Ballina Lajme NESËR SKADON AFATI I FILTRAVE TË “JUGOHROMIT”

NESËR SKADON AFATI I FILTRAVE TË “JUGOHROMIT”

SHPËRNDAJE

Një ditë përpara skadimit të afatit për vendosjen e filtrave, në oxhaqet e fabrikës “Jugohrom” vazhdon të shihet tym. Akoma nuk dihet se deri ku është procedura e vendosjes së filtrave, megjithatë mbetet të shihet nëse do të vazhdojë me punë ky kombinat apo do të mbyllet.

Qeveria me vendimin e fundit, i dha afat kësaj fabrike që deri më 31 tetor të vendos filtrat, në të kundërtën do të duhet të mbyllet. Për vendosjen e filtrave ose mbylljen e ndotësit të Pollogut pati folur edhe vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në një ndër paraqitjet televizive kohë më parë. “Ka një vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, deri më 16 tetor të vitit 2016 duhet të ketë përfunduar me vendosjen e filtrave, për këtë çështje ka një agjendë pune se ç’duhet bërë fabrika, por jo vetëm Jugohromi por edhe vendpunishte të tjera dhe do të ishte në lëverdinë e vet kompanisë që ata ta rrespektonin marrëveshjen mes ministrisë së Ambientit” , kishte deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, më 24.12.2015.

Problemi me ndotjen e ajrit në Tetovë, i cili rrezikon edhe shëndetin e qytetarëve dhe për të cilin një ndër shkaktarët kryesor është fabrika e Jugohromit, është një problem që shqetëson banorët e këtij qyteti vite me radhë. Kjo çështje shkaktoi reagime të shumta për një kohë të gjatë në tërë Maqedoninë, por më së shumti në Tetovë ku niveli i ndotjes, respektivisht koncentrimi i grimcave helmuese PM10, tejkalonte të gjitha kufijtë e lejuar.

Pas reagimeve të shumta, menaxhmenti i fabrikës së Jugohromit vendosi që nga nata e vitit të ri të ndërpresë prodhimin. Vendim ky i cili vlejti deri në fund të muajit shkurt dhe që nga dita e parë e marsit furrat u ndezën përsëri.

Ajnur Bafqari