Ballina Lajme Dua t’i kem miq të gjithë shqiptarët/ Intervistë me Sadulla Zendeli-Daja, autor...

Dua t’i kem miq të gjithë shqiptarët/ Intervistë me Sadulla Zendeli-Daja, autor i Fjalorit Shqip-Suedisht, me 35 000 fjalë


Intervistë me Sadulla Zendeli-Daja, autor i Fjalorit Shqip-Suedisht, me 35 000 fjalë

Nga Kadri Tarelli

– I nderuar z. “Daja”! Kini ardhur disa herë në Durrës. Cili ka qenë qëllimi i vizitave tuaja të here-pas-hershme?
-Ka qenë vazhdimisht një kënaqësi e veçantë për mua ardhja në Durrës, i bindur se kjo dëshirë është e të gjithë shqiptarëve dhe e mërgimtarëve, ashtu siç është dëshira për të parë e vizituar të tërë Shqipërinë.
Durrësi është një qytet i lashtë dhe me histori të madhe, që rrezatonte madhështi, kulturë e begati në botën mesdhetare. Ai konsiderohej vend perëndish, një qytet fisnik e hijerëndë, të cilin Epidamni e pagëzoi me emrin Dyrrah. Historianët, por jo vetëm ata, e dinë se në këtë qytet u ndeshën Cezari dhe Pompeu, se cili prej tyre do të ishte i pari në Romë. U ndesh Aleks Bizantini me Guiskardin norman në beteja të rrepta. Në muret e këtij qyteti janë zvarritur pareshtur legjionet romake, normanë e kryqtarë dhe të tjerë pas tyre. Ata kanë ardhur e shkuar, ndërsa Durrësi është këtu si dëshmi e qëndresës së shqiptarëve ndër shekuj.
Nga Durrësi është perandori bizantin Anastasi, i cili bëri ndërtime të mëdha mbrojtëse në qytetin e tij të lindjes. Nga Durrësi vijoi Egnatia, ndryshe “Rruga Mbretërore” Romë-Kostandinopojë, ndërkohë që Durrësi dikur quhej “Kostandinopoja e dytë”, për nga madhështia dhe fama, qytet me amfiteatër antik, me vepra arti si “Bukuroshja  e Durrësit” dhe plot të tjera, që i ka zili bota.
Në panteonin e Durrësit qëndrojnë emrat e ndritur: princ Karl Topia, Shën Asti, Leonik Tomeu-mësues i Kopernikut, Jan Kukuzeli – muzikolog i shquar i mesjetës. Durrësi është vendlindja e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisu. Në shekullin e kaluar, për një kohë, Durrësi ka qenë zgjedhur kryeqytet i shtetit shqiptar. Sot, Durrësi është qyteti i dytë i Shqipërisë, me një port dhe plazh modern, me zhvillime në arkitekturë dhe mbi të gjitha me emra të shquar, krijues e dëshmorë, qytetarë të zotë dhe të ditur që e duan me zemër e shpirt qytetin dhe tërë Shqipërinë. Pra, kam dhjetëra e qindra arsye të forta përse e dua Durrësin, përse e kam vizituar dhe përse dëshiroj ta vizitoj përherë këtë qytet të lashtë e të ri. Sa herë që vij në Tiranë, nuk mund të rri dot pa ardhur edhe në Durrës..
– Disa herë jeni ndodhur në shkollën “Demokracia” në qytetin tonë. Kam vënë re, se kini ndjesi të veçantë kur takoni nxënësit.
-Po, më kanë tërhequr vazhdimisht shkollat shqiptare, mbase kjo vjen edhe sepse në Suedi kam punuar më se 27 vjet mësues dhe nxënësit i kam dashur njëlloj si fëmijët e mi. Ua di emrat një për një. Edhe sot pyes për ta, jam kureshtar të di se si shkojnë, si i kanë hallet dhe punët. Shkolla “Demokracia” këtu në Durrës më ka pëlqyer, është një shkollë me disiplinë dhe rregull, e bukur dhe me nxënës e mësues si drita. Mbaj mend aktivitetet e shkëlqyera që më kanë mbetur në kujtesë, veçanërisht ato për 100-vjetorin e Pavarësisë. Këngët, recitimet, pjesa teatrale për shpalljen e pavarësisë dhe Ismail Qemalin edhe sot më ngjallin ndjesi të forta. Fal mësuesve të përkushtuar, gjithçka është e bukur në atë shkollë, ashtu dhe në shkollat e tjera shqiptare që kam vizituar. Ato më tërheqin si me magji, kam mall…
Ka edhe një arsye tjetër: Sa herë kam qenë te “Demokracia”, jam larguar i mrekulluar dhe gjithnjë me dëshirën të kthehem përsëri. Shkaku është se, jam ftuar nga drejtoria e shkollës, pasi “Demokracia” e Durrësit është e binjakëzuar me shkollën Fjardingskolan të qytetit suedez të Borasit. Në atë shkollë ku unë kam shkuar disa herë, ka mësues shqiptarë, edhe shumë nxënës shqiptarë, që mësojnë gjuhën shqipe dhe suedeze.
