Ballina Lajme “Haxhi Qamili” ose legjitimimi i krimit

“Haxhi Qamili” ose legjitimimi i krimit

SHPËRNDAJE
Zeqirija Ibrahimi
Zeqirija Ibrahimi

Ta legjitimosh krimin, korrupsionin, amoralitetin, vjedhjen, ryshfetin, vrasjen e shqiptarëve dhe burgosjen e tyre me burg të përjetshëm dhe këtë ta bësh në emër të një shqiptarie të shpifur, duke i akuzuar të tjerët si antishqiptarë – si “Haxhi Qamilë”, kjo le që është diletantizëm intelektual, por edhe flet se sa smirëzinj dhe sa dashakeqë janë ata për kombin e tyre .

Ishin mbledhur javën që shkoi në Prishtinë disa të ditur dhe intelektualë dhe kishin diskutuar gjerë e gjatë për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni. Ndonëse detajet e takimit nuk i pashë të publikuara gjëkundi, ajo që më ra në sy ishte një debat që atë ditë, si uverturë e takimit, ishte organizuar po ashtu në një TV të Kosovës, ku merrte pjesë një gazetar i Kërçovës, që prej vitesh jeton në Prishtinë, pastaj një funksionar i lartë i një partie opozitare për reforma nga Maqedonia dhe një tjetër “intelektual” që kishte marrë rolin e gjykatësit që të gjykojë se kush janë shqiptarët e mirë dhe gjysmëshqiptarët ose, edhe më keq, antishqiptarët në Maqedoni.

Dhe, aty nuk ishte i rëndësishëm debati, sepse ata që akuzoheshin as nuk ishin ftuar e as që u ishte dhënë e drejta e mbrojtjes, por duke luajtur rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, pjesëmarrësit në emision shpallnin verdiktin se shqiptaria në Maqedoni nuk qenka e rrezikuar nga kriminelët, të korruptuarit e mashtruesit në pushtet, porse shqiptaria qenka në rrezik për shkak të “lëvizjeve haxhiqamiliste” – duke aluduar me këtë rast në Lëvizjen BESA. Sa e lëshonte njëri, e merrte tjetri, ndërsa përfaqësuesi i partisë opozitare shqiptare (që as nuk u distancua nga ato akuza, as nuk i mohoi), që e ka gojën plot bashkëpunim opozitar, rrinte heshtur dhe sa nuk zgërdhihej që ai nuk kishte nevojë të shante, sepse atë argatllëk e kryenin dy pjesëmarrësit e tjerë në emision. Megjithëse kjo është një dëshmi më shumë se bashkëpunimi opozitar nuk do të ndodhë dhe kjo për faktin se partia shqiptare në pushtet është kujdesur mirë që kjo të mos ndodhë, duke ndezur zjarrin e urrejtjes së asaj partie opozitare kundër Lëvizjes BESA (ajo parti nuk merret as me pushtetin e as me partinë që dëshiron ta reformojë, sa merret me BESËN), kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e këtij diskutimi.

