Ballina Lajme BDI ME DY PROPOZIME PËR NJËSINË E GJASHTË

BDI ME DY PROPOZIME PËR NJËSINË E GJASHTË

SHPËRNDAJE

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim konfirmuan për TV SHENJA se dje dhe sot u kanë dërguar dy propozim ligje tre partive të tjera parlamentare, VMRO, LSDM dhe PDSH, për ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore. Nga kjo parti thanë se koordinatori Talat Xhaferi ka propozimet i ka dërguar në formë të shkruar dhe gjatë fundjavës partitë kanë kohë ti shqyrtojnë të njëjtat. Të hënën në mbledhjen koordinative të koordinatorëve të grupeve parlamentare me kreun e Kuvendit, Trajko Veljanovski, do të shpalosen vërejtjet dhe qëndrimet e partive për dy propozimet e BDI-së, por nuk është caktuar nëse në të njëjtën ditë do të hyjë në procedurë parlamentare. Nga BDI nuk deshën të zbulojnë detaje nga propozimet e tyre, por jozyrtarisht spekulohet se një nga propozimet është që Dibra të kalojë në njësinë e pestë zgjedhore. Gjithashtu qëndrim i BDI-së ka qenë që të ridefinohen edhe kufijtë e njësive të tjera me qëllim që dallimi të jetë minimal.
Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se për këtë problem i cili përsëritet thuajse në çdo cikël zgjedhorë nevojitet një zgjidhje e përhershme dhe reale që do të sjellë barazi të plotë të peshës së votuesve. Bekim Fazliu nga PDSH thotë se janë kundër bartjes së vetëm disa mijëra votuesve nga njësia e gjashtë në atë të pestë me çka përsëri dallimi mes njësive mbetet i madh.
Aktualisht njësia e gjashtë zgjedhore ka 5.28 për qind më shumë votues se mesatarja e gjashtë njësive, ndërsa njësia e trete dhe e katër kanë më shumë se katër për qind me pak. Me këtë dallimi mes njësitë së tretë dhe asaj të katërt me njësinë e gjashtë arrin në gati 30 mijë votues.

Arban Zeqiri /SHENJA/