Ballina Opinione Vaj-vatani e mjer mileti ku na katandisi Ali Ahmeti!

Vaj-vatani e mjer mileti ku na katandisi Ali Ahmeti!

Abdylmenaf Bexheti
Abdylmenaf Bexheti
 
Qeveria e ashtuquajtur teknike e Maqedonisë draftoi rebalancin e buxhetit 2016 dhe Parlamenti e miratoi atë, sërish pa debat përmbajtjesor, pa opozitë, pa llogaridhënie, pa përgjegjësi, pa transparencë, por me shumë ndryshime jologjike, kryesisht politike!
Buxheti, si akt, para së gjithash është ekonomik dhe social dhe krahas kësaj ka edhe komponentë politike, por kjo duhet të jetë vetëm një aspekt, bile shumë komplementar me dy të parat. Por, ne tash e një dekadë radhazi jemi mësuar me rebalancet e kësaj qeverisje – fillimisht me buxhetin bazë përfshin më shumë aspekte ekonomike dhe zhvillimore, si edhe ato politike, në kuptim të ekuilibrave të koalicionit.
Rebalancët, gjithmonë të rregullta (ndonjëherë edhe dy në vit), paraqesin fenomen për këtë qeverisje 10-vjeçare (që nga 2006-ta), me të njëjtat shprehi dhe “standarde” VMRO-iste, duke “tërhequr për hunde” BDI-në, që nuk ia mësoi tabiatet partnerit të vet strategjik, edhe pse me përbërje të njëjtë personale në këto dhjetë vjet qeverisje! Gjithmonë në fokus të shkurtimeve janë projektet “shqiptare”, duke filluar nga arsimi, kultura, infrastruktura, kryesisht në rajonet me banim dominues shqiptar dhe gjithnjë me arsyetime të njëjta banale! Bile edhe ministri i ri i Financave me po të njëjtat arsyetime, si paraardhësi i tij (demagogu dhjetëvjeçar), arsyetonte se buxhetin nuk e trajtojnë me ngjyra etnike por qytetare! Sikur u beson dikush! Natyrisht, përveç partnerëve të koalicionit, te të cilët fatkeqësisht ka funksionuar ky arsyetim. Prandaj shkurtohen mjetet për Pallatin e Kulturës në Tetove, Teatrin Shqiptar në Shkup, Universitetin e Tetovës dhe pothuaj të gjitha dikasteret e institucionet e “qeverisura” nga shqiptarët, si p.sh. Ministria e Arsimit dhe Shkencës me minus 4 mil. euro! Që të jetë ironia edhe më e madhe, kanë parashikuar vetëm 10 mil. denarë (160 mijë euro) për universitetin e ri shqip në Shkup “Nënë Tereza”, i cili duhet të fillojë me punë vetëm pas një muaji, ndërsa nuk ka kurrfarë infrastrukture hapësinore, teknike, burime njerëzore, laboratorë dhe mjete të tjera mësimore dhe shkencore! Kjo, thjesht, është tallje me projektin virtual që mban emrin gjigant! Ndërkohë po në këtë “buxhet qytetar” (sipas ministrit aktual), po rritet buxheti për Universitetin “Kirili dhe Metodi”, për atë “Kliment Ohridskin” dhe kjo nuk është kurrfarë befasie, apo?
Asnjë njohës sipërfaqësor i politikave publike dhe stilit të qeverisjes “standarde” VMRO-BDI nuk e befasoi ky rebalanc i buxhetit 2016 e aq më pak ata që i studiojnë më thellë këto raporte. Asgjë të re në këtë rebalanc, bile edhe për rrethanat e krizës së thellë politike nëpër të cilët kalon vendi më shumë se një vit.
Në anën e të ardhurave publike simbolikisht u shkurtuan të ardhurat burimore (kryesisht tatimet e konsumit – TVSH) dhe të ardhurat kapitale, se bashku me rreth 17 mil. euro. Që tani nënvizoj se, në rrethana të vazhdimësisë së krizës politike (që nuk do të mbarojë së paku deri në zgjedhjet e radhës), s’ka shanse të realizohet ky vëllim i të ardhurave. Bile, paradoksalisht parashikojnë, rritje të të ardhurave nga donacionet, që “mund të ndodhë” vetëm nëse kanë ndonjë “marrëveshje me Putinin ose Sheshelin”! Po vë bast publikisht me çka të duan “pushtetarët”, që asnjëherë nuk do realizohen 177 miliardë denarë (ose rreth 3 miliardë euro) për vitin 2016! Ky optimizëm irracional nuk është përjashtim në këtë buxhet – ka qenë standard i kësaj qeverisjeje me financat publike tashmë një dekadë!
Përderisa të ardhurat shkurtohen për gjithsej 50 milionë euro, shpenzimet publike shkurtohen vetëm për 12 milionë Euro, përsëri sjellje e zakonshme e kësaj qeverisje. Si rezultat rritet deficiti i planifikuar për rreth 38 mil. euro, që realisht do jetë shumë më i lartë, posaçërisht deficiti “i padukshëm” dhe faktik.
