Bisedë me Ema Andrean: Jeta ime është rrokullisur shpesh, ashtu siç asnjëherë...

Bisedë me Ema Andrean: Jeta ime është rrokullisur shpesh, ashtu siç asnjëherë s’e kisha menduar

SHPËRNDAJE

Nga Jonida Hitoveizi

Ema Andrea është një nga aktoret e veçanta, ndoshta për shkak të karakterit të saj, e këtë e kupton më mirë kur flet me të. Ajo është një grua e lirë, e kjo është një sfidë që do fuqi titanësh për t’i mbijetuar. Ema thotë atë që mendon dhe shpesh të nxit të mendosh përtej asaj çka ti prek cdo ditë në këtë vend, i cili siç Ema thotë, është i vështirë për lumenjtë e thellë, për ëndërrimtarët, për ata që hapin krahët drejt një qielli lirie.

 Ema, do doja ta nisja këtë intervistë me lajmet e fundit që kanë shkaktuar zhurmë nga arti. Si e ke parë debatin për poezinë e Rita Petros?

Rita Petron e vlerësoj si poete. Kam qenë pjese e promovimit të librit të saj (ndoshta libri i saj i parë me poezi erotike) dhe më kanë shijuar shumë poezitë e saj. Madje kisha një këndvështrim tjetër nga ai i kritikëve, sepse erosi në ato poezi ishte kudo, përtej fjalëve. Përsa i përket zhurmës mediatike, tashmë është e lehtë të manipulosh opinione duke përdorur fjalë “kyçe”, të cilat në vetvete nuk përmbajnë esencën e fenomenit apo problemit. Kështu mu duk edhe rasti i Ritës dhe i  librit të saj.

Pse seksi, erosi shkakton kaq shumë debat tek ne edhe kur shfaqet me fuqinë e artit?

Nuk besoj se e shkaktoi erosi apo seksi, thjesht keqpërdorimi i titullit provokues dhe i shumëkuptimtë.  Pastaj në Shqipëri është e thjeshtë të “luash” me këto tema.  Mund të kthehen lehtësisht në një opinion morali gjykues në kërkim të së drejtës, sepse kemi frikë të flasim e mbi të gjitha, të pranojmë një mendim apo krijimtari që flet ndryshe….E kur bëhet fjale për seksin na del e vërteta në pah…e për më tepër kur tanimë mund ta shprehim si anonimë.

Për mua duhet të flitet më shumë për erosin, femrën dhe seksin nga artistët. Tanimë erosi ngatërrohet me figurën e femrës së zhveshur që “qan” mbështetur në mur për të dashurin muskuloz (që lançohet kaq shumë nga media)… Më fal, dashuria tanimë ka këtë imazh si shembull.

Ju jeni artiste,aktore, femër, grua, nënë. Beson se shumë gjëra që bëjmë ne gratë pargjykohen më shumë sesa veprat e burrave në art e skenë?

Një femër e suksesshme jo vetëm në art,është lehtësisht më e paragjykuar se meshkujt.

Një femër që flet hapur për sensualitetin bëhet e frikshme dhe e papranueshme për stërgjyshërit tanë. Ndaj, bëhet një”problem”, sepse ka marrë të drejta që nuk i “takojnë” ….. të paktën në formë të hapur.. E gjithë kjo histori më kujton “topi me dhjamë”, njëjtë në mentalitet e reagim.

Je marrë me hapjen e shtëpise së Enverit, event artistik ku pati performanca. Më pas me Informal Mind Si u lidhe me artin pamor dhe çfarë të jep ai, që ndoshta nuk e gjen tek teatri?

Më vjen keq që krijimtaria ime ka kaluar pak jashtë vëmendjes, që prej kur kam bërë regjinë time të parë. Kam tentuar kah instalacioni dhe teatri performativ, ai që në atë kohë quhej “ndryshe” (jo nga unë) …

Në kërkimin tim si aktore nuk më ka mjaftuar dot aktrimi, jam kahur nga eksperimenti, në tekst apo pa tekst, në ndërlidhje veprash jo në mënyrë klasike, në përdorimin e trupit si mjet shprehës, etj, etj. Ndaj, të isha pjesë e realizimit të një ideje të tillë, për mua ishte shumë e natyrshme. Nuk besoj tek artisti që rresht së kërkuari, e mbi të gjitha besoja dhe ende besoj se në Shqipëri këto evente janë të domosdoshëm.

