Ballina Bota Analiza Përse Moska nuk e do Hilarin presidente?

Përse Moska nuk e do Hilarin presidente?

SHPËRNDAJE

“Nëse Hilari Klintoni zgjidhet presidente, atëherë bota do ta mbajë mend 25 gushtin 2016, si ditën kur ajo nisi Luftën e Dytë të Ftohtë”, ka shkruajtur Clinton Ehrlich në një artikull për “Foreign Policy”.

Në një fjalim muajin e kaluar për Donald Trampin, Klintoni e quajti Presidentin rus, Vladimir Putin, si kumbarin e nacionalizmit ekstrem të krahut të djathtë. Për vëzhguesit e Kremlinit, nuk ishin aspak epitete rastësore. Dy vjet më parë, në fjalimin më të famshëm të karrierës së tij, Putini e akuzoi Perëndimin për mbështetjen e marrjes së pushtetit me armë në Ukrainë, përmes “ekstremistëve, nacionalistëve dhe krahut të djathtë”. Hilari jo vetëm e fyeu Presidentin rus. Ajo e bëri duke përdorur fjalët e tij.

Në analizën e tij, e ndërtuar edhe mbi bazën e përvojës së akumuluar në studimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Ehrlich shkruan se, “vendi që Hilari Klinton përshkruante në fjalimin e saj të para dy javëve, ishte i panjohshëm për shtetasit rusë. Antigrua? Qeveria e Putinit u ofron nënave që punojnë tri vite leje me pagë. Jotolerant? Vetë presidenti mori pjesë në hapjen e xhamisë së madhe në Moskë. Racist? Putini shpeshherë mburr diversitetin etnik të Rusisë”. Rusëve iu duk se Klintoni po fabrikonte një arsyetim për të shtuar armiqësitë.
Më tej, në analizën për “FP”, autori ka edhe një shpjegim. Sipas tij, Moska e percepton ish-sekretaren e Shtetit si një rrezik ekzistencial. Ekspertët e politikës së jashtme, me të cilët autori ka biseduar, nuk kishin aspak respekt për Klintonin. Sipas tyre, kapitulli më i dëmshëm i kohës që ajo ishte në krye të Departamentit të Shtetit, ishte ndërhyrja e NATO-s në Libi, që Rusia mund ta kishte penguar me veton në Këshillin e Sigurimit. Moska lejoi që misioni të vazhdonte, vetëm sepse Klintoni kishte premtuar që zona e ndalim-fluturimit nuk do të përdorej kurrsesi për ndryshim regjimi.
Dhe temperamenti i Hilarit u bë i famshëm kur ajo u largua demonstrativisht nga një takim me ministrin e Jashtëm Lavrov, vetëm pak sekonda pasi kishin shkëmbyer komplimentet e rastit. Po kështu, perceptimi që Klintoni nuk është e qëndrueshme vetëm sa u përkeqësua prej fjalëve që ajo pinte shumë kur ishte kryediplomate e Amerikës. Nuk janë pak: janë akuza që kanë një peshë të madhe, në një vend që ia vë fajin alkoolizmit të Boris Jelsinit, për shumë prej dështimeve të fillmviteve nëntëdhjetë.
Dhe dallimet kulturore e kanë përkeqësuar situatën, vazhdon analiza. Në Rusi, ku edhe t’i buzëqeshësh një njeriu në rrugë konsiderohet sëmundje mendore, udhëheqësit duhet të projektojnë një pamje qetësie të palëkundur. Në këtë drejtim, Hilari ka shfaqur atë që ekspertëve rusë u duket si sjellje shqetësuese: lehje si qen, tundje koke dhe ngërdhjeshje të ekzagjeruara. Dhe sipas kësaj analize, rusët nuk e duan Trumpin për shkak se ai manipulohet kollaj, por mbi të gjitha për shkak se axhenda e tij “Amerika e para”, i shkon shumë për shtat pikëpamjes që ai ka për marrëdhëniet ndërkombëtare. Për Moskën, “vetëm parashikueshmëria e realpolitikës mund të ofrojë koherencën dhe stabilitetin e nevojshëm për një paqe të qëndrueshme”, thuhet mes të tjerash në analizën e “FP”.

