Ballina Bota Turqi, Erdogan arreston dy vëllezër gazetarë

Turqi, Erdogan arreston dy vëllezër gazetarë

Dy vëllezërit gazetarë të arrestuar në Turqi, njëri shkrimtari i njohur Ahmet Alltan dhe tjetri Prof. Dr. Mehmet Alltan do të mbahen në paraburgim të paktën deri me datë 20 shtator. Vendimi është dhënë nga gjykata, ndërkohë të dy gazetarët e njohur përmes avokatëve të tyre kanë përcjellë dhe mesazhet e para për opinionin publik. Gazetari dhe shkrimtari, Ahmet Alltan në shkrimin e tij shprehet se është i sigurtë që akuzat ndaj tij do të hyjnë në histori si një rast i paprecedentë. “Është e sigurtë që këto akuza do të hyjnë në histori si një rast të paprecedentë. Megjithatë, është e vështirë të thuash nëse do të hyjnë në historinë e drejtësisë apo të humorit”. Ndërkohë, Prof. Dr. Mehmet Alltan thotë se “nëse do të kishte fuqi të jashtëzakonshme të subkoshiencës, është e sigurtë që do ta përdorja në funksion të një Turqie demokratike dhe të shtetit të së drejtës”.

Të dy gazetarët, vëllezërit Alltan janë arrestuar një javë më parë pasi akuzohen nga autoritetet turke si të dyshuar për thirrje dhe nxitje të tentativës së grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut në Turqi. Vëllezërit, Ahmet dhe Mehmet Alltan prej një jave mbahen të paraburgosur, dhe vetëm pas 5 ditësh janë lejuar që të takohen me avokatët e tyre. Të dy gazetarët, të cilët mbahen të arrestuar në ambientet e Drejtorisë së Anti Terrorit në Stamboll, kanë kundërshtuar akuzat e prokurorit Xhan Tunxhaj për “mesazhe të paramenduara”. Prokurori i çështjes, menjëherë pas vendimit për arrestimin e dy vëllezërve Alltan është larguar me pushime, ndërsa Ahmet Alltan, duke kundërshtuar një akuzë të tillë thotë se “një mendje e tillë, mund të pretendojë që ne kemi fuqi të mbinatyrshme për të folur me jashtëtokësorët, mund të pretendojë që dhe natën mund të veshim kostumin e Superman-it dhe të fluturojmë në qiell, mund të pretendojë që kemi fuqi manjetike, të cilat mund t’i përdorim për të zhvendosur malet”. Ndërsa, Prof. Dr. Mehmet Alltan në përgjigje të akuzave të ngritura ndaj tij, thotë se “nëse do të kisha fuqi të mbinatyrshme, padyshim dhe menjëherë do t’i kisha përdorur në të mirë të Turqisë, që ajo të mos ishte kjo që është sot dhe do t’i kisha përdorur për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Turqi”. Të dy gazetarët janë arrestuar me datë 10 shtator dhe do të mbahen në paraburgim, të paktën deri me datë 20 shtator.

“Një mesazh i subkoshiencës”

“Jemi arrestuar, pas një programi televiziv dhe akuzohemi me akuza të pakonceptueshme për nga një mendje e shëndoshë, për mesazhe të drejtpërdrejta dhe subkoshiente dhe për një marrëdhënie të supozuar me organizatorët e tentativës së grushtit të shtetit. Një mendje e tillë, mund të pretendojë që ne kemi fuqi të mbinatyrshme për të folur me jashtëtokësorët, mund të pretendojë që dhe natën mund të veshim kostumin e Superman-it dhe të fluturojmë në qiell, mund të pretendojë që kemi fuqi manjetike, të cilat mund t’i përdorim për të zhvendosur mallet. Kur drejtësia e humbet seriozitetin dhe kuptimin, atëherë çdo fjalë nuk ka më vlerë dhe çdo absurditet është i mundur. Të pretendosh që unë dhe vëllai im Mehmet Alltan ishim në dijeni të një tentative për grusht shtetit, kur një plan të tillë nuk e dinte Presidenti, Kryeministri, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Shefi i Shërbimit Sekret dhe se një gjë e tillë “është përtej vetëdijes së njeriut, por një vetëdije e subkoshiencë”, nuk mund ta krahasosh me asgjë tjetër përveçse me një mesazh absurditeti. Është e sigurtë që kjo akuzë do të hyjë në histori. Megjithatë, është e vështirë të thuash nëse do të hyjë në historinë e drejtësisë apo në historinë e parodisë dhe humorit. Pse po përballemi më një kapriço të tillë të ligjit? Mendoj që ka dy arsye kryesore. Së pari; përmes këtyre akuzave synohet të jepet mesazh i tmerrshëm që “ne për çdo kritikë mund t’ju akuzojmë me çdo akuzë alogjike”. Së dyti: synohet që hetimet për tentativën e grushtit të shtetit të marrin një goditje absurd dhe të shndërrohen në veprime qesharake dhe për rrjedhojë të shmangen hetimet dhe e vërteta. Nuk i di arsyet pse ata kanë kaq shumë frikë nga hetimet e tentativës së grushtit të shtetit dhe pse përpiqen të deviojnë hetimet e kësaj tentative. Por, ajo që di me siguri është që të dy këto veprime dhe shtrembërimi i ligjit është një krim i rëndë”.

“Nëse do të kisha fuqi të mbinatyrshme”

“Nëse ashtu siç pretendon dhe prokurori “hero” dhe i ri në moshë, do të kisha fuqi të mbinatyrshme për të përcjellë mesazhe subkoshiente, pra nëse do të kisha fuqi mbinjerëzore, pa asnjë dyshim do t’i kisha përdorur menjëherë për të ndryshuar gjendjen e tanishme në Turqi, që vendi im të ishte një shtet demokratik dhe shtet që respekton të drejtat e njeriut. Dhe falë kësaj, ne dhe shumë njerëz të tjerë nuk do të kishim përjetuar këtë vuajtje iracionale dhe antiligjore dhe Turqia do të kishte shpëtuar nga kjo situatë kaq e rrezikshme. Nëse prokuroria, në vend të këtyre akuzave absurde të padëgjuara ndonjëherë, do të kishte bërë një kërkim të shpejtë dhe do të kishte lexuar dëshmitë e mia në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për grushtet e shtetit, jam i sigurtë që do ta kishte menduar dy herë vendimin për të më arrestuar dhe për të më bërë pjesë të këtij procesi”.

*http://www.cumhuriyet.com.tr/haber/siyaset/600599/Gozaltindaki_Altan_kardesler_yazdi__Bilinc_altina_mesaj.htm

Loading...