“Haxhi Qamili” ose legjitimimi i krimit

Ajo që është e rëndësishme dhe që duhet të vihet në pah është akuza për haxhiqamilizëm. Ndonëse dyshoj se ata që e shqiptojnë këtë e dinë saktë se çfarë ka qenë puna me Haxhi Qamilin (një fshatar donkishot i Shqipërisë së Mesme, që u ngrit kundër Princ Vidit për ta rikthyer sulltanin), por ato leksione mund t’i mësojnë mbase, e rëndësishme ishte se ky debat, si edhe ai që u organizua para do kohe në Shkup nga partia shqiptare në pushtet, natyrisht i kamufluar mirë nga një organizatë zvicerane-shqiptare, kanë qëllimin e njëjtë: të ngrenë alarmin se Lëvizja BESA është lëvizje politike antishqiptare dhe prandaj më mirë të votohen kriminelët, të korruptuarit, të pamoralshmit, të paditurit dhe të egrit e pushtetit sesa “antishqiptarët”. Dhe, më mirë se mund të bëhej kjo nga “mendjendriturit” e kombit në Prishtinë dhe, aq më shumë nga ata të mërgatës, nuk mund të bëhej ndryshe. Ta legjitimosh krimin, korrupsionin, amoralitetin, vjedhjen, ryshfetin, vrasjen e shqiptarëve dhe burgosjen e tyre me burg të përjetshëm dhe këtë ta bësh në emër të një shqiptarie të shpifur, duke i akuzuar të tjerët si antishqiptarë – si “Haxhi Qamilë”, kjo le që është diletantizëm intelektual, por edhe flet se sa smirëzinj dhe sa dashakeqë janë ata për kombin e tyre. Në botën e qytetëruar nuk ka asnjë arsye të shëndoshë që e legjitimon krimin dhe vrasjen. Por, këtë e bëjnë bukur vetëm enveristët, që – siç po merret vesh së fundi – në emër të këtij makiavelizmi i kanë vrarë edhe shokët e tyre në luftë dhe pas lufte, kanë abuzuar me fondet e mërgatës shqiptare dhe sot e spiunojnë njëri-tjetrin dhe e fusin në burg.Mund të duket patetike dhe e personalizuar, por këta enveristë duhet ta dinë se nëse ata mendojnë se shqiptarët e Maqedonisë duhet të shfetarizohen që të bëhen shqiptarë të mirë, le që e kanë huqur krejt, sepse kjo nuk do të ndodhë kurrë, por nuk duhet të harrojnë se ashtu edhe më shumë do ta sponsorizojnë ekstremizmin fetar, ndërsa kjo do të prodhojë pasoja fatale për të gjithë ne si komb. Sepse, sociologjia thotë që ekstremizmi ushqehet nga ekstremizmi. Prandaj, nëse janë të paditur në këto fenomene shoqërore, mund t’u falet, por nëse e bëjnë që ashtu t’i mbrojnë “shokët” e tyre – të deklaruar “më shkja se shk’jet”, kjo është shumë e ligë prej tyre.

Nuk mund të lejoj vetë, siç nuk mund të lejojë as shumica e shqiptarëve të Maqedonisë, që standard i shqiptarit të mirë të jetë mosvajtja në xhami, moasgjërimi, gota e verës “Skënderbeu” dhe lufta kundër shamisë. Ne kemi respekt për figurën kombëtare Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe ky është fakt që nuk e lëkund askush, ama nuk mundet që për shkak të këtij respekti të dehemi me “Skënderbeu”, sepse ashtu bëheshkim shqiptarë më të mirë.

Në debatin që ishte në Shkup, ku kisha mundësi të marr pjesë si dëgjues, sepse në Prishtinë ishim të përjashtuar, e pyeta njëfarë politikani dhe “studiuesi” të Prishtinës, që akuzonte pa turp në këtë mënyrë, se me çfarë parametrash ai e ka matur se çfarë është shqiptaria e mirë dhe çfarë është shqiptaria e keqe ose antishqiptaria? Nejse, si diletantë që janë për interpretime teorike, as ai nuk kishte përgjigje, por kjo pyetje vazhdon të jetë akoma në skenë. Kush, pos Enver Hoxhës, e ka përcaktuar se vetëm shqiptarët që nuk agjërojnë, që nuk shkojnë në xhami, që nuk falen, që nuk e respektojnë veshjen fetare të femrës etj., se vetëm ata janë shqiptarë të mirë? Ky nuk është liberalizëm, as shqiptari, por është ekstremizëm tipik enverist. Madje, shikuar teoretikisht, më besnik ndaj shqiptarit primordial, atij që e prodhoi Rilindja Kombëtare Shqiptare, janë pikërisht shqiptarët e Maqedonisë. Sami Frashëri shumë më tepër i ngjante një shqiptari të sotëm të Maqedonisë se një shqiptari të Kosovës a të Shqipërisë. (Mjafton t’i shihni fotografitë familjare të Samiut dhe t’i lexoni veprat e tij.) E, nëse shqiptarët akoma askund nuk kanë ndërtuar një standard të nacionalizmit shqiptar, kush janë këta intelektualë të shpifur që marrin guximin që në Shkup të ngrenë alarmin se “rreziku i shqiptarëve në Maqedoni vjen nga BESA” ose në Prishtinë se “shqiptarët në Maqedoni janë të rrezikuar nga lëvizjet haxhiqamiliste”? Nëse ata mendojnë se është kjo koha e Enver Hoxhës dhe se ata i bëjnë standardet si duan vetë dhe pastaj i imponojnë me dhunë e me kërbaç, e kanë fort gabim. Sepse enverizmin e kemi shkelmuar një herë më 1990 dhe tash e ka radhën që edhe në Maqedoni ta shkelmojmë, duke i hequr nga skena “shokët” e tyre enveristë.