– Si e vlerësoni bashkëpunimin me bibliotekën e qytetit të Durrësit? A do të vazhdojë edhe në të ardhmen?
-Po përgjigjem si fillim, për pjesën e fundit. Lidhjet që kanë në themel atdhedashurinë, sinqeritetin, kulturën dhe pasionin për dituri, nuk veniten dhe nuk shterrin kurrë, ndaj për bibliotekën, gjithmonë do ta ndiej veten një pjesëtar të saj. Kam qenë disa herë aty, i ftuar në kuvend shkrimtarësh e krijuesish, por edhe për të dhuruar libra të mi. U jam mirënjohës punonjësve dhe specialisteve të institucionit për mikpritjen e ngrohtë dhe për organizimin e veprimtarive mjaft të bukura për librat e mi dhe për jetën time. Herën e fundit isha aty për të dhuruar fjalorin tim shqip – suedisht me 35 mijë fjalë, si dhe librat, “Moj e dashura Arbëri”, “Gostivari në zemrën time”, “Rizgjimi i Arbërisë”. Me mua ishte prof Murat Gecaj, miku im  i kahershëm, si dhe shkrimtari i njohur Viron Kona, i cili i dhuroi bibliotekës dhe pjesëmarrësve në takim, librin “Ju dua më shumë se veten!”, një libër ky, që ai ma kushton mua. Përfitoj nga rasti që ta falënderoj nga zemra për atë dhuratë të çmuar që më ka bërë.
Mendoj se Durrësi ka një bibliotekë të mirë dhe të pasur, ka punonjës që dinë ta drejtojnë atë siç duhet. I vlerësoj ata, sepse e njoh mirë rëndësinë e punës së tyre, pasi unë në Suedi kam mbaruar edhe një shkollë për punonjës biblioteke, por edhe e kam ushtruar profesionin e bibliotekistit dhe të shefit të bibliotekave në qytetin suedez Nybro.
Nga takimet e mëparshme, ashtu dhe ky i kohëve të fundit, kam vënë re se biblioteka e Durrësit tërheq lexues të mrekullueshëm, njerëz të ditur, nga kategori të ndryshme, që nga lexues të thjeshtë, e deri tek intelektualë të shquar, tërheq fëmijë dhe të rritur, deri me moshë të thyer. Të gjithë e duan bibliotekën, vendin e  dijes dhe të kulturës, vendin që të ndihmon të bëhesh njeri me vlera, për zhvillimin, kulturën dhe mëmëdheun e shenjtë.
– Meqë kini botuar disa fjalorë, shqip-suedisht dhe anasjelltas, a keni ndërmend ta vazhdoni këtë punë të bukur, por të vështirë?
-Ndër punët e mia krijues më kryesorja është puna me fjalorët. Kam shkruar disa dhe do të shkruaj të tjerë. Tani jam duke përfunduar fjalorin shqip – suedisht për fëmijët e shkollave. Mendoj se ka dalë një vepër me vlerë në ndihmë të tyre. Dëshiroj t`ju them gjithashtu se, kontaktet e mia  me Shqipërinë tonë të dashur kanë qenë të lidhura ngushtë me botimet e pesë fjalorëve të mi me mbi 100 000. Fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Kjo punë voluminoze është vlerësuar edhe nga “Enti për shkollim i Suedisë” dhe është propozuar literaturë shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe për mërgimtarët në Suedi. E gjithë kjo është një dhuratë e çmuar për bashkatdhetarët tanë në Suedi dhe mbarë Skandinavinë, njëkohësisht edhe ndihmë për integrimin tonë në jetën dhe shoqrinë e atij vendi miqsor e paqsor. Shteti im amë, njerëzit e mi në Sërmnovë e Gostivar të Maqedonisë dhe, veçanërisht miqtë e mi të racës shqiptare të shpërndarë nëpër botë, më japin fuqi  dhe më bëjnë të palodhshëm, por gjithmonë mbetem me shpirt të coptuar dhe me lot trishtimi e malli. Lotët në sytë e një mërgimtari i than koha, ndërsa shpirti vuan dhe nuk gjen qetësi për mëmëdhenë e bekuar, të ndarë e të cunguar.
Leksikografia është ndër drejtimet shkencore që preferoj më shumë. Vërtetë më merr shumë kohë, por nuk më lodh, veçse më kënaq, veçanërisht kur, si shpërblim, marrë vlerësimet që më bëjnë lexuesit, si në Suedi, ashtu dhe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e diasporë.
Është një punë që kërkon shumë përkushtim. Për shembull, për fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, që i dhurova bibliotekës së qytetit tuaj, punova rreth 8 vjet. Megjithatë kjo kohë më duket e shkurtër dhe lodhjen nuk e ndiej më. Çudi, lodhja më largohet si me dorë, kur shohë se ma pëlqejnë punën që bëj dhe ma vlerësojnë librin apo fjalorin. Jam i lumtur për këtë, sepse gjykoj që puna ime është e dobishme dhe nuk më ka shkuar kot. Vlerësimi dhe fjala e mirë, janë shpërblim për mundimet në vite për të hartuar fjalorët, apo për të shkruar librat me poezi e prozë.
