Ballina Lajme (VIDEO) PRINDI: DJALI PO MË VDISTE, S’KISHTE MJEK KUJDESTAR

(VIDEO) PRINDI: DJALI PO MË VDISTE, S’KISHTE MJEK KUJDESTAR

SHPËRNDAJE

Pacientë në Spitalin e Tetovës ankohen se nuk mund të gjejnë mjek kujdestar në Repartin e Kirurgjisë në këtë spital. Rastin e ka denoncuar për TV Shenja qytetari nga Tetova, Kasim Kasami. Ai deklaron se sot në orën 4 të mëngjesit është ballafaquar me një tmerr të vërtetë në këtë spital. Ai thotë se ka dërguar mbrëmë në spital me urgjencë djalin e tij pasi e kanë kapur dhimbet e zorrës qorre, megjithatë në Repartin e Kirurgjisë nuk ka mundur të gjejë mjek kujdestar. Si pasojë e kësaj ai është endur nga një derë në një tjetër për të kërkuar mjekun. Më në fund, siç thotë Kasami, ai është drejtuar në repartin e Urologjisë ku ka gjetur një mjek dhe i ka ndihmuar pacientit të sëmurë, edhe pse, thekson Kasami, ai nuk ka qenë kompetent për sëmundjen e pacientit. Kasami deklaron se mjekët kirurg kanë qenë në orar të punës por kanë refuzuar t’i ofrojnë ndihmë.

“Zhdrypa në katin e parë dhe motra e cila duhej të më japë ndihmën e parë ajo e hapi derën dhe tha se nuk ka mjek kujdestar dhe më drejtoi në katin e dytë. Aty kërkova ndihmë por as aty nuk ma hapën as derën. Rastësisht m’u kujtua se në anën e majtë është Urologjia dhe motra mori të gjitha masat më ndihmoi dhe erdhi mjeku kujdestar urolog edhe pse mjeku nuk ishte kompetent për atë punë. Për sa i takon kirurgjisë, mjekët kirurg me sa e kuptova pastaj, kishte mjek kujdestar por ai ose ka fjetur ose nuk ka qenë në disponim të shërben pacientët. Por, sa i takon kirurgjisë është nën zero, maltretime sa s’mund ta keni parasysh”, tha Kasami.
Ai thotë se ka dërguar menjëherë sot ankesë deri te drejtori i spitalit, por akoma nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Ndërkohë, i kontaktuar nga Televizioni Shenja, drejtori i Spitalit të Tetovës, Florim Besimi ka thënë se për këtë çështje do të prononcohet nesër. Në anën tjetër, Kasim Kasami i ka bërë apel Ministrisë së Shëndëtësisë që të merren masa urgjente pasi gjendja momentale në Klinikën e Tetovës është katastrofale.
“Kam përgatit këtë deklaratë e cila do të mbërrijë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, po që se edhe atje nuk merren masa jam i gatshëm që të drejtohem edhe te Komiteti i Helsinkit, nëse edhe atje nuk merren masa do të marr masa private me avokat privat dhe do t’i dal në skaj kësaj pune. Kjo është tragjedi e cila populli ynë në Tetovë ballafaqohet për çdo ditë 24 orë”, deklaroi Kasami.
Kasami i ka bërë thirrje edhe edhe partive politike në pozitë dhe opozitë të marrin masa sepse gjendja në spital e në veçanti në repartin e kirurgjisë është alarmante.
Teuta Buçi /SHENJA/


Prindi: Djali po më vdiste, s’kishte mjek… by tvshenjaofficial