Ballina Lajme Ekspertët: Nevojitet vullnet politik për implementimin e gjuhës shqipe në mbarë territorin...

Ekspertët: Nevojitet vullnet politik për implementimin e gjuhës shqipe në mbarë territorin e vendit

SHPËRNDAJE

Implementimi i gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Republikës është e drejtë kushtetuese pavarësisht se cila parti politike e ngrenë si iniciativë. Kështu vlerësojnë ekspertët juridik, sipas të cilëve edhe sikur koalicioni opozitar të vinte në pushtet, nuk do të ketë mundësi për ndryshime kushtetuese pasi që do të përballet me numrin e pamjaftueshëm të votave. Megjithatë, gjithnjë sipas ekspertëve, nuk ka kurrfarë pengesë që të implementohen dispozitat aktuale kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Koalicioni i ardhshëm edhe po t’i fitojë zgjedhjet, pra koalicioni opozitar, nuk do të ketë numrin e mjaftueshëm prej 82 votave në parlament për ta ndryshuar kushtetutën edhe pse koalicioni i ardhshëm nuk do t’i ketë votat, mendoj se ka mundësi të mjaftueshme me zbërthim afirmativ të kushtetutës dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që të bëhen avancime të dukshme në gjuhë dhe në kulturë duke përfshirë edhe përdorimin e gjuhës në gjithë territorin e shtetit”, tha Mersel Bilalli, ekspert juridik.

Ndërkaq Mersim Maksuti mendon se deklarata e liderit të opozitës maqedonase e dhënë ditë më parë, mund të konsiderohet si një moment i ri pozitiv. Sipas Maksutit Zaev e ka kuptuar se pa shqiptarët nuk mund të ketë stabilitet në vend.

“Tashmë Zaev e ka pranuar se shqiptarët në këtë vend paraqesin një realitet të pamohueshëm kur duhen pranuar të drejtat e tyre në tërësi, përfshirë edhe zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e këtij vendi. Dhe pa mëdyshje se iniciativa dhe deklarata e tij duhet përshëndetur duke pasur parasysh se partitë tona politike që na përfaqësojnë asnjëherë nuk morën iniciativën që në mënyrë serioze të çojnë avancimin e zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe në Maqedoni”, u shpreh Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Sipas ekspertëve të lartpërmendur Amendamenti i cili e rregullon çështjen e gjuhës shqipe, e trajton atë si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës. Pasuset e mëposhtme vetëm se definojnë linjën nën të cilën nuk duhet të kalohet por asgjë nuk ndalon që të shkohet përpara.

Agron Vrangalla