Ballina Lajme Dy modelet e politikanëve “memecë”

Dy modelet e politikanëve “memecë”

SHPËRNDAJE
Nga Blendi Fevziu

34 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë nuk kanë folur asnjëherë gjatë shtatë muajve të fundit të këtij sesioni. Kështu thoshte një studim i publikuar në mediat online, i cili i referohej harkut kohor 1 Janar – 31 Korrik 2016.
Studimi i mirëdetajuar, sqaronte se këta persona kanë qenë po ashtu pak ose aspak aktivë në jetën e komisioneve parlamentare, gjatë po kësaj periudhe. Ajo që të bënte më përshtypje është pikërisht fakti që 34 deputetët “e heshtur” ndaheshin në dy grupe të dallueshëm dhe diametralisht të kundërt.
Një pjesë i takonte deputetëve të vjetër dhe me peshë në Parlamentin e Shqipërisë, ata që kanë qenë në atë sallë që sesionin e parë apo në vijim; ndërsa grupi i dytë i takonte deputetëve biznesmenë, atyre që s’kanë asnjë lidhje me politikën dhe as e kuptojnë atë. Që as dinë të flasin dhe as kanë luajtur ndonjë rol në zgjedhje, nëse nuk llogaritet këtu të qenit sponsor financiarë apo organizatorë bandash që vijnë vërdallë për të vjedhur vota.
Nuk ka asnjë dyshim që të dy grupet nuk kanë asnjë lidhje me njëri- tjetrin dhe heshtja e tyre është për dy arsye krejt të ndryshme. I pari është një grup që për arsye të ndryshimeve kushtetuese dhe të bërjes politikës pis përmes përfshirjes në të të personave me precedentë penalë, banditëve, trafikantëve dhe spekulantëve, ndihet tejet i margjinalizuar.
Ky grup që ka hyrë në politikë në fillimet e pluralizmit me një mision, që besonte dhe beson ende se politika është një shërbim, nuk e gjen më veten në performancen e re politike. Mund të ketë shumë debate nëse këta persona kanë qenë politikanë të mirë apo jo; nëse kanë ditur ta çojnë vendin përpara aq shpejt sa duhet apo jo; nëse kanë mëkatet e tyre për situatën që ka ndodhur. Por me siguri, që këtë grup nuk mund ta akuzosh as për probleme me ligjin dhe as për përdorjen e politikës si mbrojtje personale.
Grupi i dytë, që mund të quhen biznesmenët dhe personat me precedentë penalë është më problematiku. Këta deputetë nuk kanë folur në këto 7 muaj, por një studim më i vëmendshëm mund të gjejë se nuk kanë foluar thuajse asnjëherë në këto 3 vjet. Ata nuk kanë as kontribut politik dhe as nisma ligjore. Janë njerëz që politikën po e përdorin për t’u pastruar apo për t’i shpëtuar ligjit me të cilin kanë llogari të hapura. Ky është një format i ri prurjesh politike, që e nxori dhunshëm jashtë loje të parin dhe që po kthehet në një problem  për gjithë shoqërinë.
Ndaj le të vlejë ky studim, për të parë, se kush realisht është një politikan dhe kush bëhet i tillë për ta përdorur atë. Që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më deputetë që janë ulur në sallë, pa i njohur kush dhe pa foluar asnjëherë të vetme. Lekët nuk mjaftojnë gjithnjë për të blerë gjithçka, përfshirë statusin e deputetit apo të politikanit./Opinion.al/