Nga Ervin Fetahu
Historia e gjirafave të Mehmet Aliut është tepër mbresëlënëse, kur mendon se si ato u përdorën në formë “dhuratash diplomatike”, ndoshta një traditë mijëra vjeçare. Udhëtimi nis në tetor të vitit 1826-të, ishte koha kur pushteti i Pashait të Egjiptit sa vinte dhe konsolidohej, ndaj edhe Mehmet Aliu vendosi të dërgonte tre gjirafa nëpër mbretëritë e Europës, pikërisht në kryeqytetet e asaj kohe për të siguruar mbështetje për mbretërinë e tij të Nilit.
Me sugjerimet e Bernadino Dovrettit, këshilltarit francez pranë tij, ai mendoi të niste këtë kafshë ekzotike në Francë si dhuratë tek mbreti Çarl, një tjetër do e niste në Vjenë tek perandori i Austrisë, dhe një në Londër. Kur gjirafa me destinacion Francën mbërriti në Marsejë si dhuratë për Çarlin i X-të, francezët u shtangën dhe dolën turma në rrugë gati 30-të mije vetë, si duket ishte hera e pare që shihnin nëpër rrugët e tyre një kafshë kaq të çuditshme dhe shumë të gjatë, kishin të drejtë, ishte një nga kafshët më të rëndësishme të kontinentit afrikan.
Kafsha qafëgjatë kishte përshkuar mijëra milje lundrim në lum e në det, për të mbërritur pas 32 ditësh në Marsejë e më pas në Paris. Anija ishte pajisur me të gjitha konditat, madje i kishin qepur edhe një kapardinë me kapuç që mos ta zinte shiu,e ngarkuar me foragjere dhe ushqime, e shoqëruar nga një natyralist i njohur si Etienne Geoffroy, një bari, tre lopë dhe një deve, pse lopë dhe deve do të thoni ju…!? Sepse ajo ishte e mitur kërkonte qumësht lope apo deveje, për arsye se udhëtimi ishte tej mase i vështirë për të transportuar të tilla kafshë.
Njerëzit filluan ta quanin “kafsha e bukur e mbretit” pasi ajo mbërrin në Paris aty u mblodhën trefishi i njerëzve që ishin mbledhur ne Marsejë, dhe u vendos në Jardin des Plantes. Kjo kafshë e bukur u bë nê një farë mënyre simbol i vendit, filluan të shkruajnë gazetat, shkrimtarë të ndryshëm si Balzaku e Gustave Flaubert e trajtuan në romanet e tyre, enët e qeramikave të ndryshme e bënë simbol të sfondeve të tyre, mobilje të ndryshme përdorën imazhin e saj si zbukurim, gati-gati edhe femrat filluan të vishnin fustane që përngjanin me lëkurën e gjirafës.
Historia e gjirafave në Europë u rikthye pas tre shekujve, ku dinastia Mediçi në 1486-ën e kishte sjellë një gjirafë ne Firence sërish nga Egjipti, në kujtim të Jul Cezarit i cili e mori dhuratë nga Kleopatra. Ajo është përdorur në formë dhurate mijëra vjet më parë, ku u bëheshin si dhurata Faraonëve, ku sipas tyre këto kafshë bartnin simbolika mistike.
Gjirafa përbënte simbolin e një kulture dhe bote tjetër të ndryshme nga ajo europiane, ngelet mister përse Mehmet Aliu i madh zgjodhi këtë kafshë gjatoshe… Edhe pse populli i Francës e priti plot dëshirë e kureshtje!