Nuk mendoj se ka një jorgan që mund të masë shtrirjen e krijimtarisë në fakt. Këto dy evente provokuan fortë dhe ndikuan në raportin e shumë artistëve shqiptarë me përballjen internacionale dhe për këtë ne jemi shumë krenarë.

Këto evente kanë në bazë shumë mund e sakrifica, por tek e fundit mund të themi që nuk janë thjesht evente që mbyllen pasi mbarojnë. Janë evente që krijuan baza të forta bashkëpunimi dhe vazhdimësie të artit bashkëkohor në Shqipëri.

Meqë jemi këtu si e sheh teatrin sot, a kemi mbetur më shumë konservator sesa duhet. A është ajo çka na ofrohet më e mira e mundshme?

E  di si mendoj? Më e mira e mundshme në cilat mundësi të mundshme?? Ta marrim shtruar.. Teatri dhe arti nuk bëjnë dot pa artistin dhe spektatorin apo jo?? Spektatori po i afrohet teatrit dhe për këtë jemi të gjithë mirënjohës. Çfarë po ndodh me artistin e teatrit? -Po vazhdon të krijojë. Unë nuk jam dakord shpesh me paguximin e kërkimit në teatër dhe kjo nuk vjen nga pasiguria profesionale e artistëve të teatrit, të paktën e shumicës së tyre. Dëgjoj që flitet me një pathos për teatrin tonë, a thua se jetojmë një histori 500 vjeçare kulture teatrore, për dashurinë për teatrin etj dhe  e krahasojmë krijimtarinë e artistëve tanë me atë të teatrove në botë. Artisti kurajën e gjen tek rrugëtimi artistik dhe shumë artistë shqiptarë që jetojnë e punojnë këtu, mund të kishin një rrugëtim shumë të bukur nëse do të ekzistonte një sistem që do të nxirrte në pah vlerat, që do të bënte diferencën…. E kuptoj që përulemi përpara arritjeve të shqiptarëve të suksesshëm në skena ndërkombëtare e meritojnë, por kemi pyetur ndonjëherë (ne apo ata patetikët dashnorë të teatrit, pretendues të artit te madh) se në çfarë kushtesh vlerësimi jetojnë e punojnë artistët tanë. Nuk besoj! Pak na ka interesuar, ne spektatorëve kërkues, artistët tanë, në institucionet shtetërore, (një pjesë natyrisht) krijojnë si artistë e paguhen si mëditës arti. Krijojnë apo punojnë mbi 10 orë në ditë, pa përfillur procesin e krijuesit që s’ka orar dhe në fund nuk e di  si munden të vazhdojnë muajin e të mbajnë familjen, së cilës i mungojnë me muaj të tërë duke qenë present. Duke e pare ne këtë këndvështrim artisti shqiptar është profesionalisht shumë i mirë. Nuk e di ne do ta kish bërë të njëjtën gjë një francez apo edhe një artist nga Ballkani.

Sheh ndikim politik tek arti?

Arti është politik e politika është art, ( por ti nuk më pytete për këtë besoj, qesh)Por doja të shtoja që përtej kontratave të artistëve me të cilat jam shumë dakord, sot duhet menduar edhe për vlerësimin monetar të artistit, në institucion apo në profesion të lirë. Pas kësaj mund të kërkojmë kurajo krijimtarie e arti politik.

Pagesat e ulëta mendon se e bëjnë më të vështirë lirinë edhe në art? Nuk mendon se arti e ka fuqinë tek rebelimi nga shtypja?

Hëm….nuk besoj se ka ndonjë sistem perfekt në shoqërinë njerëzore, ndaj lëvizjet e mëdha sociale e kulturore kanë nisur nga artistët, por mos të harrojmë që kanë nisur nga ata, sepse kane qenë një zë i fuqishëm në kapitullin e shoqërisë.

Lidhur me polemikat e fundit që kanë shoqëruar TK, konkretisht drjetorin Hervin Çuli. Si i ke parë komentet e kolegëve të tij, kujtoj këtu Altin Bashën p.sh?

