Ballina Opinione KOSOVA PËRBALLË DESTRUKSIONIT SERB

KOSOVA PËRBALLË DESTRUKSIONIT SERB

SHPËRNDAJE

Xhelal Zejneli

Uashingtoni dhe Berlini duhet të kërkojnë nga Beogradi:
 ta shlyejë Kosovën nga kushtetuta e Serbisë;
 të mos veprojë në skenën ndërkombëtare për parandalimin e njohjes së Kosovës nga vendet të cilët akoma nuk e kanë njohur;
 të mos veprojë në skenën ndërkombëtare për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç ishte rasti me UNESCO-n;
 të mos veprojë në skenën ndërkombëtare për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB;
 të mos i mbajë peng elementet dhe atributet e shtetësisë së Kosovës të cilat elemente dhe atribute, me shkëputjen e saj nga federata jugosllave, i takojnë Kosovës natyrshëm, siç u takonin 5 ish-republikave të tjera;
 të pushojë të injorojë Kosovën si trashëguese dhe si mbartëse të shtetësisë;
 ta pranojë realitetin objektiv se pasuritë e Kosovës – si tokësore ashtu edhe ato nëntokësore, i takojnë Kosovës;
 të njohë tërësinë tokësore të Kosovës dhe sovranitetin e saj;
 të njohë subjektivitetin politik të Kosovës;
 të mos ndjekë ndaj Kosovës politikën e forcës, të shantazhit dhe të kanosjes;
 të heqë dorë nga synimet hegjemoniste, kolonialiste dhe ekspansioniste;
 të mos i mbështetë në Kosovë organet paralele serbe;
 të ndërpresë politikën desktruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse;
 të pushojë të jetë faktor permanent i krizës në rajon;
 të mos përqendrojë në jug të Serbisë forca ushtarake;
 të mos i kanoset stabilitetit të Ballkanit duke u mbështetur në Rusinë e Vlladimir Putinit;
 të ndjekë ndaj Kosovës politikën e fqinjësisë së mirë;
 ta njohë pavarësinë e Kosovës;
 t’i paguajë Kosovës dëmshpërblim për gjenocidin e kryer që nga viti 1912 deri në vitin 1999;
 të miratojë rezolutë në kuvendin e Serbisë, me të cilën t’u kërkojë falje shqiptarëve për politikën kolonialiste, për gjenocidin e kryer dhe për krimet e luftës, që nga vitit 1912 deri në vitin 1999.
* * *
Uashingtoni dhe Berlini duhet ta kenë parasysh faktin se:
 Kosova ka një flamur të kaltër me do yje, i cili nuk ka të bëjë fare me flamurin kombëtar shqiptar;
 Kosova ka një himn i cili nuk ka të bëjë fare me himnin kombëtar shqiptar.
Megjithëkëtë, Kosova vazhdon të mos njihet, as nga serbët e Kosovës dhe as nga Serbia.
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini, e dinë mirëfilli se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftën kundër pushtuesve serbë, nuk e zhvilloi me flamurin e kaltër, por me atë të Gjergj Kastriotit – shqipen dykrerëshe.
Gjithë bota duhet ta dijë se në të gjitha përmendoret dhe monumentet të ngritura për dëshmorët e kombit që ranë në luftë kundër pushtuesve serbë, nuk valon flamuri i kaltër që i është imponuar Kosovës, por valon ai i Gjergj Kastriotit – shqipja me dy krerë.
Nga sa më sipër del se serbët e Kosovës dhe Beogradi, nuk duan ta njohin, as flamurin kombëtar shqiptar, as atë ngjyre të kaltër që ia imponoi Kosovës bashkësia ndërkombëtare.
Uashingtoni dhe Berlini duhet ta kenë parasysh faktin se:
 gjuha serbe në Kosovë është gjuhë zyrtare, edhe pse serbët atje përbëjnë jo më shumë se 5% të popullsisë së saj;
 serbët në Kosovë kanë të drejtë shkollimi në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet e arsimimit;
 serbët në Kosovë mund të përfshihen në të gjitha institucionet e saj, në ato politike, shoqërore, kulturore etj. duke përfshirë edhe përfaqësimin në organet ekzekutive dhe në ato ligjvënëse;
Megjithëkëtë, serbët e Kosovës dhe Serbia, vazhdojnë të jenë të pakënaqur, vazhdojnë ta refuzojnë Kosovën.
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes duhet të dinë se:
