Ballina Lajme Ligji për Specialen, Kushtetuesja blen kohë

Ligji për Specialen, Kushtetuesja blen kohë

Fati i Prokurorisë Speciale vazhdon të mbahet pezull nga ana e Gjykatës kushtetuese. Seanca e parë pas pushimeve verore e Kushtetueses do të mbahet më 28 shtator. Alsat M kërkoi disa sqarime nga ana e këtij institucioni lidhur me atë se kur do të diskutohet kushtetutshmëria e ligjit për Prokurorinë Speciale Publike. Por e vetmja përgjigje që morëm ishte kjo:

“Ju informojmë se seanca e Gjykatës Kushtetuese është caktuar më 28 shtator, 2016, ku rendi i ditës është publikuar në ueb faqen tonë”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.

Por në rendin e ditës të seancës së ardhshme, nga gjithsej 11 pikat për diskutim, asnjëra prej tyre nuk i dedikohet Prokurorisë Speciale. Nëse shfuqizohet ligji për Prokurorinë Speciale, mund të shkaktojë konfuzione të mëdha në datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Abdilaqim Ademi nga BDI është shprehur se në asnjë moment nuk duhet vënë në pikëpyetje fati i PSP-së, dhe se nuk ndajnë të njëjtin mendim me partnerin e tyre të koalicionit.

“Unë nuk jam përfaqësues dhe avokat i tyre, flas në emër të BDI-së dhe mendojmë se as që duhet të mendohet për të vlerësuar kushtetutshmërinë e këtij ligji sepse është institucion i përkrahur nga katër partitë politike, komuniteti ndërkombëtar, duket nga sondazhet që ka përkrahjen edhe të qytetarëve dhe pritshmëritë e tyre janë shumë të mëdha. Nuk do të ndodhë dhe nuk guxon të ndodhë sepse kjo do të nënkuptonte riciklimin e krizës por edhe thellimin e saj”, u shpreh Abdilaqim Ademi, BDI.

Nga LSDM-ja thonë se edhe nëse shfuqizohet ndonjë nen i ligjit për Prokurorinë Speciale, Kuvendi është i obliguar që në afat prej 5 ditësh të ndryshojë përbatjen e tij.

“Në marrëveshjen politike që kemi arritur thuhet se nëse Gjykata Kushtetuese do të sjellë vendim për shfuqizimin e Prokurorisë Speciale Publike, e njëjta do të riformohet për 5 ditë e kështu me radhë”, tha Damjan Mancevski, LSDM.

Partia shqiptare në opozitë PDSH, thotë se shfuqizimi i ligjit për PSP-në do të shkaktonte probleme të mëdha në vend në prag të zgjedhjeve.

“Nëse mund të ndodhë vërtetë do të krijohet një problem shumë i madh dhe atëherë normalisht do të duhet t’i rishikojmë vendimet tona”, tha Bekim Fazliu, PDSH.

Gjykata Kushtetuese pas pushimeve verore, në tre vitet e fundit ka nisur punën me vonese. Nga viti 2010 deri më 2013-n, seanca e parë është mbajtur më së voni deri më 15 shtator. Ndërsa këtë vit seanca e parë është caktuar më 28 shtator. Por pavarësisht vonesave, as në seancën e parë pas pushimeve, rendi i ditës nuk parashikon hapjen e çështjes së kushtetutshmërisë së Speciales.

Agron Vrangalla

Loading...