Ballina Lajme Gjurmëve të kolosit tetovar Mehmet Pashë Deralla

Gjurmëve të kolosit tetovar Mehmet Pashë Deralla

SHPËRNDAJE
Ismail ARSLLANI

Duke gjurmuar pas
shtigjeve të jetës dhe veprimtarisë kombëtare të kolosit shqiptar, atdhetarit
të paepur, pashait tetovar, Mehmet Deralla, me shumë grada mbi supe, deri në
atë të gjeneralit të ushtrisë perandorake; sigurimit me ushtarë të konferencës së
Lidhjes së Prizrenit; qëndrimit në Bagdad, kthimit në Selanik, hedhjes së
uniformës osmane, marrjes së postit të ministrit të parë të Luftës në qeverinë e
Ismail Qemalit; si dhe peripecive pasuese deri në burgosjen e tij nga forcat
serbe-bullgare, me të birin Halimin, e të tjera ngjarje shumë të rëndësishme
historike; arritëm tek “rrëfimet” e njërës nga vajzat e Halim Bej Derallës,
Emine Deralla, e cila ka dhuruar kujtimet autentike për këto ngjarje ndër vite,
si testamentin më të çmuar, nipit të saj Ervin Pilku, i cili aktualisht jeton
dhe punon në Nju-Jork.  

Një premtim i kahershëm, për t’i zbuluar sheshazi disa “detaje”
nga jeta dhe veprimtaria kombëtare e Mehmet Pashë Derallës, që i ka dëgjuar
Ervin Pilku gjatë vitesh nga të parët e tij, u sendërtua kohë më parë, në saje
të një korrespondence elektronike që vendosëm në linjën Tetovë-Nju Jork.
Rastësia deshi që babai i Ervin Pilkut, diplomati në pension Nexhat Pilku, të
qëndrojë dy vjet më parë në Tetovë, së bashku me pasardhës të tjerë të familjes
Deralla, me rastin e një Konference të mbajtur në Tetovë, në nëntor të vitit
2014, kushtuar jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Mehmet Pashë Derallës, në
shenjë të shënimit të 102-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. 

Fotografi familjare: e
bija e Halim Beut, Emine Deralla-Pilku /në mes/, me të birin Nexhat Pilku,
diplomat, nusen Mirvjena, si dhe nipërit, Ervin dhe Alpi 

Gjatë shkëmbimit të korrespondencës mësojmë se familja e Ervin
Pilkut me rezervë merr raportimet e disa historianëve të sotëm lidhur me një
pjesë të jetës së Mehmet Pashë Derallës. Kjo ka të bëjë sidomos me disa fakte
që po shtrembërohen ose u jepet një dimension dramatik. Lëvaret një pakënaqësi për
mospërfilljen e trashëgimtarëve të Halim Derallës nga ana e pushtetit, në
lidhje me restaurimin e shtëpisë së tij në Tetovë, e cila po kthehet në një Muze
dedikuar të atit Mehmet Pashë Deralla, duke mos shfaqur të qartë faktin që kjo
shtëpi ishte rezidencë e Halim Bej Derallës, por jo edhe shtëpi e dikurshme e
Mehmet Pashë Derallës.
Mehmet Pasha me
ushtarë mbrojti pjesëmarrësit e Lidhjes së Prizrenit
Ervin Pilku, duke kujtuar fjalët e gjyshes, thotë se “në fillim
të vitit 1978, si gjeneral i ri i Perandorisë, Mehmet Pashë Deralla shërbente
si komandant i garnizonit të Stambollit. Me kërkesën e të atit, Hasan Pasha, u
kthye në Prizren, në qershor të po atij viti për të marrë përkohësisht prej të
atit detyrën e drejtuesit të garnizonit të Prizrenit. Ky garnizon, në atë kohë
drejtohej nga Hasan Pashë Deralla. Pasi që Hasan Pashë Deralla ishte delegat i
Tetovës në Lidhjen e Prizrenit, i besoi të birit detyrën e mbrojtjes së
delegatëve nga të gjitha viset shqiptare dhe sigurimin e punimeve të Lidhjes.
