Ballina Lajme Filipine: Shefi i policisë thirrje narkomanëve, vritini trafikantët e drogës

Filipine: Shefi i policisë thirrje narkomanëve, vritini trafikantët e drogës

Nuk ndodh shpesh që shefi i policisë t’i bëjë thirrje qytetarëve për të marrë armët dhe për të vrarë, por kjo po ndodh pikërisht në Filipine, ku Ronald Dela Rosa, i cili po udhëheq fushatën kundër kriminalitetit në vend u ka bërë thirrje përdoruesve të lëndëve narkotike për të vrarë trafikantët e drogës.
“Ju mund t’i vrisni ata sepse në të vërtetë ju jeni viktimat. Shkoni merrni benzinë dhe digjini shtëpitë e tyre. Tregoni inatin që keni!”, bëri thirrje Dela Rosa.
Shefi i policisë e mbajti këtë fjalim përpara një salle ku ishin të pranishëm 1.300 përdorues droge, të cilët ishin vetëdorëzuar në polici pas nisjes së fushatës së egër kundër drogës.
“Këta njerëz veçse po pasurohen. Po ju? Ju po varfëroheni, ndërsa qelizat e trurit po ju dalin jashtë funksionit”, u tha shefi i policisë narkomanëve, shkruan Top Channel.
Komentet e tij sollën menjëherë kritika nga mbarë bota. Filipinet janë kthyer në fokusin e organizatave të të drejtave të njeriut dhe ndërkombëtarëve, pasi që kur presidenti Rodrigo Duterte ka marrë detyrën, më shumë se 1.900 persona janë vrarë në krime të lidhura me drogën.
Por lufta mesa duket nuk është hapur vetëm kundër bosëve të drogës, por ndaj të gjithëve. Presidenti ka deklaruar se zyrtarë të lartë, përfshirë qeveritarë janë të implikuar në këtë biznes vdekjeprurës.
Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur “thellësisht i shqetësuar” me ç’po ndodh në Filipine, por mesa duket presidentit nuk i interesojnë ndërkombëtarët pasi paralajmëroi se vendi mund të dalë edhe nga OKB.
Loading...