“Isuf Qamili”

Dhe, që të mos i mbetemi borxh lexuesit, ta shpjegojmë se pse në titull “Isuf Qamili”. Sepse enveristët, pa vetëdije të plotë, gjithnjë shërbehen me shembuj të njëjtë dhe e shpalosin veten. Para do kohe një enverist në Maqedoni i etiketoi me “Isuf Qamil” të gjithë ata që e braktisin partinë e tij. Dhe, kur tash e dëgjon akuzën “Haxhi Qamil”, nuk ke si mos bindesh se bëhet fjalë për matricë të njëjtë, për shkollë të njëjtë e model të njëjtë diskualifikimi e përjashtimi – “të gjithë që nuk janë me ne, janë armiq të popullit dhe meritojnë të zhduken”. “Qamilët” janë sot armiqtë e enveristëve dhe ata, sipas tyre, duhen zhdukur.

Lajmi i keq për enveristët 

E duan apo e urrejnë, u pengon ose e admirojnë, e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni është në ndërtimin e një opsioni politik autentik dhe autokton, që përkon me vlerat tradicionale shqiptare në Maqedoni, që nuk është importim as nga Lindja, por as nuk është ideologjik enverist e, aq më pak, liberal-jugosllav. Nëse dikujt i pengoi që vajzat e reja shqiptare me shami e pa shami, por me flamur kuq e zi, protestuan në protestat e 9 majit të këtij viti në Shkup ose që nënat shqiptare, rëndom me shami, dolën me flamur kombëtar e me flamur të BE-së në protestë, kjo nuk është problem i shqiptarëve në Maqedoni, por problem i atyre që kanë perceptim të gabuar për shqiptarinë.

Nëse ne, shqiptarët e Maqedonisë, kemi respekt për bindjet ateiste, madje kemi dashuri për vëllezërit tanë shqiptarë të besimeve të tjera, bile i tolerojmë edhe ata që me sjelljet e tyre nuk e nderojnë fort shqiptarinë e projektuar nga ne dhe këtë e bëjmë në emër të ruajtjes së kohezionit brendakombëtar, kujtoj se do të ishte e drejtë që edhe ne, që nuk dimë të pimë “Skënderbe”, që mund t’i kemi nënat dhe gratë me shamia, që shkojmë në xhami (por, pa bërë fotografi për Facebook) dhe që agjërojmë, të kemi të drejtë ta përfaqësojmë vetveten dhe popullin tonë.

Fundja, nëse e shtyjmë më larg krahasimin, ofendohem rëndë nëse një enverist e konsideron veten më shqiptar se unë. Sepse, më shumë se që i ka dëmtuar Enver Hoxha shqiptarët, në përgjithësi, dhe më shumë se që i ka dëmtuar e poshtëruar BDI-ja enveriste shqiptarët e Maqedonisë, nuk mund ta bënte askush.  Por, lajmi i mirë është se enverizmi po shkulet edhe nga trevat tona.