 Mehmet Pashë Deralla, gjeneral
i Ushtrisë Perandorake, i ulur majtas, bashkë me disa ushtarë në shërbim të tij

Më pas, Mehmet Pasha u kthye të shërbente përsëri në oborrin
mbretëror të Sulltan Hamitit, si komandant i garnizonit të Stambollit. Në vitin
1904 transferohet në Bagdad, si komandant i garnizonit perandorak. Në vitin
1908 jep dorëheqje nga detyra e pashait dhe kthehet në Selanik. Nuk pranon
ftesën e xhonturqve për t’u veshur përsëri pasha, por i bashkëngjitet luftës
për pavarësi. Vite më pas zgjidhet ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail
Qemalit, më 1912. Pas dorëheqjes së qeverisë së Vlorës, më 1914 vazhdon luftën
kundër pushtimit serb, bashkë me të birin Halimin”.
Gjeneral Mehmet Pashë
Deralla – Tetova

Por, kush është në të vërtetë, Ervin Pilku, që na i kujton këto
ngjarje të së kaluarës? U lind më 8 qershor 1973, në Tiranë. Ka të gjallë
prindërit, nënën Mirvjena Deda-Pilku dhe babanë Nexhat Pilku. Në fëmijëri, ka
jetuar me prindërit, gjyshen Emine dhe gjyshin Adem Pilku, në një apartament të
vogël në Tiranë, tek zona ku quhej `21 Dhjetori`. Ka mbaruar tetëvjeçaren tek
`Alqi Kondi`, dhe pastaj Shkollën e Mesme Elektronike. Ka filluar studimet në
vitin 1991 në Universitetin e Tiranës, në Degën e Elektronikës. Në fillim të
vitit 1993, i ati i tij, Nexhat Pilku, u dërgua si diplomat në Ankara, në
postin e Sekretarit të dytë të Ambasadës së Shqipërisë në kryeqendrën e
Turqisë. Ndërkohë, Ervini u transferua në Middle East Technical University në
Ankara për degën e elektronikës, ndërsa më 1995 ka shkuar në Nju-Jork. Atje ka
diplomuar në Baruch College në vitin 2001 për administrim biznesi me
specializimin për kapitalet financiare, në të cilin profil punon që atëherë.
Tani është drejtor-manager tek Cantor Fitzgerald dhe drejton tregtimin global
për borxhet fikse që quhen CLOs. Është martuar në vitin 2005 me Tracy Elizabeth
Dudgeon. Kanë dy djem, Caelan Adam Pilku lindur në NY më 2008 dhe Oliver
McKenzie Pilku më 2010. 
Adem Pilku, me gruan
Emine Deralla-Pilku, e bija e Halim Beut, me anëtarë të familjes, të
fotografuar për herë të fundit në prill të vitit 1944, përpara Shtëpisë që edhe
sot ekziston në oborrin e Spitalit të Tetovës, disa ditë para nisjes për në
Tiranë
Më tej, Ervin Pilku, duke shpaluar biografinë familjare, thotë:
“Gjyshja ime, Emine Derralla, nga e cila kam ruajtur me dashuri disa rrëfime
interesante për jetën dhe veprën e Derallajve, lindi më 12 qershor të vitit
1912 në Selanik, dhe ishte vajza e dytë e Halim Bej Derallës. Emineja ishte më
e madhe se sa hallat e saj, Haxherja dhe Nigjarja (të bijat e Mehmet Derallës),
si dhe pak më e madhe edhe se xhaxhai i saj, Hysen Deralla. Këto të tre fëmijët
(Hyseni, Haxherja dhe Nigjarja) të Mehmet Derallës janë nga martesa e fundit me
Nadiden (Nenen). Në të vërtetë, Mehmet Pashë Deralla është martuar katër here
dhe kishte 9 fëmijë. Pesë nga gruaja e parë dhe katër nga ajo e fundit. Gruaja
e dytë dhe e tretë kishin vdekur, pa pasur fëmijë. Me gruan e parë ka pasur
këta fëmijë: Halimin, Mynipin dhe tri vajza që u martuan dhe shkuan në Turqi.