 të drejtat që i gëzojnë serbët e Kosovës, shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) nuk i gëzojnë as 1%. Kosova lindore është rajoni më i getoizuar i Evropës.
 të drejtat që i gëzojnë 5% serbë të Kosovës, nuk i gëzojnë shqiptarët në Maqedoni, edhe pse përbëjnë rreth 30% të popullsisë së saj.
Serbët e Kosovës vazhdojnë të jenë kolonë e pestë e Serbisë dhe kalë Troje i Beogradit në Kosovë. Ata vazhdojnë të instrumentalizohen nga politika ultranacionaliste, radikale dhe klerofashiste.
* * *
Është paradoksale që Beogradi të vendosë kontakte të caktuara me Tiranën, ndërsa ndaj Kosovës ndjekë politikë armiqësore.
Kundër Ligjit për Trepçën, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, u ngrit në këmbë e tërë qeveria serbe e Vuçiqit, bashkë me kuvendin e Serbisë.
Beogradi nuk dëshiron të drejta për serbët e Kosovës, por do territor. Tendenca e Beogradit për krijuar në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe, është hap drejt krijimit të një entiteti serb në Kosovë, i cili më pas do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë.
* * *
Shqipëria ka të drejtë të kujdeset për shqiptarët që ndodhen jashtë kufirit të saj. Kjo parashikohet edhe me kushtetutën e saj. Madje, Shqipëria ka të drejtë dhe për detyrë të interesohet dhe të kujdeset për Kosovën, edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Me një fjalë, Shqipëria duhet të kujdeset për Kosovën, edhe pse ajo sot është shtet i pavarur.
Por, për Kosovën nuk duhet të ketë bisedime midis Tiranës dhe Beogradit. Qëmoti Beogradi ka kërkuar që për Kosovën të flasë me Tiranën. Ky propozim i Beogradit nënkupton injorimin e subjektivitetit historik dhe politik të Kosovës. Ky synim i Beogradit injoron realitetin objektiv se Kosova ka subjektivitet politik. Ky propozim i Beogradit nënkuptonte në thelb ndarjen e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pra, për Serbinë sërish vjen në shprehje ndarja e Kosovës.
Çështjet midis Republikës së Kosovës në një anë dhe Serbisë, në anën tjetër, duhet të zgjidhen midis Prishtinës dhe Beogradit, nën mbikëqyrjen e Uashingtonit dhe të Berlinit.
Një hap për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke pandehur se Rusia sot e ka marrë veten, Beogradi mbase nuk do ta kundërshtonte, pikërisht për dy arsye:
 e para, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do ta shfrytëzonte si pretekst për një ndërhyrje ushtarake, siç veproi me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, duke i sulmuar ushtarakisht, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën;
 e dyta, me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Serbia pandeh se do të hapej kutia e Pandorës, me ç’rast do të aneksonte Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Por, kutia e Pandorës do të hapet nga vetë serbët. Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës, në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit, dhe me mbështetjen e tërësishme të Beogradit, e injoron pushtetin qendror të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo shpie drejt shkëputjes së saj nga BH-ja.
Serbia, si shumë vende të tjera të rajonit, është shtet kuazidemokratik. Në hapësirën e saj politike, ajo nuk ka kurrfarë opozite politike, kurrfarë mendimi politik oponent dhe kurrfarë programi ideologjik alternativ. Në të sundon totalitarizmi, bolshevizmi, bizantizmi dhe njëmendimi politik garashaninist.
Sot Serbia trimërohet nga Vlladimir Putini.
Uashingtoni dhe Berlini duhet t’ia bëjnë me dije Beogradit se synimet grabitqare serbe ndaj Kosovës, përgjithmonë kanë marrë fund. Ato duhet të veprojnë me vendosmëri për rrumbullakimin sa më të shpejtë të shtetësisë së Kosovës.

Xhelal Zejneli