Ballina Lajme ANALISTËT: FUSHATA FILLON ME TONE NACIONALISTE

ANALISTËT: FUSHATA FILLON ME TONE NACIONALISTE

SHPËRNDAJE

Nacionalizmi është kartë fitimtare dhe ngadhënjyese, është një mekanizëm për t’i ngritur dhe ringjallur ndjenjat e zgjedhësve apo të elektoratit, dhe një gjë e tillë është shumë e pritshme në Maqedoni. Kështu u shpreh profesori universitar, Ali Pajaziti, duke komentuar deklaratat e fundit për dygjuhësinë nga zyrtarët e VMRO DPMNE-së. Ai tha se nga deklaratat e fundit me këtë frymë, vërehen nuanca të një fushate negative dhe destruktive. Ai e cilësoi këtë si një formë të nacionalizmit medial, me të cilën përmes përhapjes së shpejt të lajmit, krijohet një klimë në favor të një partie apo në disfavor të një partie tjetër.

“Mesazhet dhe porositë që jepen në këtë drejtim nuk shkojnë në favor të ardhmërisë së Maqedonisë, të një Maqedonie të frymës së Ohrit, të Marrëveshjes Kornizë, e cila parasheh multikulturalizmin si paradigmë kryesore të shtetndërtimit dhe shoqërindërtimit, përkundër monolingualizmit ose një gjuhësisë dhe të gjitha parametrave që pengojnë zhvillimin normal të jetës në Maqedoni.”, deklaroi Ali Pajaziti, profesor universitar.

Ndërkaq analisti politik, Xhabir Ahmeri, tha se përdorimi i kësaj retorike përdoret për nevojat e partive për të fituar pikë në fushatën parazgjedhore. Ai tha se shpërthimi i urrejtjes nëpër mediat maqedonase, është rezultat i një politike ekstremiste, të cilën sipas tij, e bëjnë partitë maqedonase, e veçanërisht VMRO-DPMNE-ja”

“Sa i përket gjuhës, ato janë teza fashiste të cilat përdoren si fushatë parazgjedhore, se praktika ka treguar se të gjitha partitë maqedonase, fitojnë në letrën e antishqiptarizmit, kjo është diçka e tmerrshme, por mendoj se ata nuk janë aq fajtorë, sa janë partitë shqiptare, në rradhë të parë BDI-ja, e cila nuk e pa të arsyeshme që gazetarët fashist, të cilët na fyejnë aq shumë, nuk e ngritën një aktpadi, që ata ta marrin dënimin e merituar, ashtu siç e kërkon ligji dhe kushtetuta.”, tha Xhabir Ahmeti, analist politik.

Kujtojmë se dje, deputeti i VMRO-DPMNE-së  Ilija Dimovski, është shprehur kundër dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë,  duke thënë se barazimi i gjuhës shqipe me atë maqedonase është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në, pasi sipas kësaj partie, me një gjë të tillë sulmohet kushtetuta dhe rendi kushtetues i këtij shteti.

Ajnur Bafqari /SHENJA/