Me gruan e katërt kishte katër fëmijë të tjerë: Gajurin, Hysenin, Haxheren dhe
Nigjaren. Përveç Gajurit, personalisht i kam njohur që të gjithë, si dajën Hysen
dhe motrat e tij, Nigjaren dhe Haxheren. Gruaja e katërt (çerkeze) ishte e bija
e guvernatorit të Bagdadit, ndërsa jeta me të kap periudhën e fillimit të
viteve 1900”, kujton të parët e tij, Ervin Pilku.
Mehmet Pasha dhe Halim
beu zihen robër nga ushtarët serbo-bullgarë
Në fillim të vitit 1915, Mehmet Pashë Deralla dhe Halim bej
Deralla u zunë robër nga ushtarët serbo-bullgarë. Arsyet e arrestimit dhe të
burgosjes kishin lidhje me kundërshtimin e armatosur të tyre ndaj forcave serbe
dhe bullgare në Kryengritjen e parë dhe të dytë të Dibrës. Në shtator të
1913-s, Mehmet pasha dërgoi Halimin dhe Mynipin nga Vlora për në Tetovë, për të
ndihmuar veprimtarinë e bashkatdhetarëve në Kryengritjen e shtatorit të vitit
1913, që u quajt ndryshe Kryengritja e Parë e Dibrës. Në fillim të vitit 1914,
Mehmet Pasha u kthye në rrethinën e Tetovës dhe jetonte si kaçak, duke u endur
së bashku me të birin  maleve të Sharrit.
Ata të dy kapen në fillim të vitit 1915 nga forcat serbo-bullgare dhe dërgohen
në burg, në kështjellën e Karllovës në Bullgari, ku dhe dënohen me vdekje.
Më vonë, sipas rrëfimeve të gjyshes së Ervinit, Emine Deralla,
një nga oficerët serbë e kishte njohur Halim beun në burg, kështu që kishte
mundësuar arratisjen. Në atë kohë, Mynipi, vëllai më i vogël i Halimit, ishte
në Itali për kurim nga tuberkulozi, por mjerisht aty përfundon jetën. Gjatë
arratisjes nga burgu, Mehmet pasha dhe Halim beu kanë qëndruar gjithë natën të
zhytur në ujë deri në gjoks, për t’iu shmangur rojeve. Më pas kthehen në
Tetovë, ku Mehmet Pasha pas disa vitesh (1918), ndërron jetë”.
“Mehmet pashë Deralla ka shërbyer te Sulltan Hamiti. Ai shërbeu
dy herë si komandant i garnizonit të Stambollit. Ishte një ndër gjeneralët e
Oborrit dhe drejtonte një pjesë të trupës mbrojtëse të Pallatit Mbretëror në
Top Kapi. Dokumentet për këtë janë në arkivat e Stambollit. Ish-historiani
shqiptar, Zija Shkodra ka gjetur emrin e tij në fillim të viteve 1870, derisa
ishte në Stamboll, me shumë urdhra të lëshuar për gardën, një pjesë e së cilës
drejtohej nga Mehmet Deralla. Këtu është fjala për vitet 1877-1978”, thotë
Ervin Pilku.
