Ballina Lajme POLITIKA DHE STATISTIKA (Analizë e falsifikimeve të rëndë të zgjedhjeve në Maqedoni)

POLITIKA DHE STATISTIKA (Analizë e falsifikimeve të rëndë të zgjedhjeve në Maqedoni)

SHPËRNDAJE

Sipas sistemit zgjedhor aktual, Maqedonia është e ndarë në 6 njësi zgjedhore. Deputetët shqiptarë i fitojnë mandatet kryesisht në njësitë zgjedhore 1, 2, 5 dhe 6. Numër më të madh të votuesve shqiptarë ka njësia nr. 6, përkatësisht Rajoni i Pollogut, plus Kërçova dhe Dibra. Në këtë njësi në zgjedhjet e derisotme parlamentare janë zgjedhur zakonisht nga afër 15 deputetë shqiptarë.
Në njësinë nr. 6 përfshihen së paku 1/4, ose 25% e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë, mbi 500 mijë banorë, nga gjithsej afër 2 milion banorë sa ka Maqedonia sipas të dhënave zyrtare. Atëherë shtrohet pyetja: Pse në këtë njësi zgjidhen vetëm 20% e deputetëve, kur realisht duhet të zgjidhen së paku 25% nga gjithsej 120 deputetë sa ka parlamenti i këtij vendi?!
Sipas matematikës së thjeshtë, kjo domethënë se, nga kjo njësi zgjidhen së paku 6 deputetë më pak (5 % e numrit të përgjithshëm prej 120 deputetëve është 6 deputetë).
Nga kjo njësi zgjedhore, së paku edhe 4 deputetë të tjerë shqiptarët i humbin me malverzime të tjera, të përllogaritura mirë nga organet e pushtetit, kuptohet me prapavijë politike. Që domethënë se, vetëm në këtë njësi zgjedhore shqiptarët humbin së paku 8 deputetë, pa i llogaritur edhe 2-3 deputetë të nacionaliteteve të tjera nga kjo njësi zgjedhore.
Edhe nga tri njësitë tjera zgjedhore, 1, 2 dhe 5, ku shqiptarët janë shumicë, ose në numër të konsiderueshëm, si në Shkup, Kumanovë, Strugë etj., shqiptarët humbin së paku edhe 7 deputetë të tjerë.
Realisht, në Parlamentin e Maqedonisë, nëse do të eliminoheshin këto anomali të sistemit zgjedhor, do të plotësoheshin standardet dhe siguroheshin kushte normale për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, shqiptarët do të siguronin së paku 42-45 deputetë, jo 27 deputetë sa i kanë aktualisht në Parlamentin e Maqedonisë.
Atyre që kjo analizë u duket e pabesueshme dhe joreale, le ta marrin kalkulatorin para vetes dhe le t’i përllogaritin, madje sipas të dhënave zyrtare: Numrin e përgjithshëm të banorëve sipas njësive zgjedhore, numrin e përgjithshëm të votuesve sipas njësive, numrin e votuesve për një deputet sipas njësive zgjedhore dhe përbërjen e popullsisë në këto njësi, që të sjellin përfundimet si më sipër, me kusht që këto llogari të mos i bëjnë anëtarët e Qeverisë, zyrtarët e Entit Shtetëror të Statistikës, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, drejtuesit e partive politike dhe organet e sigurimit të shtetit, sepse të gjithë këta vërtet kanë probleme me matematikën, politikën dhe demokracinë.
(24 gusht 2016)