Ballina Lajme Pastrimi i listës, partitë shqiptare heshtin

Pastrimi i listës, partitë shqiptare heshtin

SHPËRNDAJE

Partitë shqiptare BDI dhe PDSH nuk komentojnë largimin e 30 mijë votuesve kryesisht shqiptarë nga lista zgjedhore. Shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së Ahmeti, Artan Grubi, i cili gjatë bisedimeve politike garantonte se nga lista nuk do të fshihen qytetarë me të drejtë vote, sot nuk pranoi përgjegjësinë. Për dallim nga herët tjera kur prononcohej në Përzhinë, sot na udhëzojë të kërkojmë llogari nga zëdhënësi i BDI-së.
“Principi mbi të cilin punuam sot është se në këto takime dhe në këtë metodologji nuk është përmendur as F për Fshirje. Faleminderit!”, tha Artan Grubi, BDI. (29.06.2016)
“Ne mbetemi në qëndrimin që nuk duhet të fshihen votues që kanë të drejtën e votës dhe për qëllime politike nuk duhet të keqpërdoret e drejta e votës e qytetarëve”, u shpreh Artan Grubi, BDI.(07.07.2016)
“Kishim një takim konstruktiv me KSHZ-në në lidhje me propozimet e opozitës për pastrimin e listës zgjedhore dhe me kontestimet të cilat ata ju bëjnë disa kategorive të listës zgjedhore, në veçanti të 40 mijë votuesve të cilët ato konsiderojnë që duhet të fshihen nga regjistri votues”, deklaroi Artan Grubi, BDI. (29.06.2016)
Pas kësaj deklarate, funksionarë të partisë së Ahmetit kërkuan nga Grubi të përgjigjet para organeve partiake pse ka pranuar të diskutohet mbi largimin e qytetarëve me të drejtë vote nga lista.
“Ajo që për mua është e papranueshme, është që unë me votën time të votojë që tua marrë të drejtën e votës 39, 502 qytetarëve të Maqedonisë pavarësisht cilit etnitet i takojnë ata”, deklaroi Rafiz Haliti, deputet i BDI-së . (23.07.2016)
Vetë Grubi, kohë më parë ishte në listën e personave të dyshimtë për të cilët u zhvillua kontroll derë më derë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në korrik, edhe Imer Aliu nga PDSH-ja deklaroi se partia e tij ka parandaluar fshirjen masive të shqiptarëve nga lista e zgjedhësve por tani nuk sqarojnë se çfarë kanë bërë në funksion të këtij parandalimi.
“Ne jemi krah për krah me faktorin ndërkombëtar për sa i përket falsifikimit të zgjedhjeve dhe vjedhjes së votave të shqiptarëve. Parandaluam fshirjen masive të shqiptarëve nga lista zgjedhore”, theksoi Imer Aliu, PDSH. (21 korrik 2016)
Votuesit që gjenden në këtë listë, disa herë kanë thënë para kamerës së televizionit Alsat se lista është e mbushur me qytetarë që kanë nënshtetësi të Republikës së Maqedonisë dhe kanë letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme. Pjesa më e madhe e tyre, kanë rezultuar të dyshimtë gjatë kontrolleve administrative sepse kanë figuruar vetëm në regjistrin e MPB-së dhe në asnjë institucion tjetër. Të drejtën e votës, në KSHZ-së e vërtetuan vetëm 8 900 qytetarë prej gjithsej 39 mijë që ishin të dyshimtë.
Fatlume Dervishi