues, krahas Listës vendore zgjedhore. Ndryshe, qytetarët nga diaspora që nuk janë regjistruar deri më 11 nëntor, nuk iu humbet e drejta e votës, pasi ata mund të votojnë ditën e zgjedhjeve nëse do të gjenden në Maqedoni. Në këto zgjedhje për diasporën nga BDI kanë deklaruar se do të hyjnë më të organizuar. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri, ka theksuar se tani më kjo parti ka një strategji të re sa i përket votimit të diasporës dhe pritjet janë që së paku të fitohet një deputetë, respektivisht ai Evropës. Ai më tej është shprehur se pritjet janë që të fitohen nga 9 mijë e deri në 13 mijë vota në Njësinë 7 zgjedhore. Bashkimi Demokratik për Integrim për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur delegacione partiake qëndronin në diasporë, kësaj radhe përmes përfaqësuesve partiak do të komunikojë me mërgimtarët përmes familjarëve që ndodhen këtu. Kjo do të realizohet përmes departamentit të veçantë në kuadër të Shtabit qendror zgjedhor dhe që do të udhëhiqet nga Berat Dehari. Nga LR-PDSH sekretari i përgjithshëm, Arben Taravari, thotë se partia e tij është aktive  në diasporë dhe po bën çmos që paraqitja e votuesve shqiptarë të jetë sa më e lartë. “Ne si Lëvizje për reforma PDSH kemi vizituar diasporën, me qëllim të sensibilizimit në lidhje me jo korrektësinë politike që ka garnitura qeveritare ndaj tyre. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me diasporën shqiptare dhe po bëjmë çmos që paraqitja e tyre të jetë sa më e lartë”, thotë Taravari. Ai kritikon garniturën aktuale në pushtet se ka përgatitur skenar të errët për të relativizuar influencën e  diasporës shqiptare në Maqedoni. “Tendencat e pushtetit për të relativiziuar influencën e diasporës janë të hapura. Kjo më së miri u pa me fshirjen e 40 mijë votuesve të kontestuar, ku mbi 30 mijë ishin shqiptarë. Kur kësaj i shtojmë dhe mospërfshirjen e partive jashtë parlamentare shqiptare në KSHZ-të vendore, këto tregues flasin qartë për një skenar të errët  kundër votës shqiptare të diasporës. Për këtë sigurisht faji kryesor bie mbi partitë politike që nënshkruan Marrëveshjen e Përzhinos. Por, potencoj se herë do kurdo, kjo Qeveri do të japë llogari për qasjen tendencioze ndaj diasporës shqiptare”, thekson Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i LR-PDSH-së. Në zgjedhjet parlamentare të 2014-tës shqiptarët nuk mundën të marrin asnjë deputet në diasporë, ndërsa VMRO i mori të tre deputetët nga diaspora, por se numri për zgjedhjen e këtyre deputetëtve nuk ishte i limituar. Kjo parti në Njësinë 8, që përfshinte Australinë fitoi një deputet me 1800 vota në zgjedhjet e fundit, ndërsa në zgjedhjet e 2011-tës po në këtë njësi me 300 vota arriti të nxjerr deputet. Në zgjedhjet e 2014-tës tre partitë shqiptare kishin  kandidat në të tre njësitë zgjedhore, por se si numri i të regjistruarve ashtu edhe numri i atyre që dolën në votime, ishte i pamjaftueshëm që të nxjerrin të paktën një deputet. Vetëm në njësinë 7, që përfshinte Evropën dhe Afrikën BDI arriti të marrë 2822, PDSH 104 vota, ndërsa RDK 428 vota, kurse te partitë maqedonase VMRO 4512, ndërsa LSDM 521 vota.

Loading...