“Mehmet pasha  nuk kishte
fëmijë me gruan e dytë. Gruaja e tretë ishte nga Shkupi dhe atë e rrëmbeu para
se të hynte në Haremin e Sulltan Hamitit. E kaloi në lagjen Fëndëkli të
Stambollit dhe e mbajti atje tek një familje tetovare. Katër muaj më pas,
Mehmet pasha u martua me Eminen, gruan e tretë, por edhe prej saj nuk kishte
fëmijë. Në fund të vitit 1904 transferohet për në Bagdad, ku mori me vete dhe
gruan e tretë, Eminen. Ajo vdiq në Bagdad. Mehmet pasha u dërgua atje nga ana e
Sulltanit, për të vënë sërish rendin, dhe nuk ishte i internuar, siç thonë disa
autorë. Në Bagdad u martua më 1907 me gruan e katërt, Nadiden, e cila ishte
vajza e madhe e Guvernatorit (çerkez) të Bagdadit. Fëmija e parë nga ajo
martesë ishte Gajuri. Fundi i vitit 1908 shënon përfundimin e karrierës së tij
ushtarake për Perandorinë Osmane. Kthehet në Selanik, me gruan Nadide. Gradën e
gjeneralit të fituar më 1878 e dorëzoi, për shkak të zhgënjimit nga premtimet e
xhonturqve më 1908, duke mbyllur kështu karrierën 30-vjeçare në shërbim të
Perandorisë. Sipas fjalëve të Emine Derallës, pas shumë vitesh dhe peripecish
jetësore, angazhimesh ushtarake, Mehmet Pashë Deralla ka ndërruar jetë në
shtëpinë e tij të vjetër, në Tetovë”, kujton Ervini fjalët e gjyshes së tij.
Historia shekullore e
familjes Deralla  
“Shtëpia e vjetër e Mehmet
Pashë Derallës në Tetovë, nuk ekziston më. Pjesa e tokave të Mehmet pashës që i
përkiste gruas së tij, Nadide dhe fëmijëve nga kjo martesë (Gajurit, Hysenit,
Nigjares dhe Haxheres), rreth 15 mijë metra katrorë, u shitë nga Hysen Deralla,
në fund të viteve 1920 dhe fillim të viteve 1930. Në tokën ku ishte ajo shtëpi
e vjetër, sot është ngritur një ndërtesë e lartë komerciale-banesore, në krahun
e majtë të shtëpisë së Halim Beut (përballë rrugës). Mamaja, kështu e
thërrisnim gjyshen Emine, thoshte se shtëpia e Mehmet Pashës ishte e njohur si “Selamllëk”
(konak), ngase aty priste Mehmet pasha mysafirët e vet, patriotë të shquar të
kohës dhe njerëz të tjerë me influencë. Halim beu, djali më i madh i Mehmet Derallës,
pas sëmundjes dhe vdekjes së Mynipit, vëllait më të vogël, kishte ndarë trojet e
të atit që kishin në Tetovë, në 9 pjesë. Katër sosh për veten dhe tri për motrat
nga martesa e parë e Mehmetit, dhe pesë për Nadiden (gruan e fundit të Mehmet
pashës), si dhe katër fëmijëve të vegjël.
Halim bej Deralla, i
biri i madh i Mehmet Pashë Derallës, i ulur majtas, deputet në Beograd, në krah
të tij majtas vëllai i vogël, Mynipi
 Ndërsa Shtëpia në Tetovë, që gjendet edhe sot në kompleksin e Spitalit,
është ndërtuar nga Halim beu, në një të nëntën (1/9) pjesë të 30 mijë metrave
katrorë pronë e tyre dhe është dokumentuar në vitin 1922. Shtëpia e Halim Beut
në Tetove ishte thjesht ndërtesë banimi për Halimin dhe vajzat. Kjo nuk është
shtëpia e Mehmet Pashës, ku priteshin krerët e lëvizjes kombëtare për luftën
kundër turqve. Shtëpia e Halim Beut ka historikun e saj të veçantë, si nga
stili arkitekturor, ashtu dhe nga rëndësia historike, që flet për kohën  kur Halim Beu ishte si deputet i Tetovës në
parlamentin e Beogradit. Në atë shtëpi, Halim beu ka pritur dhe Ahmet Zogun,
para kthimit të tij në Shqipëri, në vitin 1925. Me vendosjen e monarkisë në
Shqipëri në vitin 1928, Halim bej Deralla, me gruan e tij Kadrije, vajzat
Enise, Emine dhe Meleqe (Melush), e mbyllën shtëpinë dhe lëvizën për në Tiranë.
