Ballina Lajme Zbulohen “spiunët” e Shqipërisë në Maqedoni

Zbulohen “spiunët” e Shqipërisë në Maqedoni

SHPËRNDAJE
Një pakujdesi e Shërbimit Informativ Shtetëror ka zbuluar vendet ku Shqipëria ka “spiunë”. Gazeta “Shqip” ka siguruar këtë listë, ku detajohen vendet dhe numri i personave që shërben në disa përfaqësi diplomatike. Normalisht, lista të tilla duhet të mbahen sekret, pasi “armiku” mund tu çjerrë maskën. Gjithsesi, të dhënat e siguruara nga “Shqip” ndodhen të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Sipas dokumenteve, SHISH ka hapur një tender për “për blerje sigurimi shëndetësor”. Fondi limit është 2 milion lekë të reja dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj. Subjektet e interesuara kanë kohë deri më 31 gusht të paraqesin ofertë.
Në dokumentet që shoqërojnë këtë prokurim ndodhet edhe numri i personelit të Shërbimit Informativ të Shtetit në përfaqësitë diplomatike. Në Kosovë është një koordinator, ndërsa ai shoqërohet nga 3 pjesëtarë të familjes. Në Belgjikë janë dy koordinator, ku njëri ka dy pjesëtarë në familje dhe tjetri një. Një tjetër punonjës i SHISH është në Serbi, i cili ka në përbërje familjare një person. SHISH ka nga një punonjës edhe në Itali e Greqi. Këta nuk kanë familjare me vete. Ndërkohë, në Maqedoni, është një tjetër punonjës, i cili ka katër pjesëtarë në familje.
Gjithsej, Shërbimi ka 7 koordinatorë, të cilët, në total, kanë 11 pjesëtarë familje. SHISH ka kërkuar që 18 personat në fjalë tu sigurohet shëndeti.
Në dokumentet e siguruara nga “Shqip” janë edhe grupmoshat. Kështu, nga 18 personat që ndodhen në këto seli diplomatike, 6 persona janë të moshës nga 1-18 vjeç. Dy janë të grupmoshës nga nga 19-39, 9 janë të grupmoshës 40-49 vjeç dhe një punonjës është i grupmoshës nga 50-65 vjeç.