Ballina Lajme Zv/presidenti amerikan Joe Biden mbërrin në Kosovë, pritet nga Thaçi (VIDEO)

Zv/presidenti amerikan Joe Biden mbërrin në Kosovë, pritet nga Thaçi (VIDEO)

Zëvendës/presidenti i SHBA-ve Joe Biden, së bashku me bashkëshorten Jill dhe nipin e mbesën e tij kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në Prishtinë.

Aeroplani “Air Force Two”, me numrin dy të SHBA-së, ka zbritur rreth orës 21:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Ata janë pritur nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëshortja e tij Lumnija.
Për ta pritur zëvendëspresidentin amerikan ka dalë edhe fituesja e medaljes së artë olimpike në Rio Majlinda Kelmendi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku.
Më pas Biden dhe Thaçi kanë parakaluar para Gardës së Nderit të FSK-së.
Joe Biden ka mbërritur në Kosovë nga Serbia, ku qëndroi gjatë ditës së sotme për takime me krerët shtetërorë serbë.
Vizita e sotme është e dyta e Joe Biden-it në Kosovë. Zëvendëspresidenti amerikan vizitoi Kosovën edhen vitin 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë.
Biden do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Nënpresidenti Biden në takim me kryeministrin serb Vuçiç ka hapur çështjen e vazhdimit të dialogut me Prishtinën dhe pritet që me presidentin Thaçi e me kryeministrin Mustafa në Kosovë të hapë të njëjtën temë në biseda.
Ai gjithashtu pritet që të kërkojë ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vazhdimin e punës në ringjalljen e perspektivës evropiane.
Biden pritet që të hapë për diskutim me liderët e Kosovës edhe çështjen e sundimit të ligjit, posaçërisht krijimit të Gjykatës Speciale, që do të trajtojë krimet e pretenduara të luftës të kryera nga ish-pjesëtarë të UCK-së.
Tema qendrore pritet të jetë edhe ajo e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe përfshirjes së Kosovës në mekanizmat global të pengimit të shtrirjes së dukurisë në rajon.


Mberritja e Biden ne aeroportin Adem Jashari by e-d21

Loading...