Ballina Lajme Top Story, a i vendosi droga zgjedhjet në Dibër?

Top Story, a i vendosi droga zgjedhjet në Dibër?

Ulja e një avioni të vogël sportiv Piper në grykëderdhjen e Lumit Ishëm paraditen e së enjtes, riktheu debatin politik të trafikut të lëndëve nga ajri të 2014, kur një avion i ngjashëm ngeci në plazhin e Divjakës.

Opozita akuzon Qeverinë për lidhje me këtë trafik dhe se përdori paratë e drogës për blerjen e votave në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Sa të vërteta janë akuzat e opozitës dhe a është rasti i Ishmit i njëjtë me atë të Divjakës?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigjie gjashtë analistët, Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari, Preç Zogaj, Basir Çollaku, Mustafa Nano dhe Eduard Zaloshnja, në panelin e Top Story me Sokol Ballën.

Emisioni nisi me një lidhje direkt nga vendi i ngjarjes me gazetaren Anila Hoxha, e cila solli detaje të reja nga hetimet e prokurorëve, policisë dhe dëshmisë së pilotit italian.

Aktualisht janë nën hetim dy hipoteza, e para që është një incident i një turisti, ndërsa e dyta ajo e trafikut të lëndëve narkotike e mbetur në tentativë, që përforcohet akoma më shumë nga prania e Prokurorëve të Krimeve të Rënda, që kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Hipoteza bazohet fort tek fakti që në avion nuk është gjetur asnjë gjurmë lënde narkotike, ndërkohë që policia ka krehur zonën në një perimetër të gjerë dhe nuk ka gjetur as lëndë narkotike dhe as persona të dyshuar.

Ndërkohë, hipoteza e dytë ka të bëjë me dëshminë e pilotit italian, që nuk bind prokurorët. Ai ka deklaruar fillimisht që është ulur se ka pësuar një defekt teknik dhe më vonë që është ulur dhe gjatë përpjekjes për t’u ringritur ka pësuar defektin.

Burime jozyrtare nga prokuroria bëjnë me dije për Top Channel se ditën e premte do t’u kërkohet kompanive celulare aktiviteti telefonik në zonë për të mësuar nëse ka patur persona të tjerë e ndoshta edhe për të zbardhur ndonjë komunikim të shtetasit italian.

Në pritje të hetimeve të mëtejshme për të provuar ose jo hipotezën e dytë, piloti italian që drejtonte avionin pritet të dalë përpara gjykatës vetëm me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ngjashmëria me Divjakën

Në të dyja rastet është përdorur i njëjti tip avioni sportiv “Piper”, që janë avionë të lehtë për t’u ulur në terrene të vogla dhe për t’u ringritur sërish, por bdryshe nga Divjaka, ku u gjet edhe lëndë narkotike dhe autorët u arrestuan dhe sot po vuajnë dënimin e dhënë nga gjykata, në Ishëm nuk është gjetur asnjë gjurmë lënde narkotike.

Skënder Minxhozi u shpreh mosbesues dhe tha se po luhet politikisht me akuzat për trafik droge dhe sidomos për trafikun me avionë.

“Me drogën po bëhet politikë dhe të thuash që Shqipëria është një vend që sapo rrëzohet një avion ka një skemë droge mbrapa, është e tepërt”, u shpreh ai.

Gazetari Basir Çollaku ka një mendim krejt tjetër.

“Për mua ka elemente që kanë të bëjnë me një trafik droge. Krimet e Rënda dyshojnë e mund të ketë lidhje me trafikun e drogës. Ka informacione që piloti ka hyrë edhe dy herë të tjera në Shqipëri, një herë nga Rinasi dhe njëherë nga Muriqani. Kjo tregon se ai  e njihte Shqipërinë dhe nëse do të ishte për turizëm, s’e besoj që Ishmi është zgjedhja më e mirë”, deklaroi ai.

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës që thotë se parcelat e hashasit vendosën rezultatin e zgjedhjeve në Dibër, Arjan Vasjari i hodhi poshtë këto.

“Në të gjithë vendin janë identifikuar 363 zona ku janë mbjellë drogë dhe Dibra është një nga zonat që kultivon më pak drogë, janë 4 ose 5. Në Shkodër, një bastion i PD janë 21 zona të tilla”, deklaroi ai.

Preç Zogaj deklaroi se në vend është mbjellë hashash më shumë se çdo vit tjetër dhe sipas tij, paratë e drogës mund të jenë përdor në zgjedhjet e Dibrës.

Pjesa e dytë nisi me një analizë të votës nga Eduard Zaloshnja. Ai solli një grafik krahasues mes votës së dibranëve në 2005, 2009 dhe 2016.

“Janë 1500 deri në 2000 vota në Dibër që lëvizin herë majtas dhe herë djathtas. Është një fenomen normal që është më i theksuar në zonat e varfra. Nuk është anomali elektorale për Dibrën dhe për zona të tjera të varfra dhe kemi edhe zona të tjera që 1500-2000 votues ndryshojnë krahun çdo zgjedhje”, tha Zaloshnja.

Në fund, analistët interpretuan humbjen e Partisë Demokratike në Dibër. Arjan Vasjari tha se argumenti i opozitës nuk justifikohet nga rezultati i thellë.

“Është e pamundur që droga dhe blerja e votës të ketë përcaktuar rezultatin sepse janë mbi 4100 vota. Unë besoj rezultati nuk ka lidhje me fenomenin e kanabisit, nuk ka lidhje me shit-blerjene  votës”, deklaroi ai.

Për Vasjarin shkak i humbjes është vetë opozita dhe për këtë dha dy arsye kryesore.

“Së pari, nuk i drejtohet grupit që është elektorati gri dhe së dyti opozitës i mungon empatia. Nuk të shkakton simpati sepse modeli “Basha”, është një model i adoptuar, është modeli Berisha”, deklaroi Vasjari.

Skënder Minxhozi u ndal tek debatet brenda vetë Partisë Demokratike për të ilustruar mendimin e tij.

“Mjafton të lexojmë kritikat konkrete dhe therëse mes kreut të Partisë Demokratike dhe deputetëve. Pra kemi patur akuza mjaft të rënda ndaj Bashës dhe mjafton kjo për të kuptuar që Dibra nuk ishte thjesht produkt i një hambari hashashi’, u shpreh ai.

Preç Zogaj tha se rezultati nuk mund të shpjegohet politikisht dhe shprehu bindjen se është i deformuar.

„E majta mund t’i kishte fituar zgjedhjet, por ky rezultat nuk ka shpjegim tjetër vetëm përmes parash, presionit e të tjera“, tha ai.

Sipas tij, më shumë sesa kush e fitoi Dibrën, shqetësimi duhet të vijë për fenomenin e shit-blerjes dhe presionit për votën.

„Duhet të na bëjë të alarmohemi me fenomenin që ka ndodhur. Më parë ndodhte nga njerëz me uniformë, përfaqësues të shtetit, ndërsa tani nga gangsterë të krahinave që nën siglën e partisë marrin votat me presion, para e të gjitha mjetet. Impakti i drogës mbi zgjedhjet është këtë kohë, nuk ka qenë asnjëherë më parë”, deklaroi ai.

Analisti Mustafa Nano deklaroi se opozita nuk ngjall shpresë.

“Kjo maxhorancë është një nga mazhorancat më të korruptuara në këtë vend, por për këtë opozitë, me të cilën nuk po merret njeri fare, nuk ka asnjë analizë…”, tha Nano.

Loading...