Ballina Lajme U NDA NGA JETA RSPSODI I NJOHUR OSMAN GASHI NGA “BIJTË E...

U NDA NGA JETA RSPSODI I NJOHUR OSMAN GASHI NGA “BIJTË E SEFË MLEÇANIT”

SHPËRNDAJE

Nga Lirim Alija

Tragjedia e një populli fillon atëherë kur vdesin njerëzit më të vlefshëm, ata të cilët tërë qenien e tyre ua kanë kushtuar kombit. Ata janë dijetarët, artistët, këngëtarët dhe luftëtarët e lirisë. Të gjitha këto virtyte që karakterizojnë fisnikërinë tonë mijëravjeçare, kanë qenë të rrallë ata që i kanë poseduar. Njëri ndër ta është edhe Osman Gashi nga BIJTË E SEFË MLEÇANIT, që dje u nda nga kjo botë. Siç e kemi të njohur, kjo familje e fisme ka nxjerrë burra të shquar që kanë lënë gjurmë të arta në ecurinë e lavdishme kombëtare. Ata gjithçka i dhanë Kosovës; edhe njërin nga vëllezërit, Beqirin, që ra për liri bashkë me dëshmorë të tjerë. Mirëpo ky fat tragjik, kjo zezonë, nuk ua ndali hovin e atdhdashurisë së tyre. Përkundrazi, ata vazhduan me këngën, gjegjësisht, me rapsoditë e tyre. Sot, shumë pak u kushtojnë rëndësi rapsodive, këtij zhanri muzikor, që në fakt, është më i vjetri. Me anë të rapsodive, brez pas brezi janë përcjellur ngjarjet dhe bëmat e heroike që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona; ato, në fakt kanë qenë historia vetë.(Të mos harrojmë se edhe kryeveprat e Homerit janë këngë rapsodike).
Me kalimin e kohës, veçanërisht në shekullin e fundit, ky stil muzikor, është zhvilluar vetëm në pjesët veriore të Shqipërisë, gjegjësisht në Kosovë. Njëri ndër ta ka qenë edhe grupi i formuar nga vëllezërit Gashi, i ashtuquajturi “Bijtë e Sefë Mleçanit”. Ata mbi 50 vite i kënduan Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi; i kënduan fatit tragjik dhe trimave që s’e kursyen jetën për këto troje. Këngët e tyre më të njohura janë:”Hasan Faslia”, “Ajshja”, “Ahmet Shtimja” dhe shumë këngë kreshnike.
I qoftë dheu i lehtë rapsodit, ashtu siç ka qenë edhe Zëri i tij që këndshëm do të jehojë me shekuj në Shpirtin Shqiptar!