Çfarë mendon Kremlini?
Për të kuptuar se çfarë Kremlini mendon për mundësinë e Hilari Klinton për t’u bërë presidente e SHBA-së, është e mjaftueshme për të parë mbulimin televiziv të televizionit rus në momentin kur ajo pranon kandidaturën e Partisë Demokratike.
Siç shkruajnë mediat e huaja, gjatë kësaj ngjarje shikuesve rusë u tha se Klinton e sheh Rusinë si një armik dhe nuk mund t’i besohet, ndërsa Konventa e Partisë Demokratike u portretizua si provë e mëtejshme se demokracia amerikane është një mashtrim. Në fjalimin e saj të pranimit të kandidaturës, Klinton riafirmoi përkushtimin ndaj NATO-s, duke thënë se ajo ishte “krenare për të qenë afër aleatëve në NATO kundër çdo kërcënimi që ata përballen, duke përfshirë edhe atë nga Rusia”.
Duke vepruar kështu, ajo ishte kishte qortuar rivalin e saj, kandidatin republikan Donald Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje nevojën për aleancën perëndimore dhe sugjeroi se nëse ai zgjidhet president, Shtetet e Bashkuara nuk mund të respektojnë angazhimet e saj ushtarake të NATO-s, në veçanti në lidhje me ish-Republikat sovjetike në Baltik.
E siç shkruan më tej, “AP”, ndërsa pozicionimi i Tramp ka kënaqur Kremlinin, deklarata e Klinton ka provokuar në mënyrë të qartë.
“Ajo përmendi Rusinë vetëm një herë, por ajo ishte e mjaftueshme për të parë se epoka e rivendosjes ka përfunduar”, ka thënë “Channel One”, në raportin e saj.
Nga ato që përmenden tek Klinton është edhe fakti se ajo një herë kishte krahasuar aneksimin e Krimesë me lëvizjet e Adolf Hitlerit në Evropën Lindore në fillim të Luftës së Dytë Botërore, krahasim që ishte ofendues për Rusinë, ku fitorja e vendit ndaj Gjermanisë naziste mbetet një nga momentet kryesore të krenarisë kombëtare.
Tramp, në anën tjetër, i tha “This Week” të “ABC”-së në një transmetim të dielën se ai dëshiron të marrë në konsideratë faktin nëse SHBA-të duhet të njohin Krimenë si pjesë të Rusisë.
“Ju e dini, njerëzit e Krimesë, nga ajo që unë kam dëgjuar, më parë do të donin të ishin me Rusinë se sa aty ku ishin”, ka thënë Tramp.
Kjo deklaratë e tij bie ndesh me pozitën e administratës Obama dhe Bashkimit Evropian, të cilat kanë imponuar sanksione ndëshkuese ndaj Rusisë në përgjigje të aneksimit.
Gjëja tjetër që përmendet në “konfliktin” Klinton-Rusi është edhe momenti kur Klinton përshkroi zgjedhjet parlamentare të Rusisë 2011 si të manipuluara, për të cilën gjë Putin tha se ajo ishte “duke dërguar një sinjal” për kritikët e tij.
Ai më pas kishte akuzuar Departamentin e Shtetit amerikan për mbështetje financiare të protestave të dhjetëra mijëra njerëzve në rrugët e Moskës që kërkonin zgjedhje të lira dhe një fund të sundimit të Putinit.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, Rusia është i dyshuari kryesor në hakerimin e kompjuterëve të Komitetit Kombëtar Demokratik, që çoi në publikimin e e-mail-eve që treguan se zyrtarët e partisë favorizuan Klinton mbi Sanders për nominimin presidencial.
Por siç shkruhet më tej, Kremlini ka mohuar një gjë të tillë. Megjithatë, një gazetar në gazetën më të shitur Rusisë, vlerëson se një gjë e tillë do të ishte një veprim i zgjuar. “Unë e mirëpres ndihmën e Kremlinit për ato forca në Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë për paqe me Rusinë dhe demokracinë në Amerikë”, ka shkruar Israel Shamir në Komsomolskaya Pravda.