Më indikative në aspektin ekonomik, por edhe në atë social dhe politik është ridizajnimi i krahut të shpenzimeve publike. Ja çka ndodhë andej. Shkurtohet dhe shtohet ku nuk duhet, thjesht bëhen dy veprime negative njëkohësisht. Shkurtohen shpenzimet kapitale që edhe ashtu vështirë realizohen dhe rriten shpenzimet ekonomikisht më pak produktive – nga transfertet sociale, pagat e administratës e deri te pensionet. Ministria e Punëve të Brendshme sforcohet më shumë, policët sigurisht motivohen në kërkim të lojalitetit dhe servilitetit ndaj pushtetit, Gjykata Kushtetuese “shpërblehet” për plus 0,6 mil. euro si rezultat i dëgjueshmërisë dhe zbatimit të urdhrave politiko-partiake për shkatërrimin e sistemit juridiko politik të vendit, njëkohësisht sforcohet për 0,5 mil. euro shtesë edhe Agjencia e Zbulimit, ngase diktatorëve u nevojiten informacione asimetrike për të ndjekur kundërshtarët dhe për të sajuar e inskenuar armiq, kjo vetëm për mbijetesë të pushtetit! S’ka nevojë për detaje të tjera për ta cilësuar buxhetin si instrument aparatçiku partiak të partive në pushtet. Thjesht thënë, me instrumentin më të rëndësishëm (makro)ekonomik realizohet ekuacioni politik!
“Kutia e zezë” fiskale, sintetikisht e strukturuar si zë buxhetor në grupin 70 – punë ekonomike në vlerë të gjithmbarshme prej mbi 700 milionë euro (jo denarë) e destinuar gjoja për projekte ekonomike dhe kapitale, brenda të cilit edhe projekte të skulpturave dhe fasadeve të barokut në Shkup, nuk ka minimum transparencë analitike. Standardi i transparencës fiskale (si edhe buxhetet e të gjitha projekteve tjera), nuk lejon mbi 3% të zërit përmbledhës (sintetik) nga totali të destinohet si “kontingjent” për punë tjera, ndërkohë që tek analitika e zërave të këtij pozicioni mbi 70% e shumës (saktë 500 milionë euro) janë regjistruar në “analitikën” 704 – punë tjera ekonomike! Nuk duhet të jesh teknicient i fushës që ta kuptosh këtë katrahurë në nomenklaturën buxhetore të Maqedonisë, krejt vetëm për një qëllim – të fshehin çmenduritë rreth financimeve të panevojshme për projekte “lavatriçe” të parave të qytetarëve!
Abnormaliteti fiskal që prej 2009-ta e këndej, qëkur filloi i a.q. Projekti “Shkupi 2014” – pa asnjë debat publik, pa përfillje të prioriteteve dhe nevojave, pa proces të përgjimit të publikut, pa analiza të kosto-përfitimeve, pa transparencë minimale fiskale, u bë thjesht si hyrje në një aventurë pa e ditur fare stacionimin përfundimtar. Më pas, diku nga 2012-ta, ky abnormalitet u normalizua deri në ato përmasa, saqë edhe opinioni më i gjerë u bë imun ndaj kësaj aventure.
Si gjithmonë, nuk është ideja e këtij shtjellimi që t’i lodhim lexuesit me teknikalitete fiskale edhe kur ato janë antishqiptare. Buxheti i çdo qeverisje pasqyron jo vetëm politikat publike të saj, por edhe mënyrën e qeverisjes dhe praktikimin e saj. Në këtë aspekt atributet standarde të buxheteve të kësaj qeverisje, tash e një dekadë të plotë, pasqyrojnë më së miri (keq)qeverisjen e saj – buxhete megalomane, që zakonisht janë atribut i qeverisjeve të majta, pavarësisht se deklarohen të djathta; buxhete rishpërndarëse mbi parime të ideologjisë majtiste, edhe pse deklarohen të djathtë; buxhete të padrejta, edhe pse deklarohen (demo)kriastianë dhe popullor në kuptimin e drejtshmërive; buxhete konjunkturale, edhe pse deklarohen antidiskriminues; Buxhete diktatoriale, edhe pse e quajnë veten demokratë; buxhete egocentrike dhe personale, edhe pse shiten si institucionale; buxhete abuzive dhe korruptive, edhe pse shiten si prudentive; buxhete diskriminuese e selektive, edhe pse promovohen për inkluzive…
Bazuar në këto dhe shumë tjera atribute (bile edhe përtej këtyre) rezulton se kjo klasë ka mbajtur llogari për pafundësi në kohëzgjatje të qeverisjes dhe përfitimeve materiale e personale.