Kjo dyndje ndodhi shkaku i tre përpjekjeve të pasuksesshme për atentat ndaj
Halimit, për çka edhe vjen ftesa nga Mbreti Zog për Halim beun dhe familjen e
tij, për t’u vendosur në Tiranë. Pas një kohe, Halim beu vdiq në Tiranë, në
vitin 1932”, përshkruan Ervin Pilku një pjesë delikate të jetës së kësaj
familjeje.
“Dy vajzat e mëdha të Halimit, Enise me dy fëmijët, Ruzhdiun dhe
Gencin, si dhe Emineja me bashkëshortin, Adem Pilku, me dy fëmijët, Nexhatin
dhe Nazanen, u kthyen në Tetovë, në fund të vitit 1941. Adem Pilku, bashkëshorti
i Emine Derallës, u transferua nga Tirana në Tetovë, i emëruar si sekretar i
Prefekturës së Tetovës në fund të vitit 1941, gjatë administrimit të Shqipërisë
etnike nga qeveria e Tiranës.
Emine Deralla-Pilku,
nga e djathta, e bija e Halim beut, e cila ruajti kujtimet për familjen dhe
gjyshin Mehmet Pashë Deralla, para shtëpisë së vet në Tetovë, viti 1944
 Kur gjyshja Emine arriti në Tetovë, gjermanët e kishin kthyer
shtëpinë në qendër komande. Pastaj 
liruan dhe mobiluan atë, duke ia kthyer gjyshes. Ajo jetoi aty bashkë me
motrën Enisen, bashkëshortin Ademin dhe fëmijët e tyre deri në prill të vitit
1944, kur të gjithë për herë të dytë u dyndën për në Tiranë, ku edhe mbetën
gjatë periudhës së komunizmit. Gjyshi Adem Pilku u dënua nga regjimi komunist
me disa vite burg. Gjyshja dhe familja vuajtën shumë pas burgosjes së gjyshit,
pasi që nuk kishin të ardhura për ekzistencë dhe as mbështetje tjetër
familjare. Ndërsa i biri i Mehmet pashës nga martesa e fundit, Gajur Deralla,
pas dënimit me burg në ish-Jugosllavi, emigroi në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Hysen Deralla u martua në Shqipëri, por edhe ai u dënua nga regjimi
dhe bëri disa vjet burg”, shpreh shqetësimet e tij, Ervin Pilku, për gjithë këto
vuajtje të të parëve të familjes Deralla.
Këto të dhëna për jetën dhe ecejaket dramatike të anëtarëve të
familjes së madhe të Derallajve ndër vite, me rrënjë e trung tetovar, duke
filluar nga Hasan Pashë Deralla, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit (1878),
pastaj të birit të tij, Mehmet pashë Deralla, i cili arriti kulmin e karrierës
ushtarake-politike në Qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit (1912), duke u
zgjedhur ministër i parë i Luftës, të bijve të tij Halimi, Hyseni, Gajuri, e
bijave që lënë shumë pasardhës, u ruajtën në sirtarin e mbamendjes së Emine
Derallës-Pilku, mbesës së Mehmet pashë Derallës, e cila me mjeshtërinë e
rrëfimeve tërheqëse të gjyshes për nipërit, nguliti të gjitha këto në memorien
e Ervin Pilkut, i cili këto ngjarje, fakte, emra dhe data i plotësoi pas
konsultave me babanë e tij, Nexhat Pilku, diplomat në pension, sikundër edhe me
vajzën e tezes së tij, Suzana Verzivolli.