– Cili është libri më i ri, që do të zbukurojë listën e botimeve tuaja dhe bibliotekat tona?
-Sapo kam përfunduar një vëllim të ri në dy pjesë. Pjesa e parë përmban poezi të shkruara nga unë gjatë harkut kohor 2015 – 2016, kurse në pjesën e dytë janë përshtypjet e mia nga vizitat në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Kukës. Kam  kënaqësi që, redaktor i këtij libri është shkrimtari i njohur shqiptar Viron Kona, i cili më ka shoqëruar si një vëlla në këto vizita.
– Si ndieheni mes shqiptarëve këtu në Tiranë dhe në Durrës?
Kam shumë miq në Shqipëri. Në të vërtetë unë dua t`i kem miq të gjithë shqiptarët, që nga Gostivari ku kam lindur, nga Suedia ku jetoj, juve shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë – shtetit tonë Amë, ata të Kosovës, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare e diasporës. I dua të gjithë dhe u uroj jetë të lumtur dhe të begatë!
Në Tiranë dhe në Durrës, rrethohem porsa vij me miq të shumtë shkrimtarë, poetë, gazetarë, artistë, intelektualë të fushave të ndryshme, zyrtarë, mësues, njerëz të thjeshtë dhe akademikë. I admiroj, sepse janë të mrekullueshëm, ndaj i përshëndes me zemër, për shoqërinë që më bëjnë, për miqësinë që më ofrojnë, për respektin dhe mendimet që ndaj me ta.
Ndiehem kaq mirë saqë, nuk më bëhet të largohem. Gjithnjë e shtyj nisjen time për t`u kthyer në shtëpi, ku më presin me mall dhe padurim bashkëshortja – Xia, fëmijët: Ismeti, Agimi, Blerimi, vajza Lindita dhe ata nipër të shumtë e mbesa, si dhe tërë ata njerëz të afërt të fisit dhe miq shqiptarë e suedezë, atje ku banoj në Ferjestaden (qyteti i vaporëve), ku kam ndërtuar restorantin me emrin mëmëdhetar “Shqiponja”. Shqiponja e flamurit më shoqëron kudo. Shqiponjën e kam atje, e kam në zemër e në shpirt. Ajo është këtu, është në gjokset dhe zemrën e çdo shqiptari.
Faleminderit!
Intervistoi
Kadri Tarelli
Prill 2016.
Komente
Dhimitër M. Xhoga
“Zemra shqiptare”
[ Friday, 12.08.2016, 03:10 AM ]
Mirënjohje, krjimtarisë sa njerzillekut tuaj, z.Sadulla Zendeli-Daja
Me impenjon “Fjala e Lirë”, sa miqtë e saj dhe të mitë; “Shkesi” për këtë lidhje, i miri të mirëve Pr. Murat Gecaj, Miku im i viteve 60-të, kur hidhnim hapat e para profesioneve tona zgjedhur; Ai Gazetari, unë mësuesi. S’kam si t’ia shllyej të mirës, koleges sime (ai drjtor shtëpi kulture në Shëngjergj te Tiranes, ajo stazhiere, shoqia, sot znj. Katerin, bashkëshorte e Muratit, njohur kur ata krijuan CERDHEN e families së tyre, që sot na gëzojnë të gjithëve ne miqtë e tyre, me arritjet e tyre, sa me engjëjt fmijë me nipa e mbesa, dobësia e Muratit.
Po më fal se e zgjata me “Shkesin” e lidhies sonë, z. DAJA, ani se me korespodencë njohur, fal konsideratave për ju, të Muratit, që ai s’ju heq nga goja. Mes jush, është dhe i miri i të mirëve, një tjetër “engjelli” im, Viron Kona, një jetë me të sa ardhur në Tiranë. E kam “dhëndër”, me nusen cupë përmetare, si ime shoqe “rreziote” buzë Vjosës, kolege me Katerinën në Tiranë.
Sheqer të kësaj shoqërie dhe miqësie, kam dhe autorin e kësaj interviste, mjeshterin e tyre z. Kadri Tarreli, (merak e kam në Durrës, e takuar një apo dy herë), që këtu në Toronto e nxjerr mallin me të vëllanë, skulptor i shkëlqyer e mbi të gjitha njeri, mjeshteri Hytbi Tarrelli.
Më falni miqtë e mi që ju bezdisa me këtë “bashkëbisedim” që po bëj me ju,si t’u kem para me gotat e rakisë përmetare në dorë. E di që profesor Murati mban dietë. Ju të tjerët ngriheni një shëndet për miqësinë tonë.
Gjithë të mirat dhe ju zoti Sadulla, që dua t’i drejtohem vetëm me “DAJA”, me sa di, kështu ju drejtohen shokë e miq. Me ju atje në Suedi jetojnë plot shokë e miq, me ju në krye.
Me shumë Konsideratë e mall mërgimi.
Toronto. 12-08-2016.
Dhimitër M. Xhoga (Guri Naimit D.)
Loading...