Kulmi (të shpresojmë se është ky) i papërgjegjësisë fiskale arrihet me të a.q. Euro-bono 2016 – fillimisht e paralajmëruar për 10 dhe më pas e ofruar me 7 vite (Po të jenë të sigurt në fitore politike, pse nuk e ofrojnë për tre vite?) në vlerë prej 650 milionë eurosh dhe normë interesi 5%. Tregu do tregojë me sa do të realizojë. Për një shtet me 2 milion banorë popullatë statistikisht dhe më pak se 1,5 mil. realisht, që nuk tejkalon vlerën e PBB-së prej 10 miliardë euro (po ashtu statistikisht), kjo është e pakuptueshme dhe njëkohësisht e padurueshme! Kjo ta rritë barrën e borxhit publik në mbi 5,3 miliardë euro ose në rreth 53% të PBB-së të vendit. Tmerri i këtij veprimi qëndron te destinimi! Këto mjete do të destinohen për efekte politike në vend atyre ekonomike. Pra, do të financohen nevojat rrjedhëse të buxhetit, nga pagat e administratës, pensionet e rritura, subvencionet (e korruptuara) bujqësore, trasnfertet sociale…, të gjitha të menaxhuara në mënyrë selektive për grupe të caktuara të interesit politiko-partiak. Teoria e financave publike ka dëshmuar se pa problem mbijetojnë shtete ekonomikisht të fuqishme edhe me borxh publik mbi 120% të PBB (si Italia p.sh.), por ama ka shumë raste kur kanë bankrotuar shtete edhe me më pak se 40% të PBB-së me borxh publik. Krejt kjo varet, në njërën anë, nga ekonomia dhe forca gjeneruese e saj, si dhe nga produktiviteti fiskal, në anën tjetër. Kjo është e lidhur ngushtë edhe me destinimin e huamarrjes, që në të ardhmen, kur të skadojë koha e shlyerjes (pagesës) së borxhit, projektet për të cilët e keni marrë atë, të mund “ta kthejnë vetë” borxhin!
Mbi të gjitha, efekti më negativ i gjithë kësaj aventure fiskale tentohet të jetë në vazhdimësinë e kësaj qeverisje. Sërish blerje edhe të një mandati, nëse jo për qeverisje, me siguri për relevancë dominuese opozitare. Problemi më i madh i huamarrjeve është se ata që do ta paguajnë borxhin pas 10 viteve, aktualisht bile nuk kanë të drejtë vote ose nuk janë pjesëmarrjes në procesin e vendimeve (elektorale) për këto veprime.
Një mësues i ndershëm (mbi 40 vite pune dhe sapo shpresonte pensionin), me gjithë hallet e veta që kishte, për këtë akt të mega-huamarrjes, më impresionoi kur më tha se “nuk kuptoj nga ekonomia, por kjo që po na ndodhë me borxhin mbi fëmijët dhe nipërit tanë, është ‘terrorizëm ekonomik’”!
Klasa e papërgjegjshme qeverisëse me në krye DPMNE-BDI, duke blerë mediume, analistë, gazetarë, bile edhe disa “ndërkombëtarë”, si dhe duke kërcënuar dhe inskenuar me burgosje, pothuaj i eliminuan të gjitha oponencat e zëshme. Sa për ekspertët e heshtur dhe intelektualët partiakë, që krekosin si “të pavarur”, të cilëve që moti u ka mbetur ashti në fyt, nuk kemi pse të humbasim hapësirë dhe rreshta për trajtim. Ata i ka dëshmuar koha si të dështuar, ani pse kanë përfituar! Na vjen keq që duhet ta ripërsërisim se shumë të paktë kanë qenë zërat kritikë që kanë oponuar dhe dëshmuar për dështimet. Qytetarët e thjeshtë, si p.sh. i fshatit Rakovec nga Malësia e Tetovës ose një tjetër i Bojanës së Shkupit, e deri te mixha i Karadakut, e kanë artikuluar shumë më drejtë dhe pa ekuivoke, me fjalorin e tyre popullor, gjendjen dhe sjelljen e politik(uajve)anëve tanë sesa shumë (pseudo)intelektualë me grada doktorë shkencash, që servilosen dhe pispillosen pas boss-ëve partiakë të dështuar. Ky është mjerimi ynë në këtë shekull. Fatkeqësisht, mbetet akoma aktuale poezia e famshme e Nolit (Anës lumenjve): ”Ku e lam e ku na mbeti, vaj vatani mjerë mileti”, që mund të rimohej edhe me “ku na solli Ali Ahmeti!” Dhëntë Zoti që nga këto gabime të mësojmë qeverisjet e regjionit dhe jo e kundërta, si shumëçka deri më sot!
Të mos harrojmë të procedojmë, duhet rimarrë gjithë pasurinë e paligjshme që e kanë grabitur nga populli, jo që t’i varfërojmë ata por që të mbushen me mend të tjerët pas tyre! Vetëm atëherë kemi bërë zgjidhjen e duhur. Edhe përgjimet na treguan se nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet e qeverisjes pa ndëshkime, sepse të tjerët do ta bëjnë më keq nesër. Së paku këto 25 vite “demokracie” na e dëshmuan këtë!
Loading...