Ballina Lajme Analistët: Mos-zgjedhja e anëtarit të pestë të komisionit Ad hok, rrezikon zgjedhjet

Analistët: Mos-zgjedhja e anëtarit të pestë të komisionit Ad hok, rrezikon zgjedhjet

Shkelja e afatit për kompletimin e përbërjes së komisionit për monitorimin e mediave gjatë fushatës elektorale mund të bëhet shkak që zgjedhjet të mos mbahen këtë vit. Analisti Albert Musliu, thotë se mosmarrëveshjet rreth anëtarit të pestë të trupit ad-hoc për mediat mund ta vënë në rrezik aneksin e fundit të marrëveshjes së arritur mes grupeve të punës së katër partive muajin e kaluar.

“Gjithsesi se mund ta rrezikojnë marrëveshjen nëse nuk i përmbahen afatit dhe nëse nuk e tejkalojnë datën e 31 gushtit. Mendoj se duhet të potencohet se nuk është vetëm kjo pjesë që mund ta rrezikojë marrëveshjen por janë edhe këto tentativat e fundit që përmes kuvendit të imponohen disa ligje që efinitivisht do ta kishin prishur atë procesin e kontrollit të shpenzimeve, siç është ndarja e partisë prej shtetit por gjithashtu edhe kontrollin e mediave”, tha Albert Musliu, analist.
Por, ndonëse kanë shkelur afatin për kompletimin e përbërjes së komisionit Ad-Hoc për media, anëtarët e këtij trupi thonë se nuk do të bëhen shkak për shtyrjen e serishme të zgjedhjeve. Goran Trpenovski, pret që të arrihet marrëveshja për anëtarin e pestë të arrihet deri më 31 gusht kur duhet të mbahet takimi i liderëve ku do të vendoset nëse janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në fund të këtij vitit.
“Jemi marrë vesh që detaje të mos publikojmë për të mos e dëmtuar procesin dhe të mos shpallemi ne si fajtorë për shtyrjen e zgjedhjeve, pra nuk japim më shumë detaje. Megjithatë, jemi optimist dhe do të punojmë për të kryer punën tonë”, u shpreh Goran Trpenovski, anëtar I komisionit Ad-Hoc.
Ndërkohë, LSDM-ja opozitare ende nuk ka publikuar as emrin e kandidatit për kryeredaktor të lajmeve në televizionin publik. Këtë pritet ta bëj pas takimit të liderëve më 31 gusht nëse arrihet marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në dhjetor.
Rijad Murati

Loading...