Besoj se komuniteti i artistëve dhe shoqëria jonë kanë nevojë për debate dhe alternativa e jo për sharje e akuza personale! Është e lehtë të ngresh gishtin për të akuzuar, ashtu siç është e lehtë të kthesh gishtin nga vetja për lavdi….Pak a shumë është një kurth ku mund të bien lehtë të gjithë ata që nuk duan të shohin thelbin e problemit, e për më tepër që nuk kanë alternativa për zgjidhjen e pikave të dobëta. Jo vetëm të Teatrit Kombëtar, por edhe të statusit të artistit në përgjithësi. Nuk kam patur veshë për të tilla debate, pasi çdo ditë punoj në mënyrën time për të krijuar një shembull më të mirë, duke mos qenë as anëtare e TK e as anëtare bordesh apo në olimpe, apo në situatën e gishtdrejtueses. Kam patur dhe kam ende kurajen të jem një artiste dhe qytetare që them atë që mendoj, duke ofruar alternativa për komunitetin. Besoj se kam tagër të flasë për veten dhe problemet që ndjej prej 24 vitesh në lëkurën time, e natyrisht që s’kam  ndërmend të dëgjoj debate me duk e pa bukë! Si artiste alternative dhe e lirë më duhet të punoj çdo dite edhe për mbijetesën, në mënyrë që kjo e fundit të mos ndikojë në artin tim, ndaj nuk llastohem dot nga Olimpe prej rëre!

Cili ka qenë momenti yt më i vështirë në jetën artistic

Çdo moment është i vështirë. Momenti kur regjisorët e huaj më kërkonin në TK  dhe artistët bënin të paditurin e “nuk më gjenin dot”. Momentet kur unë kërkoja hapësirë për të krijuar e ”divët” e Teatrit nuk e lejonin emrin tim në lista krijuesish. Momenti kur miqtë, kolegët  e mi  nuk dëshironin që unë të isha  pedagoge në akademi dhe votonin kundër. Momenti kur divorci im u dha krah maskilistëve të shihnin një femër të dorëzohej e të luante viktimën. Momenti kur jam ndëshkuar pa role, sepse kam thënë të vërtetën. Çdo moment ka qenë i vështirë. Edhe sot nuk është e lehtë!

Momenti kur kthehem e nderuar nga festivale ndërkombëtare dhe shahem apo injorohem nga komuniteti shqiptar…Çdo ditë është e vështirë, por unë kam zgjedhur kështu dhe e gjej forcën tek ëndërrat e mëdha, tek falja, tek injorimi ndaj mediokres.

Momentet kur mi prishin ëndërrat dhe investimet me gjeste të ulëta e  opinione prej kuti të pangopurish- unë përpiqem të jetoj me dritën. Të tjerat mbeten hije!

Ku e gjen këtë dritë Ema Andrea?

Nuk e di. Jeta ime është rrokullisur  shpesh,  ashtu siç asnjëherë s’kisha menduar. Drita ime ka qenë ndoshta ngjashmëria me tim atë. Kështu thonë. Ka qenë idealist e ëndërrimtar. Më pas ka qenë arti, e më pas Sara. Patjetër, Sara është drita ime.

Beson se kemi fuqi të ndryshojmë atë çka është paracaktuar për ne, fatin tonë?

Besoj se zgjedhjet tona bëjnë fatin tonë, por a janë këto zgjedhje në vendin e duhur e në kohën e duhur? -Këtë nuk e di. Besoj se çdo e mirë ka një të keqe dhe që të dyja nuk kanë fund.

Fole për vajzën Sarën, cila është dëshira jote më e madhe për të?

Sinqerisht, fare-fare?

Po…

Të jetë e lumtur. Të mund të jetë vetvetja. Sot mendoj sinqerisht dhe dëshiroj sinqerisht dhe me keqardhje që Sara të largohet nga Shqipëria. Të largohet e të bëhet qytetare e Botës!  Tek e fundit  Bota është e  lirë dhe i përket kujtdo. Shqipëria ka pak të vështirë hapësirën e përkatësisë “secili të vetën”.

Shqipëria nuk është vend për vajzat?

Shqipëria është e vështirë për mendjet e hapura dhe demokratike, për njerëzit e paqtë e lumenjtë e thellë. Kjo vlen prej kohësh për këdo ka qenë i tillë dhe besoj vlen edhe për Sarën time. Shqiperia parapëlqen enët bosh që bëjnë zhurmë, e unë u mësova tashmë me këtë, por ajo s’ka përse ta kalojë një provë të tillë.

10349738_504901829688857_777283291_n 10661129_860692627376694_1200286541_n 10986237_463023307214747_1825358611_n 11849104_885426851525389_1873063605_n 11849929_647898805353198_976606321_n 12677141_1016594478389510_308330083_n 12729574_943675165686782_628980659_n 12751112_215953482087605_1703408241_n 13099056_1025767107507825_1861393421_n 13285229_247021539006373_1310133246_n 13414364_1309071925787753_1512930660_n 13652141_274007399650003_1109305022_n 13715095_122204538223618_882358007_n